[There are no radio stations in the database]

Policia e Kosovës asistoi ndërmarrjen “Ibër-Lepenci” në marrjen e një objekti në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka ofruar asistencë për zyrtarët e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenci në veri të vendit, për të hyrë në një objekt pranë Liqenit të Ujmanit në Zubin Potok, që dyshohet se përdorej si institucion paralel i Serbisë, transmeton Anadolu.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për mediat në Kosovë se operacioni që është zhvilluar sot, ka ndodhur pa incidente.

“Po, i kemi asistuar zyrtarët e Ibër-Lepencit për të hyrë në një objekt te Liqeni i Ujmanit”, ka thënë ai.

Për këtë aksion, ka reaguar drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se do ta informojë komunitetin ndërkombëtar për të.

Petkoviq ka thënë se bëhet fjalë për një objekt të Kryqit të Kuq.

Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll disa objekte, të cilat shfrytëzoheshin si institucione paralele të Serbisë në Kosovë.

Kompania paralele e Ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicë të Veriut ishte mbyllur më 13 maj 2025. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizavanolli, kishte theksuar se ky është një hap konkret që i shërben sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet e shtetit.

Bashkimi Evropian i ka cilësuar të njëanshme dhe të rrezikshme për përshkallëzim të situatës veprimet e autoriteteve të Kosovës.


[There are no radio stations in the database]