[There are no radio stations in the database]

Raketë ruse shkel hapësirën ajrore të Polonisë, NATO aktivizon mbrojtjen ajrore

Një raketë ruse, lloji i së cilës ende nuk është përcaktuar, ka shkelur hapësirën ajrore të Polonisë, duke nxitur reagimin e menjëhershëm të autoriteteve polake dhe strukturave ushtarake të NATO-s.

Pas detektimit të raketës, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe tokësore u aktivizuan, ndërsa forcat në krahun lindor të Aleancës u vendosën në gjendje të shtuar gatishmërie.

Aktualisht po zhvillohen hetime për të përcaktuar llojin e raketës, trajektoren e saj dhe rrethanat në të cilat ajo hyri në territorin ajror polak.

Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën, gjenerali Alexus Grynkewich, zhvilloi një bisedë urgjente me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Polonisë për koordinimin e masave të mëtejshme mbrojtëse.

“Mbrojtja ajrore u aktivizua menjëherë, në koordinim të ngushtë me autoritetet në Varshavë. NATO do të vazhdojë t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e territorit të saj”, deklaroi Grynkewich.

Edhe zëdhënësi i Komandës Supreme të Aleatëve për Evropën, Martin O’Donnell, konfirmoi se NATO-ja po e monitoron situatën dhe po bashkëpunon ngushtë me ushtrinë polake.

“NATO është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet polake për incidentin, i cili mbetet nën hetim të plotë”, tha O’Donnell.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur nëse raketa ka shkaktuar dëme apo nëse është neutralizuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore.


[There are no radio stations in the database]