[There are no radio stations in the database]

Biznesmeni turk hedh themelet e fabrikës në Shkup, investim me objektiv 100 milionë euro dhe 1 mijë vende pune

Në Shkup të Maqedonisë së Veriut janë hedhur themelet e një fabrike për prodhimin e rezistuesve për teknikë të bardhë dhe aparate elektrike nga kompania turke Şahterm, me qendër në Bursa. Faza e parë e këtij projekti kap vlerën 25 milionë euro dhe pritet të sigurojë punësim për rreth 200 persona, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e organizuar në Zonën e Lirë Ekonomike të Shkupit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se projekti pritet të zgjerohet, duke arritur në një vlerë totale prej 50 milionë euro dhe më shumë se 500 vende pune në fazat pasuese.

“Ky projekt nuk është vetëm një investim industrial, por edhe një kontribut i rëndësishëm për eksportin dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Treguesit ekonomikë na japin sinjale pozitive se po ecim në drejtimin e duhur”, tha Mickoski, duke falënderuar kreun e bordit të kompanisë Şahterm, Faruk Şahin, për besimin ndaj potencialit të Maqedonisë së Veriut.

Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, në fjalën e tij u shpreh se investimi i kompanisë turke është një shembull konkret i marrëdhënieve të forta midis dy vendeve.

“Firmat turke në Maqedoninë e Veriut aktualisht punësojnë rreth 10 mijë persona dhe kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e eksportit”, tha ambasadori Ulusoy, duke shtuar se kjo fabrikë do të përfaqësojë me dinjitet Turqinë në rajon.

Gjithashtu edhe kreu i Shoqatës së Biznesmenëve dhe Industrialistëve nga Rumelia (RUMELİSİAD), Murat Evke, i cili ishte i pranishëm në ceremoni, vlerësoi vendin si një destinacion strategjik për investime, duke e quajtur këtë projekt një simbol të miqësisë dhe bashkëpunimit ekonomik midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Objektivi i projektit: 100 milionë euro dhe 1 mijë punësime

Şahin, kreu i kompanisë Şahterm, në fjalën e tij tha se kompania e tij aktualisht operon me 800 punëtorë në tre fabrika dhe eksporton 60 për qind të prodhimit në pesë kontinente. Ai theksoi se përzgjedhja e Maqedonisë së Veriut është bërë pas një analize të gjerë për shkak të stabilitetit dhe mbështetjes për investitorët.

“Nëse mbështetja institucionale vazhdon edhe gjatë pesë viteve të ardhshme, synojmë ta rrisim investimin në 100 milionë euro dhe të punësojmë 1 mijë persona në një kompleks të plotë prodhues”, tha Şahin, duke shtuar se i gjithë prodhimi do të jetë për eksport dhe do të sjellë valutë të huaj në vend.

Ceremonia përfundoi me dorëzimin e një pllake nderi për kryeministrin Mickoski dhe aktivizimin simbolik të butonit për fillimin e ndërtimit të fabrikës.


[There are no radio stations in the database]