
Kosovë, mbyllet procesi i votimit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit
Në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në mbarë Kosovën, duke shënuar përfundimin e procesit të votimit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, raporton Anadolu.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i votimit është zhvilluar përgjithësisht i qetë dhe pa incidente serioze që do të ndikonin në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Qytetarët me të drejtë vote kanë pasur mundësinë të zgjedhin kryetarët e komunave dhe asamblistët përkatës për mandatet e ardhshme katërvjeçare.
Pas mbylljes së kutive të votimit, komisionerët zgjedhor nëpër qendra do të nisin numërimin e votave, ndërsa rezultatet paraprake pritet të publikohen nga KQZ-ja gjatë mbrëmjes.
Zgjedhjet e sotme janë ndjekur edhe nga vëzhgues të shumtë vendor dhe ndërkombëtar, të cilët kanë monitoruar procesin në të gjitha komunat e vendit.