familja jashari

25 vjet nga rënia e Familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt

Në lagjen Kroi i Vitakut përtej Lumit Ibër në Mitrovicë të Veriut, ka zënë vend një galeri me piktura që shfaqin fillimin e rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për nder të Epopesë së UÇK-së, e cila përkujton rënien e familjes së kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari, më 5,6 dhe 7 mars, raporton Anadolu.

Në 25-vjetorin e rënies së Adem Jasharit bashkë me 55 anëtarë të familjes së tij në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt, një grup piktorësh sollën imazhin e freskët të kryekomandantit të UÇK-së me ngjyra të ndezura mbi pëlhurë.

Ali Kadriu, drejtori i Galerisë “Kadri Kadriu”, mirëpret çdo vizitor në galerinë e tij, të ngritur në një lagje të banuar me shqiptarë dhe me pjesëtarë të komunitetit serb.

Pas pikturës që e sjell një “hije” të vërtetë të Adem Jasharit, Kadriu flet për krismat e para të luftës në Kosovë, kur më 28 shkurt të vitit 1998 në fshatrat Likoshan dhe Qirez të Drenicës, në vendin e quajtur “Te tre lisat”, u zhvilluan luftimet mes UÇK-së dhe forcave serbe.

Vetëm pak ditë pas kësaj beteje, ku mbetën të vrarë disa policë serbë dhe u ekzekutuan 24 civilë shqiptarë, më 5 mars, ushtria dhe policia serbe rrethuan familjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jashari, ku familja Jashari rezistoi për tri ditë në luftime.

“Kjo është Kulla e Jasharëve të cilët kanë bërë rezistencë, Ademi, Hamza dhe familja e tyre të cilët ranë heroikisht për mbrojtjen e atdheut dhe tokën shqiptare dhe ja çfarë kanë bërë serbët këtu, kanë bërë masakër, mirëpo Jasharët nuk u dorëzuan, por arsenali i serbëve ishte shumë i madh dhe nuk mundën ta përballonin”, thekson Kadriu duke folur rreth pikturës ku shfaqet shtëpia e familjes Jashari nën flakë.

Tutje, në ekspozitë është e përfshirë edhe një pikturë me disa nëna të trishtuara dhe në vaj për humbjet e familjarëve të tyre gjatë luftës, portrete të ushtarëve të UÇK-së e portrete të grave, pleqve e fëmijëve me fytyra të frikësuara në kohën e luftës.

“Vëllai im u ekzekutua nga serbët 1 vit pas rënies së Adem Jasharit”

Ali Kadriu e ka emëruar galerinë me emrin e vëllait të tij të ndjerë Kadri Kadriu, njërit nga piktorët e hershëm të Kosovës.

Vdekja e vëllait të tij lidhet pikërisht me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin, dhe historinë e vëllait të tij, Aliu e rrëfen i lodhur nga mërzia për të.

Në përvjetorin e parë të rënies së Familjes Jashari, në mars të vitit 1999, vëllai i Aliut, Kadri Kadriu, ishte nisur me disa piktura në krahë për në Prekaz, për të hapur ekspozitë me të cilën do t’i frymëzonte ushtarët e UÇK-së në rezistencë, por u ekzekutua pak ditë më vonë.

“Më 11 mars Kadri Kadriun e ekzekutuan forcat serbe sepse u pengonte, sepse ka qenë organizator i kulturës, dhe e ekzekutuan e madje ia hoqën edhe veshin sepse adhuronte Van Goghun dhe e donte bashkimin kombëtar, që të bashkohet Kosova me Shqipërinë, dhe atë e ndanë në dy pjesë”, thekson Kadriu.

Ai thotë se pikturat me të cilat mori pjesë vëllai tij bashkë me disa piktorë të tjerë në Prekaz, ishin me motive frymëzuese nga figura kombëtare si Skenderbeu, Mic Sokoli, shqiponja dhe pejsazhe të Drenicës e Kosovës.

Sulmi ndaj familjes Jashari ishte kritikuar nga organizata ndërkombëtare “Amnesty International”

Sulmeve të njësisë speciale policore serbe në shtëpinë e Jasharëve i parapriu një sulm i pjesëtarëve të UÇK-së ndaj pjesëtarëve të njësisë policore serbe, ku më pas këta të fundit kërkonin ndëshkim dhe synonin t’i kapnin ushtarët e UÇK-së duke i konsideruar ata si “terroristë”.

Ky sulm ndaj familjes Jashari ishte kritikuar nga organizata ndërkombëtare “Amnesty International”, e cila theksoi se “të gjithat provat dëshmojnë se sulmi nuk ka pasur qëllim për t’i kapur ushtarët e UÇK-së, por për t’i vrarë të dyshuarit dhe familjet e tyre”.

Adem Jashari dhe sakrifica e familjes së tij u bënë simboli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai njihet si “Komandanti Legjendar i UÇK-së”, ndërsa pas vdekjes, atij dhe Hamëz Jasharit iu nda urdhri “Hero i Kosovës” (dekoratë shtetërore për figurat historike) nga presidenti i atëhershëm, Ibrahim Rugova.

Pothuajse dhjetë vite pas rënies, në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, në Kosovë u krijua slogani “Bac, u kry”, që i dedikohej kryekomandantit Adem Jashari, si realizim i qëllimit sublim të të gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij.