
Komandanti i KFOR-it, Ulutaş, bisedoi me autoritetet kosovare për automjetetet e FSK-së në veri
Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) është deklaruar lidhur me çështjen e automjeteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të cilat kaluan për disa minuta në pjesën veriore të Mitrovicës, transmeton Anadolu.
KFOR-i për mediat në Kosovë ka bërë të ditur se komandanti i këtij misioni, gjenerali i Forcave Turke Özkan Ulutaş, ka biseduar me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, për lëvizjen e gabuar të njësisë së FSK-së.
Bëhet e ditur se Jashari i ka përsëritur komandantit Ulutaş se devijimi i automjeteve të FSK-së ka qenë i përkohshëm dhe si pasojë e një gabimi.
“Ne e kemi pranuar deklaratën e bërë nga Policia e Kosovës dhe nga FSK-ja, se njësia përkatëse e FSK-së kishte dalë gabimisht për disa minuta nga itinerari i saj dhe ishte kthyer menjëherë në rrugën fillestare, në jug të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Nga KFOR-i deklaruan po ashtu se e mirëpresin “respektimin e vazhdueshëm nga ana e FSK-së të marrëveshjes së gjatë për të mos dërguar personel të FSK-së në veri të Kosovës pa njoftimin dhe miratimin paraprak të Komandantit të KFOR-it.”
Në fund u tha se ky mision është i pozicionuar mirë në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë veriun e vendit dhe është i gatshëm të reagojë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm në aspektin e sigurisë.
Gjatë ditës, mediat serbe në Kosovë raportuan se automjetet e FSK-së hynë në pjesën e Mitrovicës së Veriut ku qëndruan për disa minuta dhe më pas u larguan për në jug. Gjithashtu disa video të këtyre automjeteve u shpërndanë edhe në rrjetet sociale.
Sipas dëshmitarëve okularë të cilët folën për mediat serbe, bëhet fjalë për dhjetë automjete, përfshirë disa Hummer, si dhe tre deri në katër kamionë.