“2021, vit i mbijetesës në shumë sektorë të ekonomisë së Kosovës”

“2021, vit i mbijetesës në shumë sektorë të ekonomisë së Kosovës”

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) konsideron se edhe viti 2021 do të jetë vit i mbijetesës në shumë sektorë të ekonomisë së vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur rreth masave të miratuara për rimëkëmbje të ekonomisë nga Qeveria me vlerë prej 222.4 milionë eurove, nga të cilat 6.5 milionë janë ndarë për bizneset e vogla, kryetari I OEK-ut, Berat Rukiqi thotë se sektori privat është i pakënaqur me këtë shumë.

“Supozojmë se me 60 milionë sa kanë qenë të ndara herën e kaluar, bizneset i kanë përfituar mesatarisht nga 290 euro, tani me 6.5 milionë euro mund të ta merrni me mend sa është shuma që mund ta fitojnë bizneset nga subvencionimi i pagave. Do të thotë do të jetë shumë jashtëzakonisht e vogël”, tha Rukiqi.

Ai thekson se edhe viti 2021 do të jetë vit i mbijetesës në shumë sektorë, por, OEK do të vazhdojë të merret me mundësitë dhe zgjidhjet për tejkalimin e problemeve ekonomike të vendit. Rukiqi tha se një nga elementet që presin të ndodhë pas pandemisë është rritja e investimeve në disa sektorë.

“Me jostabilitetin politik që ka Kosova (me të cilin e ka filluar vitin) dhe ka shenja që edhe të vazhdojë gjatë vitit do të jetë shumë e vështirë të kemi një rikuperim të asaj çfarë është humbur në vitin e kaluar që sipas Bankës Botërore dhe shumë institucioneve tjera dhe raporteve tjera ekonomike është tkurrje ekonomike me mbi 8 për qind”, theksoi ai.

OEK pret që partitë politike që pretendojnë të hynë në Qeverinë e ardhshme, t’i përgjigjen sektorit privat se nga do ta sigurojë Kosova energjinë elektrike në 10 apo 20 vitet e fundit, si do ta rrisë eksportin, sa do të punojë në tërheqjen e investimeve të huaja, dhe sa do të ndiqen trendet e reja, që janë të lidhura me digjitalizimin.