Bangladesh, 7 të vdekur gjatë përleshjeve në kampet e muslimanëve Rohingya

Bangladesh, 7 të vdekur gjatë përleshjeve në kampet e muslimanëve Rohingya

Dy grupe të armatosura të refugjatëve Rohingya u përleshën të premten herët në mëngjes në kampet juglindore të Bangladeshit në Cox’s Bazar, duke shkaktuar të paktën 7 të vdekur dhe 10 të plagosur, konfirmuan zyrtarët, raporton Anadolu Agency (AA).

Përplasjet e armatosura shpërthyen në kampet Ukhiya një ditë pasi Ministria e Brendshme e Bangladeshit tha se masat e sigurisë në kampet e refugjatëve Rohingya do të forcohen pas vrasjes së fundit të udhëheqësit Rohingya, Mohibullah.

Një zyrtar në detyrë nga Batalioni i Policisë së Armatosur, konfirmoi numrin e vdekjeve dhe përdorimin e armëve të zjarrit, por nuk shpjegoi arsyet.

Burimet në kamp theksuan se persona të paidentifikuar sulmuan një seminar islamik në Bllokun H-52 të Kampit numër 18 para agimit. Ndërkohë është arrestuar një person me dyshimin për përfshirje në përleshje.

“Policia e qarkut dhe forcat e tjera të ligjit kanë filluar tashmë operacionet për të kapur autorët pas përleshjes së armatosur”, tha për AA, Md Hasanuzzaman, shefi i policisë së qarkut Cox’s Bazar. “Situata në kampet e refugjatëve është nën kontroll tani”, tha zyrtari i policisë.

Disa grupe në Cox’s Bazar, ku strehohen rreth 1,2 milion refugjatë Rohingya që u larguan nga shteti Rakhine i Mianmarit pas goditjeve vdekjeprurëse ushtarake në gusht të vitit 2017, në të kaluarën janë përfshirë në incidente me të shtëna, për të cilët zyrtarët e zbatimit të ligjit fajësuan “grabitësit Rohingya” ose “kontrabandistët”.

Ansar Ali, një udhëheqës i komunitetit Rohingya në kampe, pretendoi se Ushtria e Shpëtimit të Rohingya të Arakanit (ARSA) është fajtore për vrasjet dhe kaosin.

“Burrat e ARSA-së janë përpjekur të kontrollojnë kampet e refugjatëve dhe ata shpesh kryejnë operacione të fshehta vrasjeje nëse dikush përpiqet të protestojë ndaj tyre”, tha ai për AA.

Më parë, policia arrestoi pesë anëtarë të dyshuar të ARSA-së për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e Mohibullah-it.