
Kosovë, gjenden armë në Mitrovicë të Veriut, arrestohet një person
Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka bërë të ditur se ka gjetur një sasi të armatimit në Mitrovicë të Veriut, transmeton Anadolu.
Prokuroria në një njoftim për media tha se në koordinim me Policinë e Kosovës dhe me urdhër të gjykatës, ka realizuar kontroll në tri lokacione dhe në njërin prej tyre janë gjetur sasi armatimi, pjesë të ndryshme të armëve dhe makina që janë përdorur në ndërhyrje në armë.
Lidhur me këtë rast, është arrestuar një i dyshuar.
“Në njërin nga lokacionet në Mitrovicën e Veriut janë gjetur dhe sekuestruar sasi armatimi, pjesë të ndryshme të armëve, makina që janë përdorur në ndërhyrje në armë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, mbi të dyshuarin tashmë të arrestuar, rëndojnë disa akuza.
“Është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një person i dyshuar për kryerjen e veprave penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, njofton Prokuroria.