[There are no radio stations in the database]

Kryetari i DIJANET-it të Turqisë, dr. Safi Arpagus për vizitë zyrtare në Kosovë

Kryetari i Diyanet İşleri Başkanlığı, dr. Safi Arpagus, po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Kosovë. Ai u prit në Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” nga kryetari i Bashkësia Islame e Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Me këtë rast, Myftiu Tërnava i dëshiroi mirëseardhje mysafirit të nderuar, duke i përcjellë urimet më të sinqerta për agjërim të lehtë dhe ibadete të pranuara, në frymën e muajit të bekuar të Ramazanit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve fetare të Kosovës dhe Turqisë, duke vlerësuar mbështetjen e popullit turk ndaj projekteve të rëndësishme fetare dhe kulturore në vend.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, dr. Arpagus do të vizitojë xhamitë e vjetra të qytetit të Prishtinës, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë islame dhe kulturore të vendit. Po ashtu, ai do të ndalet edhe në Xhaminë Qendrore të Prishtinës, e cila është në ndërtim e sipër dhe financohet nga populli mik turk, duke simbolizuar lidhjet e forta historike dhe shpirtërore ndërmjet dy vendeve.

Në pjesën e dytë të ditës, kryetari i DIJANET-it do të vizitojë qytetin e Prizrenit, i njohur për vlerat e tij historike dhe fetare, si dhe Mamushën, ku pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve fetare dhe besimtarë lokalë.

Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve fetare të Turqisë, si dhe në forcimin e lidhjeve tradicionale të miqësisë ndërmjet dy popujve.


Vazhdo leximin

[There are no radio stations in the database]