[There are no radio stations in the database]

SHOQËRIMI GRUAS NË ÇDO MIRËSI

– Në kuadër të këtij mësimi përfshihet një hadith:

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një fqinj persian i të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili shquhej për përgatitje të gjellëve, përgatiti një të tillë për të Dërguarin e Allahut ﷺ, pastaj shkoi dhe e thirri. Pejgamberi ﷺ i tha për Aishen:

– Po këtë?

– Jo, – tha ai.

– Atëherë, as unë, – tha i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërsa ai erdhi përsëri për ta ftuar.

– Po këtë? – i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.

– Jo, – tha ai.

– Atëherë, as unë, – ia ktheu i Dërguari i Allahut ﷺ, por ai u kthye prapë për ta ftuar.

– Po këtë? – i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.

– Po, – tha ai, në herën e tretë.

Atëherë ata të dy u ngritën njëri pas tjetrit derisa arritën në shtëpinë e tij.”[1]

– Komentimi i përgjithshëm i hadithit

Fqinji i Pejgamberit ﷺ ishte persian. Ai shquhej për përgatitjen e gjellëve. Një ditë prej ditësh përgatiti një salcë me lëng mishi dhe e ftoi Pejgamberin ﷺ. Ai refuzoi t’i përgjigjej i vetëm dhe ia bëri kusht persianit që Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të vinte me të. Persiani refuzoi, prandaj edhe Pejgamberi ﷺ refuzoi t’i përgjigjej ftesës së tij. Persiani provoi sërish, por qëndrimi i Pejgamberit ﷺ ishte i njëjtë. Herën e tretë Pejgamberi ﷺ e pranoi ftesën, por vetëm pasi persiani pranoi kushtin për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Atëherë u nis Pejgamberi  ﷺ së bashku me Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe shkuan te shtëpia e persianit.

– Mësime profetike që përfitohen prej hadithit

  1. Ftesa e persianit nuk ishte për banket dasme. Ushqimin që e gatoi i mjaftonte vetëm një personi, prandaj ai frikësohej se, nëse vente edhe Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ushqimi nuk do t’i mjaftonte Pejgamberit ﷺ.
  2. Përveç atij që ftohet për ushqim, pëlqehet të ftohen edhe të afërmit e tij.
  3. Pejgamberi ﷺ e dinte nevojën e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për atë lloj ushqimi të përgatitur nga persiani ose dëshironte të hanin bashkërisht nga ai ushqim sepse përshkruhej se kishte shije të mirë dhe kualitet të lartë.”[2]
  4. Pejgamberi ﷺ e refuzoi ftesën në shenjë kujdesi për Aishen që kishte uri. Ai nuk dëshironte të hante ushqimin pa të. Në këso situatash dalin në pah virtytet e larta të njeriut, sidomos me anëtarët e familjes së tij. Prandaj thuhej[3]: “Është e qortuar ngopja e djaloshit, ndërsa shoku i tij është i uritur.”

Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) paralajmëroi rreth këtij botëkuptimi kur e pyetën: “Çfarë thua për personin që e fton tjetrin për gosti?” U përgjigj: “Më mirë është t’ia dërgojë ushqimin në shtëpi, që të hajë së bashku me familjen.”[4]

  1. Ndoshta koha nuk ishte e përshtatshme të mbetej Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e vetme në shtëpi, prandaj Pejgamberi ﷺ urreu të ishte larg saj dhe e bëri kusht për ta pranuar ftesën ardhjen e Aishes me të. Përndryshe, nuk do të shkonte fare.[5]

Në këtë rast merren parasysh një nga dy gjërat: ose sepse ajo ishte e uritur në këtë kohë, ose sepse merret parasysh gjendja e gruas, e cila ndryshon: herë pranon disa gjëra në një kohë, herë nuk i pranon ato në një kohë tjetër. Ajo nuk pranonte në këtë që Pejgamberi ﷺ t’i përgjigjej ftesës i vetëm, ndërsa në një kohë tjetër nuk e kishte problem të shkonte i vetëm. Në këtë rast, çështja nuk kishte të bënte me urinë.

  1. Pejgamberi ﷺ mbante të drejtën e zgjedhjes mes pranimit dhe refuzimit të ftesës ngase kishte arsye që e pengonte patjetër t’i përgjigjet ftesës. Në fund zgjodhi njërën nga dy mundësitë e lejuara: të shkojë, por me Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!).
  2. Pejgamberi ﷺ nuk donte të hante ushqimin pa Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Kjo përfshihet në mirësjelljen me gruan, në të drejtat e shoqërimit dhe në etikën e bashkëndejës. Kur persiani u pajtua që Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të vente, atëherë Pejgamberi ﷺ e pranoi ftesën (që ishte njëra nga dy zgjedhjet e lejuara) ngase kjo tanimë ishte më e dobishmja: të merrte bashkëshorten me vete, që të mos qëndronte e vetme në shtëpi dhe ta shoqëronte në ngrënien e ushqimit.”[6]
  3. Sipas një transmetimi tjetër përcillet: “Pejgamberi ﷺ njërin nga fqinjët e tij e kishte persian që shquhej në gatimin e gjellëve. Një ditë prej ditësh, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke qenë me Pejgamberin ﷺ, erdhi persiani dhe e ftoi të shkonte në shtëpinë e tij për të ngrënë ushqim. Ftesën ia bëri duke i bërë me shenjë me dorë: “Eja tek unë”, e Pejgamberi ﷺ ia ktheu njëjtë me sinjale në drejtim të Aishes: të vijë edhe ajo, por persiani ia ktheu sërish duke bërë me dorë: pa të. Kështu veproi dy-tri herë.”[7]

Ky transmetim sqaron sa e çiltër ishte dashuria e Pejgamberit ﷺ për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe sa dhembshuri ndiente për të. Ai e kishte mundësinë të shkonte i vetëm, sepse ftesa u bë nëpërmjet sinjalizimit që Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk e vërejti, por nuk shkoi. Kushti që Aishja të shkonte me të nuk u vendos për shkak të frikës nga zemërimi i saj ose t’ia bënte qejfin, sepse ai e kishte mundësinë të shkonte i vetëm, pa ditur gjë Aishja, por nuk e bëri: kërkoi të bashkëngjitej edhe ajo, sepse e dashuronte dhe e respektonte.

  1. Supozohet që persiani të ketë vërejtur shenjat e urisë në fytyrën e Pejgamberit ﷺ, prandaj përgatiti ushqim të mjaftueshëm vetëm për të e më pas e ftoi.
  2. Hadithi sqaron mënyrën e pranimit të ftesës së fqinjit dhe shokut për të ngrënë ushqim.
  3. Në këso lloje ftesash lejohet ndërmjetësimi.
  4. Ndalohet shkuarja për të ngrënë ushqim ose në banket dasme pa ftesën e nikoqirit. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk shkoi pa ftesën e persianit.
  5. I ftuari ndalohet të marrë dikë tjetër me vete në dasmë ose për të ngrënë ushqim pa lejen e nikoqirit.
  6. Ftesa duhet të jetë me vetëdëshirë. Nuk lejohet ta ftojë tjetrin duke ndier urrejtje për prezencën e tij e të jetë i pakënaqur për t’i dhënë ushqim e tjetri nuk është fare në dijeni për mendimet e tij. Kësisoj tek ai bashkohet syefaqësia, koprracia, cilësia e dyfytyrëshve dhe dhënia ushqim myslimanit duke mos ndier kënaqësi në zemër.”[8]
  7. Muhamed Teki Othmani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Mund të supozohet se persiani kishte mungesë respekti për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Këtë gjë e kuptoi Pejgamberi ﷺ përmes shpalljes ose intuitës së bazuar në rrethana, se mosftesa e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk ishte për shkak se persiani nuk kishte mundësi, por ishte mungesa e vëmendjes ndaj saj. Në këtë mënyrë Pejgamberi ﷺ dëshiroi të nxiste persianin të tregonte respekt për nënën e besimtarëve, Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Përndryshe, në shumë raste është vërtetuar se Pejgamberi ﷺ i përgjigjej ftesës të shkonte i vetëm, pa e kushtëzuar praninë e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Allahu i Lartësuar e di më si miri!”[9] 

[1] Muslimi (2037).

[2] “Fet’hul Barij” (12/354).

[3] Autori i këtyre fjalëve është Busr ibn Mugire ibn Muhelibi. “El Vafij bil Vefajat”, Safidiu (10/134).

[4] “El Mufhim” Kurtubiu (5/304).

[5] “Hashijetu Sindij ala sunen Nesai” (6/158).

[6] “Sherh Nevevij ala Muslim” (13/303).

[7] “Sunen Nesaiu” (6/158), numri rendor i hadithit (3436) dhe Albani e vlerësoi të saktë.

[8] “Ikmalu Mualimi”, Kadi Ijadi (6/516).

[9] “Tekmiletu Fet’hul Mulhimi” (10/28).

 

Dr. Maxhid Hubejbi

Pjesë nga libri: “Mësime profetike për zgjidhjen e problemeve bashkëshortore”

Nga arabishtja: Irfan JAHIU


[There are no radio stations in the database]