[There are no radio stations in the database]

Kosovë, bizneset kërkojnë rishikim të vendimeve të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë thirrje që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë ta rishikojë vendimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike si dhe atë që disa biznese të dalin në treg të pavarur energjetik, raporton Anadolu.

Kreu i AKB-së, Agim Shahini në konferencën me temë “Vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe ndikimi i tij në sektorin privat”, tha se kjo situatë është e papranueshme sepse cenon konkurrencën e qëndrueshme të prodhuesve vendor, rritë ndjeshëm koston për bizneset, krijon pabarazi strukturore dhe diskriminim ekonomik.

“Kërkesa e AKB-së drejtuar ZRRE-së është që të bëjë rishikimin e menjëhershëm të vendimit të për kalimin e detyrueshëm të bizneseve nga tregu aktual në tregun e hapur dhe sipas nesh, kjo është e padrejtë”, theksoi Shahini.

Ai tha se duhet të vendoset një periudhë tranzitore me subvencionim ose me çmim të kontrolluar, nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të kompanive prodhuese në Kosovë, të cilët shfaqën shqetësimet me vendimet e ZRRE-së.

Arbnore Musliu-Konushefci nga një kompani e cila merret me prodhimin e produkteve të metalit në Kosovë, thotë se vendimi i ZRRE-së duhet të pezullohet menjëherë, sepse është i gabuar apo jo mirë i menduar.

“Ideja e liberalizimit të energjisë është që të mos krijohet monopol dhe të ketë kushte më të favorshme për bizneset, sidomos për prodhuesit. Mirëpo, liberalizimi i energjisë në Kosovë na dëmton neve jashtëzakonisht shumë. Ne si kompani kemi kontrata katër-pesë vjet afatgjate, që i bie se nuk e dimë se si do të funksionojmë pas 1 qershorit”, theksoi ajo.

Nga 1 qershori 2025 mbi 1 mijë kompani të mëdha në Kosovë do të përballen me një ndryshim të madh. Ato do të duhet të furnizohen nga sistemi me çmime të rregulluara sikurse Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) por do të hynë në treg të lirë dhe konkurruese. Kjo nënkupton që çdo kompani me mbi 50 punëtorë apo qarkullim vjetor më të madh se 10 milionë euro do të duhet ta zgjedh vet furnizuesin e saj me energji.

Kompanitë që nuk i plotësojnë këto kushte, duhet ta dëshmojnë këtë tek KESCO deri më 16 maj.

Nga 1 maji 2025, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) vendosi për shtrenjtimin e energjisë elektrike me 16.1 për qind në Kosovë.


[There are no radio stations in the database]