BE-ja ul në 7,5 për qind pjesën e Rusisë në importet e gazit

BE-ja ul në 7,5 për qind pjesën e Rusisë në importet e gazit

Bashkimi Evropian (BE) uli pjesën e Rusisë në importet e gazit natyror nga 40 për qind në 7,5 për qind me masat që mori për të eliminuar varësinë nga Rusia në energji, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen foli në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur pas takimit të saj me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, në Talin.

Duke kujtuar se kanë marrë shumë masa për t’i dhënë fund varësisë nga burimet energjetike ruse pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës më 24 shkurt, von der Leyen tha: “Kemi arritur të shpëtojmë plotësisht nga qymyri rus. Përveç kësaj, deri në fund të vitit do të ulim pjesën e naftës së blerë nga Rusia në 10 për qind. Në fillim të luftës, pjesa e Rusisë në gazin e importuar ishte 40 për qind. Në 7 muajt e fundit e kemi ulur në 7,5 për qind”.

Von der Leyen i përshkroi këto norma si “përpjekje masive për të kaluar nga lëndët djegëse fosile ruse në furnizues të besueshëm dhe për të investuar në energjinë e rinovueshme”.

“Mënyra më e mirë për të shmangur shantazhin e Rusisë është përshpejtimi i energjisë së rinovueshme dhe transformimi i pastër”, tha von der Leyen.

Duke iu referuar rritjes së çmimeve të energjisë pas luftës në Ukrainë, von der Leyen deklaroi se deri në Samitin e liderëve të BE-së më 20-21 tetor do të sjellin propozime të reja për uljen e çmimeve të energjisë.

Von der Leyen deklaroi se ata mbështetën krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krimet e luftës, ndihmuan Ukrainën të mblidhte prova dhe mbështetën dërgimin e çështjes në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Kryeministrja e Estonisë Kallas deklaroi gjithashtu se duhet ngritur një padi për “krime agresioni” dhe “krime lufte” dhe se ka nevojë për një gjykatë ndërkombëtare për krimin e agresionit.

Duke u shprehur se kjo mund të krijohet në BE dhe se edhe vendet e tjera mund të bashkohen, Kallas tha: “Unë mendoj se BE-ja mund të luajë një rol udhëheqës në krijimin e një gjykate të tillë ndërkombëtare”.