[There are no radio stations in the database]

Nafta shkon në 1.79€, shteti në ‘monitorim’: Mimoza Kusari refuzon lirimin e TVSH-së e akcizës

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se lirimi i TVSH-së dhe heqja e akcizës nuk janë opsione të mundshme në këtë fazë, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve, të cilat gjatë ditës kanë arritur deri në 1.79 euro për litër.

 

Rritja e çmimit të derivateve po godet drejtpërdrejt qytetarët dhe ekonominë në Kosovë, ndërsa institucionet mbeten kryesisht në rolin e vëzhguesit.

Në një kohë kur çmimet në tregun ndërkombëtar janë rritur ndjeshëm si pasojë e tensioneve gjeopolitike dhe përfshirjes së fuqive të mëdha në konfliktet në Lindjen e Mesme, në vend çmimi i naftës ka arritur deri në 1.79 euro për litër, duke nxitur reagime të forta politike dhe kërkesa për masa urgjente.

Përkundër kësaj situate, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të qartë se lirimi i TVSH-së dhe heqja e akcizës “nuk janë opsion”, duke theksuar se këto janë të hyra të rëndësishme buxhetore dhe çdo ndryshim kërkon procedura ligjore dhe miratim nga Kuvendi. Ministrja Mimoza Kusari-Lila deklaroi se “TVSH-ja asnjëherë nuk ka qenë opsion”, ndërsa për akcizën shtoi se “në situatën aktuale nuk e konsiderojmë si opsion heqjen e saj”, duke theksuar se institucionet janë duke monitoruar tregun dhe lëvizjet e çmimeve.

Megjithatë, kjo qasje po kritikohet ashpër nga opozita, e cila e konsideron reagimin institucional të vonuar dhe të pamjaftueshëm përballë një krize që po reflektohet zinxhir në të gjitha çmimet bazë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar masa konkrete dhe të menjëhershme, duke propozuar lirimin e së paku 50% të TVSH-së dhe heqjen e përkohshme të akcizës, që sipas tij do të ulte çmimin për rreth 40 cent për litër, shkruan Demokracia.com.

“Është thelbësore që qeveria të marrë veprime sa më shpejt, sepse çmimi i derivateve po ndikon drejtpërdrejt në rritjen zinxhirore të çmimeve të ushqimit dhe po e bën të papërballueshme funksionimin e sektorit privat”, deklaroi Tahiri.

Ai gjithashtu kërkoi krijimin e një task-force të përbashkët me përfaqësues nga institucionet dhe bizneset, si dhe sigurimin e rezervave strategjike përmes marrjes me qira të kapaciteteve ekzistuese të depozitimit.

Në një linjë edhe më kritike, deputeti Ferat Shala ngriti shqetësimin për mungesën e theksuar të rezervave shtetërore të naftës, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar të sigurisë energjetike. Sipas tij, çdo shtet serioz duhet të ketë rezerva për të paktën 90 ditë, ndërsa Kosova nuk arrin as përafërsisht këtë nivel.

Ai thekson se, ndonëse që nga viti 2023 janë ndarë 28.5 milionë euro për rezerva shtetërore, “nuk evidentohet furnizim real dhe i qëndrueshëm me naftë”, ndërsa mungojnë procese të qarta të prokurimit dhe një pjesë e fondeve është përfshirë në afera që kanë përfunduar me aktakuza.


[There are no radio stations in the database]