[There are no radio stations in the database]

Policia greke kap 167 kg kanabis në Janinë, arrestohet një shqiptar

Policia greke në Janinë ka sekuestruar sot një automjet me një ngarkesë prej 167 kilogramësh kanabis dhe ka arrestuar një shtetas shqiptar.

Sipas mediave greke, aksioni antidrogë është zhvilluar nga oficerët e Departamentit të Narkotikëve, si pjesë e kontrolleve të synuara për parandalimin e importit të drogës në vend.

Ndjekja e mjetit dyshohet se ka nisur pas një sinjali kontrolli policor. Policia ka gjetur një automjet privat me targa të huaja në një zonë të Janinës, i drejtuar nga personi i arrestuar. Gjatë tentativës për kontroll, drejtuesi nuk iu është bindur shenjave të ndalimit dhe është larguar me shpejtësi, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke lëvizur në kah të kundërt të trafikut.

Policia greke ka ndjekur mjetin dhe e ka ndaluar pak më vonë, duke arrestuar drejtuesin e tij. Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur dhe sekuestruar 28 pako me kanabis të papërpunuar, me peshë totale 167 kilogramë e 200 gramë.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se automjeti kishte targa të falsifikuara, ndërsa drejtuesi nuk kishte plotësuar formalitetet e kërkuara për hyrje dhe qëndrim të ligjshëm në Greqi.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për trafik droge, drejtim të rrezikshëm të mjetit, falsifikim dhe shkelje të ligjit për të huajt. Automjeti është sekuestruar, ndërsa i arrestuari pritet të dërgohet në Prokurorinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Janinës.


[There are no radio stations in the database]