EPSHET NË KOHËN TONË BASHKËKOHORE
– Imoraliteti dhe shthurja në jetën e perëndimorëve
Ministria e Drejtësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas një studimi[1] deklaroi se tregtimi me prostitucion dhe pornografi ka një fitim të madh dhe se kapitali i saj arrin rreth tetë miliardë dollarë. Ka dokumente të besueshme që këto biznese janë të lidhura ngushtë me krimin e organizuar. Tregtia me prostitucion përfshin çdo mjet të mundshëm, si: librat, revistat, videot, rrjetet sociale, faqet e internetit, kanalet satelitore etj.
Statistikat e Byrosë Federale për Hetim (FBI) të Shteteve të Bashkuara thonë: “Tregtimi me prostitucion është burimi i tretë më i madh i depërtimit të krimit të organizuar pas biznesit me narkotikë dhe kumarit[2], saqë në duart e tyre janë 85 për qind të fitimeve nga revistat dhe filmat pornografikë.”[3]
Për momentin vetëm në Shtetet e Bashkuara gjenden më tepër se nëntëqind kinema të specializuara për filma pornografikë. Më tepër se pesëmbëdhjetë mijë zyra dhe shitore tregtojnë filma dhe revista pornografike. Ky numër është tri herë më i madh se numri i restoranteve të Mc Donald’s-it[4]. Amerika në të kaluarën e luftonte me të madhe përhapjen e prostitucionit në shoqërinë e saj duke caktuar rregulla dhe ligje, por në këtë kohë vërehet se lufta ka filluar të humbet, saqë studiot kanë arritur të ndikojnë në lehtësimin e ligjeve dhe të ndryshojnë botëkuptimin e imoralitetit te komisionet e vlerësimeve. Filmat që para një shekulli llogariteshin filma pornografikë dhe të ndaluar tani në këtë kohë llogariten të lejuar për shikim. Kohëve të fundit në Amerikë arritën të anulojnë ligjin “Dëlirësia në Mjetet e Komunikimit (Communications Decency Act of 1996)”, që njerëzit të vazhdojnë të merren me prostitucion pa asnjë kriter ligjor.
Siç dihet, Amerika është shteti i parë në prodhimin e produkteve të prostitucionit. Ajo në vit boton 150 revista pornografike, përkatësisht 8000 numra në vit[5]. Biznesi me huazimin me qira të videokasetave është shtuar prej 75 milionëve në vitin 1975 deri në 665 milionë në vitin 1996.[6]
Tregtarët e këtij biznesi në të kaluarën pranonin se kishte njerëz që dëshironin të shikonin llojin e këtyre filmave, por i pengonte frika nga njerëzit mos i shihnin duke hyrë në shitore të tilla ose kinema. Më vonë arritën e erdhën tek ideja t’ua dërgonin njerëzve nëpërmjet postës në shtëpitë e tyre. Presioni nga Qeveria i shtyri që videokasetat e revistat t’i mbulonin me letër ngjyrë kafe (Wrapper Plain Brown), që të mos shihej përmbajtja para se të dërgohej. Prapëseprapë njerëzit shpejt nisën t’i dallonin postat, por te disa që ishin më skeptikë masat e Qeverisë ndikuan që të largoheshin prej tyre.
Bizneset e pornografisë e vërejtën se njerëzit po largoheshin nga blerja për shkak të masave të Qeverisë. Ata dëshironin me çdo kusht njerëzve t’u arrinin materialet e tyre nëpër shtëpi. Me shfaqjen e internetit u erdhi mundësia e artë që nëpërmjet rrjetit të internetit, transmetimit të drejtpërdrejtë dhe telefonit të hyjnë në çdo shtëpi. Për momentin rrjeti i internetit, pa asnjë konkurrencë, përfaqëson mënyrën më të suksesshme të biznesit të tyre, saqë faqet pornografike janë më të shikuarat në gjithë botën.
– Numri i shfletuesve të faqeve pornografike në botën e internetit
Një kompani pornografike pretendon se 4.8 milionë vizitorë e vizitojnë faqen e tyre në internet brenda një jave.[7] Disa kompani bënë një studim për numrin e vizitorëve të faqeve pornografike dhe erotike në internet dhe në mesin e të cilave kompania Web Side Story tregon se ka faqe pornografike që i vizitojnë 280034 mijë vizitorë për një ditë. Ka më shumë se njëqind faqe të ngjashme që vizitohen nga më shumë se 20000 mijë vizitorë brenda një dite. Janë mbi 2000 faqe të tjera të ngjashme që vizitohen nga më tepër se 1400 vizitorë në ditë. Vetëm njëra faqe nga këto është vizituar përgjatë dy vjetëve nga 46 milionë e 613508 mijë vizitorë. Njëra kompani prej tyre pretendon se ka më tepër se 300000 mijë fotografi të grave të zhveshura që janë shpërndarë më shumë se një miliard herë. Studiues nga universiteti Carnegie Mellon (Pittsburgh, Pennsylvania, United States) bënë një studim statistikor për 917410 foto që ishin rishfaqur 8.5 milionë herë në 2000 qytete të 40 shteteve. Ata zbuluan se gjysma e fotove më të kërkuara në internet ishin ato pornografike dhe se 83.5% prej fotove të përhapura në mediet informative[8] janë foto me lakuriqësi.[9]
Gjatë studimit numerik që bëri shoqata Zogby në mars të vitit 2000 zbuluan se më shumë se 20% prej banorëve të Amerikës i vizitojnë faqet pornografike dhe më tepër se 80% nga përdoruesit e internetit shfletojnë faqe të ndaluara. Studiuesi Steve Watters[10] thotë: “Zakonisht zhytja në këto gjëra fillon nga kureshtja e më pas ajo zhvillohet dhe kalon në varësi duke përfunduar me pasoja të këqija e të rënda, si: prishja e familjes, shkatërrimi i jetës bashkëshortore e pasojave të tjera negative.”
Bizneset kishin vështirësi të mëdha për të bërë të holla nëpërmjet faqeve të internetit. Vetëm biznesi i pornografisë ishte më i suksesshmi dhe më fitimprurësi[11]. Njerëzit i vizitonin shumë shpesh këto faqe, edhe nëse detyroheshin të paguanin shuma të majme për të marrë shërbimet e tyre. Në vitin 1999 arritën blerjet e mjeteve erotike në internet diku 8% nga gjithë blerjet elektronike në internet. Hyrjet arritën diku 18 miliardë, ndërsa të hollat e shpenzuara për të hyrë në faqe pornografike arritën 970 milionë dollarë. Vetëm në vitin 2003 pritej të arrinte 3 miliardë dollarë.[12] Faqet e tilla janë në rritje marramendëse, saqë për një javë hapen me qindra faqe të reja dhe një numër i madh prej tyre i siguron shërbimet falas.
Ministria e Drejtësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaroi: “Nuk njihet periudhë kohore si ajo e ditëve të sotme në historinë e mjeteve të informimit në Amerikë që është përhapur numër i madh i mjeteve të prostitucionit dhe lakuriqësisë, pa asnjë lloj kriteri, para syve të shumë fëmijëve dhe familjeve në shtëpitë e tyre.”[13]
Statistika të tjera tregojnë se 63% e prindërve të adoleshentëve që shfletojnë faqet dhe fotografitë pornografike nuk janë në dijeni për veprimin e tyre.[14] Nuk duhet harruar fakti se studimet tregojnë se përdoruesit e faqeve dhe mjeteve pornografike sillen mes moshës 12 e deri në moshën 17-vjeçare[15]. Faqet e lakuriqësisë përfaqësojnë pa asnjë konkurrencë llojin e faqeve më të kërkuara dhe më të shfletuara.[16]
– Përpjekja e publikimit të lakuriqësinë me pretekstin e lirisë
Allahu thotë: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini. Sikur të mos ishin mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, si dhe fakti se Ai është i Butë e Mëshirues (dënimi i Tij do të shpejtonte)!” (Rad, 19-20)
Në kohën tonë bashkëkohore disa prej civilizimeve me vlerat e tyre të prishura, sëmundjet e tyre të fëlliqura dhe parimet e tyre të shtrembra nuk u mjaftoi përhapja e fëlliqësirave dhe haramave që shkaktojnë zemërimin e Allahut ndaj tyre, por e zgjeruan aktivitetin e tyre duke u përpjekur të publikojnë lakuriqësinë dhe imoralitetin në shoqëritë ku jetojnë myslimanët. Kështu, gjen se Human Rights Watch (Organizata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njerëzve) si shembull kritikon dhe dënon fuqishëm çdo përpjekje të disa shteteve islame për të bllokuar çdo faqe që thërret në imoralitet, me pretekstin e lirisë dhe të drejtave të njeriut.[17]
Vëren sa shumë janë shtuar dhe sa sherr i madh është përhapur me kanalet satelitore pornografike që shfaqin filma pornografikë dhe muzikë erotike, lajmërimet që ftojnë në imoralitet, lidhjet e drejtpërdrejta telefonike me kamerë, dhomat për imoralitet, filmat që shfaqin imoralitet, dhomat e errëta, ku kryhet zinaja, vendet e zbavitjes dhe argëtimit, ku njerëzit shfaqen lakuriq, dhomat me qira dhe hotele të përgatitura enkas për zina, anijet ku mbahen ahengje lakuriqësie dhe imoraliteti. Shtoja kësaj revistat dhe gazetat, faqet e internetit dhe rrjetet sociale, mesazhet nëpër celularë dhe fotot e fëlliqura, të folurit e pistë dhe të paturpshëm. E keqja u bë edhe më e madhe kur sheh se si të rinjtë e të rejat, fëmijët e pleqtë e shpalosin auretin pa pikë turpi. Mendjeshëndoshin dhe shpirtpastrin s’ka dyshim se e shqetëson gjendja në të cilën jemi. Allahu na ndihmoftë! Atij i ankohemi dhe tek Ai mbështetemi!
Muhamed el Munexhidi
Nga arabishtja: Irfan Jahiu
(Pjesë nga libri i përkthyer në gjuhë shqipe “BETEJA ME EPSHET”)
[1] Report of the Attorney General’s Task Force of Family Violence, U.S. Department of Justice, Washington, D.C.
[2] Federal Burea of Investigation, reported in “Talking Points: Important Facts About Pornography, Take Action Manual, National Coalition for the Protection of Children and Families, p.8.
[3] American Family Association, “Outreach: Facts About Pornography”.
[4] “Effect of Pornography on Women and Children” U.S. Senate Judiciary Committee, Subcommittee on Juvenile Justics, 98th Congres, 2nd Session, 1984.
[5] Schlosser, Eric, “Business of Pornography”, U.S. News & World Report, February 10, 1997.
[6] Këto janë statistika të vjetra, për të cilat besoj se nuk mund të krahasohen me statistikat bashkëkohore, që pa dyshim janë shumë më të mëdha se atëherë. (Sh. p.)
[7] G.A. Servi, “Sexy F Seeks Hot M”: A Mother’s Tale Discovering a Child’s X-Rated E-Mail, Newsweek, July 3, 1995, 51.
[8] There are about 14.000 Usenet newsgroups around the world today.
[9] Rimm, Marty, Marketing Pornography on the Information Superhigway, Georgetown Law Journal, Issue 5, Volume 83.
[10] Steve Watters, an Internet research analyst et Focus on the Family.
[11] C-Net; 4/29/99.
[12] U.S. News 7 World Report, 2/27/2000.
[13] U.S. Department of Justice Post Hearing Memorandum of Points and Authorities, at 1, ACLU vs. Reno, 929 (1996).
[14] Uankelovitch Partners Study, September 1999.
[15] Attorney General’s Commission of Pornography, 1986.
[16] Dr. Robert Weiss, Sexual Recovery zInstitute, Washington Times 1/26/2000.
[17] www.hrw.org/advocacy/internet/mena/