
Helmimet nga zjarri në Sferkë: Një person dërgohet në spital, ekipet mjekësore trajtojnë të tjerët në terren
Disa persona janë helmuar gjatë mbrëmjes së sotme në fshatin Sferkë, ku po zhvillohej një protestë lidhur me situatën e krijuar në zonë. Për rastin ka reaguar Prokuroria Themelore në Pejë, e cila ka bërë të ditur se ekipet emergjente kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi,për Sinjalin ka deklaruar se deri më tani një person është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, ndërsa disa persona të tjerë janë trajtuar në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore.
“Si pasojë e situatës së krijuar në vendin e ngjarjes janë Policia e Kosovës, ekipet emergjente dhe zjarrfikësit. Një person është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa personat e tjerë janë trajtuar në vendngjarje”, ka bërë të ditur Nikçi.
Prokuroria ka njoftuar gjithashtu se është kërkuar angazhim shtesë i ekipeve të zjarrfikësve për lokalizimin e zjarrit në zonë.
Sipas Prokurorisë, lidhur me zjarrin që kishte përfshirë një deponi mbeturinash javën e kaluar, janë autorizuar ekspertë të zjarreve për të përcaktuar shkaqet e tij. Nëse hetimet konstatojnë se zjarri është shkaktuar nga faktori njeri, autoritetet kanë paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj personave përgjegjës.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar, ndërsa ekipet kompetente po monitorojnë situatën në terren.