
OKB paralajmëron për krizë ‘të paparë’ për detarët në Gjirin Persik
Një krizë “e pashembullt” po shpaloset për 20 mijë detarë që kanë mbetur të ngujuar në Gjirin Persik, ka paralajmëruar një organ i Kombeve të Bashkuara, përderisa mbyllja e Ngushticës së Hormuzit po i lë ekuipazhet të bllokuara në anije pa ndonjë rrugëdalje të qartë.
Përderisa ngërçi në Gjirin Persik vazhdon, punëtorët detarë – shumë prej tyre nga vende të varfra dhe në zhvillim – po e shohin veten të bllokuar në det, të gjendur mes presionit tregtar nga pronarët e anijeve, rreziqeve të sigurisë nga dronët dhe minat detare si dhe mbrojtja e kufizuar ligjore, raporton televizioni CNN.
“Është situatë e pashembullt” – tha Damien Chevallier, drejtor i Divizionit për Siguri Detare në Organizatën Ndërkombëtare Detare të OKB-së. “Kemi rreth 20 mijë detarë në Gjirin Persik për gati tetë javë tashmë. Kjo është krizë humanitare. Kurrë nuk jemi ballafaquar me një situatë të tillë” – shtoi ai.
Ky paralajmërim e nxori në pah gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen ekuipazhet e anijeve. Shumë prej tyre nuk mund të ankorohen në asnjërën anë të Gjirit Persik: portet iraniane paraqesin rreziqe të zonës së luftës, ndërsa kufizimet me viza e pengesat logjistike përgjatë bregdetit të shteteve arabe ua bëjnë të vështirë shumë detarëve largimin nga anijet e tyre. Dalja detare, përmes Ngushticës së Hormuzit, mbetet praktikisht e mbyllur.
“Rreth 800 deri në 1.000 anije do të donin të lundronin nëpër Ngushticën e Hormuzit për t’u evakuuar nga zona” –tha Chevallier. Një rast i tillë është anija transportuese e naftës, “Auroura”, e sanksionuar për shkak të lidhjeve me flotën në hije të Iranit që përdoret për transportin e naftës në kundërshtim me sanksionet amerikane.
Anëtarë të ekuipazhit i thanë televizionit CNN në një intervistë muajin e kaluar se ata kishin mbetur të ngujuar me javë pas shpërthimit të luftës, duke kërkuar që të riatdhesoheshin, pasi thanë se pronari i anijes po u bënte presion për të lundruar drejt Iranit e për ta marrë naftën pavarësisht rreziqeve që po shtoheshin.
Ekuipazhi i anijes, të gjithë shtetas indianë, treguan për kushte që po përkeqësoheshin, përfshirë mungesën e ushqimit dhe ujit të freskët.