
Aksident mes veturës dhe motoçikletës në Prizren, i mituri dërgohet në QKUK me lëndime të rënda
Një aksident trafiku me lëndime të rënda ka ndodhur në Prizren, ku janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, aksidenti ka ndodhur më 21 qershor, rreth orës 16:30, në rrugën “Quntë”, në fshatin Nashec të Prizrenit.
Burimet bëjnë të ditur se deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur derisa vozitësi i veturës Opel Meriva po lëvizte në drejtim të rrugës Prizren–Nashec.
Me të arritur në rrugën “Quntë”, dyshohet se vozitësi, pasi ka vërejtur motoçikletën që po lëvizte përballë tij, ka frenuar, me ç’rast vetura është bartur dhe ka kaluar në shiritin e kundërt të rrugës.
Si pasojë, vetura dyshohet se është përplasur me pjesën frontale të motoçikletës, e cila po lëvizte nga fshati Nashec në drejtim të Prizrenit.
Nga aksidenti janë shkaktuar dëme materiale në veturë, ndërsa motoçiklisti, i mitur, ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Ai fillimisht është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ndërsa për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në QKUK në Prishtinë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit janë në vazhdim.