
Konfirmohet rasti i parë i një murtaje për delet dhe dhitë në Kosovë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se ka pranuar njoftimin për prezencë të sëmundjes që prekë delet dhe dhitë me emrin “Murtaja e Ruminantëve të Vegjël” (PPR), në një fermë në fshatin Landovicë të komunës së Prizrenit, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit nga AUV, me të marrë informacionet, menjëherë janë aktivizuar ekipet e inspektorëve të mjekësisë veterinare, të cilët kanë vendosur masën e kufizimit të lëvizjes në fermën e dyshuar, nga e cila janë marrë mostrat për testim.
“Sot në mëngjes Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar prezencën e sëmundjes në fermën e dyshuar. Mostrat e testuara në fermat përreth kanë rezultuar negativ. Në zbatim të mandatit ligjor bazuar në rezultat të analizave laboratorike, AUV ka shpallur fshatin Landovicë vatër të infektuar, në perimetër prej 3 kilometër nga ferma e prekur. Kjo zonë është vendosur në masë karantine, ndalim të lëvizjes se çdo kafshe, transport apo qarkullim të produkteve dhe nënprodukteve të kafshëve”, njoftoi AUV.
Agjencia kosovare vendosi edhe fermat përreth nën masën e dyshimit për hulumtim epidemiologjitk, hulumtimin e burimit të infektimit dhe kontakteve të mundshme me fermën e infektuar.
Më tej, theksohet se janë vënë në zbatim masat e biosigurisë në ferma, si dhe dezinfektimi i fermave dhe zonave përreth sipas protokolleve veterinare.
AUV po ashtu nxori vendim të menjëhershëm për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes PPR, bazuar në Ligjin për Veterinarinë dhe i cili do të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës, të cilat ndër tjerash përfshinë ndalimin e lëvizjes së deleve dhe dhive nga fermat, tregtimin në tregje dhe shitblerjen, groposjen e kafshëve në fermat të cilat rezultojnë të infektuara me PPR, njoftimin e menjëhershëm të institucioneve kur haset në infeskione, si dhe të tjera.
Sëmundja PPR (Peste des Petits Ruminants), e njohur si Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë. Ajo karakterizohet nga simptoma të rënda si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni dhe kollitje e fortë. Megjithëse ajo nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve, kafshëve u shkakton dëme të konsiderueshme duke ua rritur nivelin e ngordhshmërisë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë blegtorale.