
USHQIMI DHE PIJET
- Allahu u dha krijesave mirësi me bollëk, e prej më të mëdhave është mirësia e ushqimit dhe pijes. Pa to s’ka jetë për njeriun dhe kafshët, gjë që e bën të domosdoshme falënderimin dhe përkushtimin ndaj Allahut në vazhdimësi. I përkujton robërit se Allahu është i Gjalli, i Përjetshmi, i Vetmi, Absoluti dhe Krijuesi i çdo gjëje. Të gjitha krijesat kanë nevojë për Të, e Ai është vërtet i pavarur prej tyre. I përkujton se Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohen gjithë krijesat në të gjitha nevojat, gjendjet dhe domosdoshmëritë e tyre.
Allahu thotë: “Ushqehuni me gjërat e lejuara dhe të mira që jua ka dhënë Allahu dhe falënderoni për mirësitë e Allahut, nëse vërtet e adhuroni Atë.” (En Nahl, 114)
Dhe thotë: “A e shihni ujin që pini? Vallë, ju e zbrisni atë prej reve apo Ne e zbresim? Nëse duam, Ne e bëjmë atë të njelmët, andaj përse nuk jeni mirënjohës?!” (El Vakia, 68-70)
- Myslimani duhet të mësojë rregullat dhe etikën e ushqimit dhe pijes, e të kërkojë hallallin në ushqimin, pijen, veshjen dhe në të gjitha çështjet tjera të jetës së tij.
- Jeta e myslimanit e tëra është për Allahun, kur është serioz dhe kur bën shaka, kur punon dhe kur pushon, kur fle dhe kur është i zgjuar, kur udhëton dhe kur është vendas. Allahu thotë: “Thuaj: Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”. (El Enam, 162-163)
Nëpërmjet nijetit të mirë myslimani gjërat e lejuara i shndërron në adhurim. Ai nuk lejon që t’i ikën një orë nga jeta e tij pa ndonjë dobi, adetet e tij të përditshme dhe punët e tij që janë të lejuara, si ushqimi, pija, gjumi, ecja, i shndërron në adhurim, duke e bërë nijetin që nëpërmjet këtyre punëve të lejuara të forcohet dhe të fitojë energji për adhurim dhe ripërtëritje të aktivitetit. Pejgamberi ﷺ thoshte: “Veprat shpërblehen sipas nijetit dhe çdonjëri e merr shpërblimin sipas asaj që e ka bërë nijet.”[1]
Nëse myslimani për gjumin që e bën shpreson shpërblim tek Allahu dhe e bën me nijet që nëpërmjet gjumit të forcohet për adhurime dhe të pushojë për ta ripërtërirë aktivitetin e trupit që të marrë fuqi për adhurim, në këtë rast gjumi shndërrohet në adhurim dhe nënshtrim, ashtu siç Muadh ibn Xhebeli i tha Ebu Musa El Eshariut: “Unë flej në pjesën e parë të natës dhe pasi e bëj pjesën e caktuar të gjumit, zgjohem dhe lexoj nga ajo që Allahu e përcaktoi për mua. Për gjumin që e bëj shpresoj shpërblim tek Allahu ashtu siç shpresoj shpërblim për ngritjen nga gjumi.”[2]
- Ushqimi dhe pija në thelb lejohen dhe llogariten të pastra, derisa të vjen argument që e dëshmon të kundërtën. Kështu që, nuk gjykohet për ndonjë lloj ushqimi apo pije se është i ndaluar apo i papastër, veç nëse vërtetohet me argument të saktë.
Allahu thotë: “Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë.” (El Bekare, 29)
Dhe thotë: “Thuaj: ‘Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?’… ” (El Araf, 32)
- Esenca te kafshët e gjalla është se lejohet therja dhe ngrënia e tyre derisa të vjen argument që e dëshmon të kundërtën.
- Esenca te kafshët e therura (që nuk dihet prejardhja tyre, kush i theri ato dhe mënyrën e therjes së tyre) është ndalesa. Kështu që nuk lejohet të konsumohet kafsha e therur veç nëse dihet që është therur sipas rregullave të fesë.
Nëse kemi dyshim te kafsha e gjallë se a është hallall apo haram, në thelb duhet me qenë hallall, kështu që lejohet therja saj dhe të hamë prej mishit të saj. Mirëpo nëse dyshojmë te mishi se a është prej kafshës së therur apo është cofëtinë, në thelb duhet me qenë haram, derisa të dëshmojnë rrethanat të kundërtën e ta llogarisim për hallall.
- Ushqimet prej drithërave dhe fryteve, si perimet e pemët, etj., pra që nuk vijnë nga shtazët; të gjitha janë të lejuara, veç nëse gjendet në to diçka e dëmshme si helmi, etj., që e bën të ndaluar përdorimin e tyre.
- Shtazët janë dy lloj:
– Shtazët e detit: lejohet ngrënia e çdo gjëje që gjendet në deti, qoftë e gjallë apo e ngordhur, duke u bazuar në fjalët e Allahut: “Ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim nga deti… ” (El Maide, 96)
“Gjuetia e detit” për qëllim është shtazët e gjalla.
Ndërsa “ushqimi nga deti” për qëllim është shtazët e ngordhura.[3]
– Shtazët e tokës: në thelb lejohet ngrënia e tyre, përveç atyre që feja i ndaloi me argument të saktë.
- Kriteri që e përcakton llojin e shtazëve tokësore dhe shpendëve të ndaluara:
– Çdo gjë që islami njoftoi se është i fëlliqur si: derri dhe gomari.
– Apo njoftoi për llojin e tij si çdo egërsirë mishngrënëse (shqyese) si: luani, qeni, macja e egër dhe ujku; dhe çdo shpend kthetrashqyes si: skifteri (sokoli) dhe shqiponja.
– Apo që njihet fëlliqësira e tij si: miu dhe insektet (si brumbulli, kacabu, miza, etj.).
Te insektet bënë përjashtim karkaleci (edhe nëse është i ngordhur), lejohet ngrënia e tij.
– Apo fëlliqësira e tij vjen kalimthi si: kafsha (që në esencë është hallall, por) që ushqehet me gjëra të fëlliqura (e kjo e bën haram ngrënien e mishit të saj).
– Apo që islami urdhëroi mbytjen e tij si: gjarprin, akrepin, gekon (hardhucën tropikale); sepse sikur të ishte hallall, nuk do lejohej të mbytet pa therje ashtu si e kërkon feja.
– Apo që islami ndaloi mbytjen e tij si: pupëzën, bretkosën, milingonën dhe bletën; sepse sikur të ishin hallall, nuk do ndalohej mbytja e tyre.
– Apo që njihet se i ha cofëtinat si: shqiponja dhe korbi.
– Apo që ka lindur prej kafshës hallall (që lejohet ngrënia e saj) dhe kafshës haram (që ndalohet ngrënia e saj) si: mushka (sepse është një kafshë hibride, mes një kali femër dhe një mashkulli gomar).
– Apo kafsha që është e ngordhur, apo mishi që është therur në emër të dikujt tjetër në vend të Allahut, apo mishi që kur është therur nuk është përmendur emri i Allahut (është therur pa thënë Bismilah[4]).
– Apo që nuk e lejoi feja të konsumohet si: kafshën e grabitur dhe të vjedhur, etj.
- Pijet gjitha janë të lejuara, përveç:
– atyre që dehin (qoftë shumë apo pak),
– atyre që është vërtetuar dëmi i tyre,
-atyre që janë të rrezikshme e vdekjeprurëse,
– atyre që janë të fëlliqura e të pista; si alkooli, droga, duhani, helmet, gjaku, etj.
- Ka situata kur ushqimet dhe pijet e ndaluara lejohen të përdoren si; në situata të jashtëzakonshme dhe në raste frike nga vdekja, atëherë kur nuk ka asnjë mundësi të arrijë deri te ushqimi apo pija hallall. Madje, në kësi raste sipas katër imamëve të mëdhenj dhe shumicës së dijetarëve, ai detyrohet të hajë e pijë nga ato ushqime e pije haram, përndryshe llogaritet gjynahqar. Megjithatë përdorimi duhet të jetë aq sa ta mbajë gjallë në jetë dhe nuk guxon të shtojë më tepër se kaq.
Allahu thotë: “Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë gjynah dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (El Bekare, 173)
“pa dashur të bëjë gjynah”; do të thotë ai nuk jepet pas haramit kur e ka hallallin, por në këtë rast i imponohet sepse nuk e gjen hallallin.
“dhe pa e kaluar kufirin”; do të thotë nuk i tejkalon kufijtë në ngrënien apo pirjen e asaj që iu lejua në rast domosdoshmërie. Pra ai ha e pi veç aq sa ta mbajë veten gjallë në jetë.
- Xhelatina shtazore formohet nga një proteinë me emrin kolagjen. Është i butë, viskoz dhe nuk tretet në ujë. Nxirret duke u zier gjatë në ujë: eshtrat, lëkurat e indet të tjera shtazore.
Xhelatina përdoret në shumë produkte ushqimore dhe farmaceutike si në pastë, tortë, brumë ëmbëlsirash, ushqim për fëmijë, djathëra, pije, pasta për dhëmbë, pomadë, kremra, etj.
– Vendimi i Akademisë Ndërkombëtare Islame të Fik’hut:
“Lejohet përdorimi i xhelatinës që është nxjerrë nga lëndët hallall, si nga bimët e padëmshme dhe nga shtazët hallall të therura sipas rregullave të fesë.
Nuk lejohet xhelatina e nxjerrë prej lëndëve haram si lëkura e kockat e derrit, si dhe prej kafshëve dhe lëndëve tjera që ndalohen.”
- Sipas mendimit më të saktë, nuk ka dallim mes xhelatinës prej lëndës së ndaluar dhe lëndës së modifikuar që thelbin e ka prej haramit, por që ka kaluar disa procese pastrimi derisa është shndërruar në lëndë tjetër që dallon nga lënda e parë. Esenca e saj është e fëlliqur, prandaj të dyja ndalohen. Disa specialist të kësaj fushe përmendin që modifikimi nuk ndodh krejtësisht, prandaj pasi që në thelb lënda është e fëlliqur, atëherë llogaritet ashtu derisa të vërtetohet që është modifikuar realisht.
Kështu që nuk lejohet të përdoren ushqimet, pijet dhe ilaçet që përmbajnë xhelatinë të nxjerrë prej lëkurës së derrit dhe lëndëve të fëlliqura, pavarësisht a janë modifikuar apo jo, veçmas nëse ka alternativë si: xhelatina bimore apo shtazore që i ka lejuar Allahut. Prodhimi i xhelatinës nga kafshët e therura hallall është i mundshëm dhe ato e plotësojnë të njëjtin qëllim në prodhimin e ilaçeve apo ushqimeve.
- Kafshët e therura dhe mishi i importuar prej shteteve hebreje dhe të krishterë, pa qenë në dijeni për mënyrën e therjes së atyre kafshëve; llogariten fort të dyshimta shkaku i informacioneve që vijnë prej atyre vendeve se ata nuk i therin sipas rregullave të fesë islame. Madje ligjet e disa prej atyre shteteve e ndalojnë therjen sipas islamit, prandaj më e mira do ishte të kemi kujdes sa më shumë.
Nëse informohemi që ato kafshë janë mbytur me ngufatje, apo me alivanosje, apo me goditje në kokë, apo në çfarëdo lloj mënyre që nuk është islame; pa asnjë dyshim ndalohet ngrënia e atij mishi.
- Myslimani për prodhimet që dyshon se përmbajnë diçka prej haramit duhet të interesohet rreth tyre para se t’i konsumojë ato. Mund të konsultohet me profesionistët për përbërjen kimike dhe lëndët përbërëse, apo ta lexon listën e përbërësve të shënuara në ushqime dhe pije. Kjo mjafton për t’u vërtetuar, qoftë edhe në vende jomyslimane, sepse nga frika e dënimeve ligjore dhe prestigjit të kompanisë, ata në përgjithësi tregojnë saktësisht për çdo përbërje të prodhimeve të tyre.
- Nëse myslimani i largohet produkteve ushqimore dhe pijeve që dyshohet se përmbajnë diçka të ndaluar, e veçmas nëse nevoja për to është e pa domosdoshme, atëherë bën shumë mirë. Kështu e ruan veten dhe i ikën çdo dyshimi. Pejgamberi ﷺ thotë: “Ai që ruhet nga të dyshimtat, e ka ruajtur fenë dhe nderin e vet, kurse ai që bie në të dyshimtat, veçse ka rënë në haram si bariu që kullot kopenë përballë zonës së ndaluar, ku kopeja mund të bjerë në çdo çast.”[5]
Po ashtu tha: “Lëre atë që të bën të dyshosh dhe shko pas asaj që është e sigurt.”[6]
- Kush ha pa dijeni ushqim apo pi pije haram, obligohet ta lëre pjesën e mbetur, nëse ka mbetur diçka. Ndërkohë nuk detyrohet të shpaguajë gabimin e tij nëse ka bërë çmos të kuptojë të vërtetën se a ka qenë hallall apo haram. Përndryshe nëse nuk ka pasur interes të dijë të vërtetën, atëherë detyrohet t’i kërkojë falje Allahut dhe të jetë i kujdesshëm në të ardhmen.
- Udhëzimi i Pejgamberit ﷺ në ngrënie dhe pije ishte më i miri dhe më i ploti; Pejgamberi ﷺ: “nuk e refuzonte ushqimin që gjendej dhe as nuk e kërkonte atë që nuk gjendej. Çdo ushqim të mirë që i është ofruar e ka ngrënë, përveç atyre që nuk ia donte vetja, ato i linte dhe nuk i ndalonte.
Asnjëherë nuk ka sharë ndonjë lloj të ushqimit. Nëse e pëlqente e hante, e nëse jo e braktiste.
Ushqimin e mirë asnjëherë nuk e refuzonte, e as nuk e kërkonte nëse mungonte. Udhëzimi i tij është të hajë atë që gjendej. Nëse nuk kishte gjë, duronte.”[7]
- Prej edukatës së ngrënies dhe pijes është thënia në fillim “Bismilah (me emrin e Allahut”. E nëse harron ta shqiptojë, atëherë kur t’i kujtohet le të thotë: “Bismilah evvelehu ve ahirehu (me emrin e Allahut në fillim dhe në fund)”.
Omer ibn Ebi Seleme, tregon: “Isha i vogël nën përkujdesjen e Pejgamberit ﷺ, ndërsa me dorën time merrja nga të gjithë anët e pjatës. Me atë rast Pejgamberi ﷺ, më tha: ‘O ti djalosh, thuaj bismilah (me Emrin e Allahut), ha me dorën e djathtë dhe ha përpara vetes.’ Kështu sot e kësaj dite unë e zbatojë këshillën.”[8]
Me një hadith tjetër Pejgamberi ﷺ tha: “Kur ndonjëri prej juve fillon me ngrënien e ushqimit le të përmendë emrin e Allahut (të thotë bismilah), e nëse harron në fillim të përmendë emrin e Allahut le të thotë: ‘bismilahi evvelehu ve ahirehu (me emrin e Allahut në fillim dhe në fund)’ ”[9]
- Nuk është patjetër të thuhet bismilah me zë të lartë para se të fillohet me ngrënien e ushqimit. Nëse shqiptohet në vete (pra me zë të ulët) veçse është zbatuar urdhri e Pejgamberit ﷺ që të përmendet Allahu para se të fillohet me ushqim. Kushti është të lëvizën buzët dhe gjuha, edhe nëse nuk ngritet zëri.
Por më e mira është të thuhet me zë pak më të lartë, kështu t’ua kujtoje njerëzve dhe të mësohet i padijshmi.
- A lejohet të thotë “bismilah” para se të fillohet me ngrënie dikush tjetër për fëmijën e vogël që ende nuk ka filluar të fol mirë?
Dijetari Dr. Abdurrahman Beraku (Allahu e ruajttë!) thotë: “Përmende Allahun për veprimin tënd (pra thuaj bismilah për vete), e jo për veprimin e fëmijës”; pra thuaj “bismilah” kur i jep fëmijës të hajë ushqim, e jo në vend të tij kur ai e ha ushqimin.
- Edukatë tjetër është ngrënia me dorën e djathtë. Nuk lejohet ngrënia me dorën e majtë, veç në raste specifike, duke u mbështetur në hadithin e Pejgamberit ﷺ i cili tha: “Mos hani dhe mos pini me dorën e majtë, sepse shejtani ha dhe pi me të majtën e tij.”[10]
Ndërsa ai që nuk mund të hajë me dorën e djathtë për shkak sëmundjes apo operacionit, apo është me aftësi të kufizuara; nuk ka problem nëse e përdorë të majtën për ngrënie e pirje.
- Thënia “bismilah” në fillim të ngrënies e pirjes dhe ngrënia me dorën e djathtë, a janë obligim apo sunet (që pëlqehen)?
Dijetarët janë të ndarë në dy mendime: një grup dijetarësh thonë që ato janë sunet, e një grup tjetër thonë që ato janë obligim.
Më e mira për myslimanin është t’i veprojë dhe mos t’i lëre pa ndonjë arsye.
- Edukatë tjetër e ngrënies është ngrënia përpara vetes dhe anëve të enës. Pra, pëlqehet ngrënësi të hajë ushqimin që e ka përpara vetes në enë dhe nuk duhet të shtrijë dorën e të merr prej ushqimit të tjetrit, e as të merr prej në mes të enës, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit ﷺ i cili tha: “O ti djalosh, thuaj bismilah (me Emrin e Allahut), ha me dorën e djathtë dhe ha përpara vetes.”[11]
Dhe po ashtu në një hadith tjetër Pejgamberi ﷺ tha: “Bereqeti zbret në mes të ushqimit, prandaj hani anëve të enës dhe mos hani prej mesit të enës.”[12]
Rregulli vlen nëse ushqimi është një lloj, a nëse ushqimi është disa lloj dhe ngrënësi dëshiron të merr prej njërit lloj që nuk e ka përpara vetes, lejohet me lejen e Allahut.
- Edukatë tjetër është ngrënia bashkërisht dhe shtimi i numrit të duarve. Ky veprim ka rol të madh të arrihet ngopja dhe të mjaftojë ushqimi që hahet. Sahabët iu ankuan Pejgamberit ﷺ duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut! Po hamë ushqim, por nuk po ngopemi?” Pejgamberi ﷺ tha: “Ndoshta nuk uleni bashkërisht?” I thanë: “Po.” Pejgamberi ﷺ tha: “Uluni bashkërisht për të ngrënë dhe filloni me përmendjen e emrit të Allahut (filloni me bismilah), kështu do t’ju zbret bereqeti në ushqim.”[13]
Në një hadith tjetër: “Ushqimi i një personi mjafton për dy veta, ushqimi i dy personave mjafton për katër dhe ushqimi i katër personave mjafton për tetë veta.”[14]
- Edukatë tjetër është mospërbuzja e ushqimit hallall dhe moskritika duke pakësuar nga vlera e tij. Ebu Hurejra thotë: “Asnjëherë Pejgamberi ﷺ nuk përbuzi ndonjë ushqim. Nëse i pëlqente e hante, e nëse jo thjesht e linte.”[15]
Nëse qëllimi i tij është qortimi se nuk ka kripë mjaftë, ose kërkon që të piqet më tepër nëse nuk ka qenë i pjekur mirë, atëherë nuk ka problem.
- Prej udhëzimit të Pejgamberit ﷺ ishte ngrënia duke qëndruar i ulur në tokë. Në këtë mënyrë shfaqej modestia dhe asketizmi i Pejgamberit m në dynja.
Nuk ka asnjë pengesë të hahet ushqimi në tavolinë apo në ndonjë vend të lartë.
- Nuk duhet të përdoren fleta të gazetave apo revistave fetare për të ngrënë ushqim mbi to. Në përgjithësi ato përmbajnë ajete kuranore apo përmendet në to emri i Allahut dhe Emrat e Tij të Bukura. A nëse nuk ka ajete apo hadithe, atëherë nuk është problem të vendoset ushqimi mbi to.
- Ndalohet ngrënia apo pija në enë prej arit dhe argjendtit. Pejgamberi ﷺ tha: “Mos pini e mos hani në enë dhe pjata prej arit e argjendit, sepse ato janë për jobesimtarët në dynja, e për juve në ahiret.”[16]
Në hadith tjetër Pejgamberi ﷺ tha: “Kush pi në enë prej arit apo argjendit, atij i gurgullon zjarr Xhehenemi në barkun e tij.”[17]
- Edukatë tjetër është mosmbështetja gjatë ngrënies.
Pejgamberi ﷺ tha: “Unë nuk ha i mbështetur.”[18]
Domethënia gjithëpërfshirëse e mbështetjes që preferohet të mos veprohet është çdo ulje ku ngrënësi qëndron rahat dhe i shtrirë, ngase kjo e ndihmon edhe më tepër të hajë. Ulja e tillë qortohet fetarisht. Këtu përfshihet ulja këmbëkryq, apo mbështetja në njërën dorë duke e përdorur dorën tjetër për ngrënie, apo mbështetja anësh.
- Forma e uljes që preferohet gjatë ngrënies është të ulet në gjunjë e të mbështetet në thembrat e këmbëve, apo të ulet në gjunjë e të mbështetet në shputën e këmbëve, apo të ulet në këmbën e majtë e të mbështetet në këmbën e djathtë.
- Nëse ha me dorë, pëlqehet të hajë me tre gishta (gishtin e madh, tregues dhe të mesëm), a nëse i nevojitet të ha me më shumë se tre gishta, nuk është problem.
Nuk ka pengesë të përdoret luga, piruni, etj.
Kab ibn Malik tregon: “Pejgamberi ﷺ hante me tre gishta dhe i lëpinte ato para se ta fshijë dorën.”[19]
- Pas ngrënies së ushqimit, para se të fshihet dora me pallomë apo të lahet, pëlqehet të lëpihen gishtat dhe sahani.
Pejgamberi ﷺ thotë: “Nëse hani diçka nga ushqimi, mos e fshini dorën derisa ta lëpini atë apo t’ua lëpijnë të tjerët atë.”[20]; do të thotë nëse ai nuk e lëpin vet, mundet të tjerët t’ia lëpijnë dorën, si gruaja apo fëmija, nëse kjo gjë nuk iu pengon.
Enesi tregon: “Pejgamberi ﷺ pasi që e përfundonte ushqimin i lëpinte tre gishtat e tij dhe thoshte: ‘Nëse ndonjërit i bie kafshata në tokë, mund ta merr e ta largon të ndytën prej saj (nëse është ngjitur në të diçka apo e ka prekur gjë prej tokës) dhe më pas ta ha, që mos t’ia le atë shejtanit.’; si dhe na urdhëroi të mos lëmë gjë prej ushqimit që ka mbetur në pjatë, po ta hamë atë: ‘Sepse ju nuk e dini në ç’pjesë të ushqimit gjendet bereqeti.’ ”[21]
- Pëlqehet pasi të përfundohet me ushqimin dhe pijen, të falënderohet Allahu me cilëndo formë që ka ardhur në sunetin profetik. Po ashtu pëlqehet laramania në përdorimin e formave të falënderimit, të vihet me një formë e herën tjetër me formë tjetër, që në këtë mënyrë të arrihet bereqeti nga gjitha format e shprehura dhe të përkujtohen domethëniet e saj.
Nëse thuhet veç “elhamdulilah (falënderimi i takon Allahut) mjafton me lejen e Allahut.
Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu kënaqet me robin i cili pasi që e ha ushqimin e falënderon Allahun për dhuntinë e ushqimit, apo pasi që e pi pijen e falënderon Allahun për dhuntinë e pijes.”[22]
- Janë disa forma të falënderimit të Allahut pas ngrënies së ushqimit dhe pijes, e prej tyre përmendim:
“E falënderojmë Allahun me Falënderime të shumta, të mira dhe bekuara (të cilat janë të pamjaftueshme), Falënderime të pandërprera, për të cilat kemi nevojë për to, o Zoti ynë.”[23]
“Falënderimi i takon Allahut, i Cili ma mundësoi ta ha këtë ushqim dhe më furnizoi pa mundin dhe fuqinë time.”[24]
“Falënderimi i takon Allahut, i Cili ma mundësoi ta ha këtë ushqim dhe pije, ta kapërdijë lehtë dhe i bëri atij rrugëdalje prej trupit.”[25]
- Pëlqehet pas ngrënies së ushqimit të bëhet dua për bereqet. Po edhe nëse e bën para ushqimit nuk është problem duke u mbështetur në hadithin: “Nëse ndonjëri prej juve ha ushqim, le të thotë: ‘O Allah, na beko në këtë ushqim dhe na ushqe me ushqim më të mirë se ky. E nëse pi qumësht, le të thotë: ‘O Allah, na beko në këtë qumësht dhe na e shto, sepse nuk ka ushqim dhe pije që mund të zëvendësojë e të jetë i barabartë me qumështin.”[26]
- Pëlqehet pirja ulur dhe urrehet pirja në këmbë pa pasur nevojë. E njëjta vlen edhe për ngrënien sipas disa dijetarëve, të cilët thonë që lejohet ngrënia në këmbë veç në rast nevoje. Nevoja e shfuqizon urrejtjen si dispozitë.
Megjithatë më e mira për myslimanin është të hajë dhe të pijë veçse ulur. Kjo është pozitë më e rehatshme, më e mirë për tretjen dhe më e shëndetshme për trupin.
- Pëlqehet pirja me tri frymë (d.m.th. me tri gllënjka). Po edhe nëse pi me një frymë nuk është problem.
Enesi tregon që Pejgamberi ﷺ e piu ujin me tri frymë dhe tha: “Kështu e largon më mirë etjen, është më e shëndetshme dhe më mirë tretet.”[27]
- Urrehet me nxjerrë frymëmarrjen brenda enës, edhe nëse e përdor atë enë veç një person. Kjo është më higjienike. Ka mundësi që nëpërmjet frymëmarrjes të del pështymë apo jargë, e të barten mikrobe dhe pija të merr erë të keqe. Më pas ai vet apo tjetri gërditet me pi prej asaj ene.
Pejgamberi ﷺ thotë: “Kur ndonjëri prej jush pi, mos ta nxjerrë frymëmarrjen në enë.”[28]
- Urrehet fryrja në ushqim apo pirje, qoftë për të larguar diçka të ndytë, apo për të ftohur ushqimin apo pijen e nxehtë. Në përgjithësi fryrja me vete bartën edhe pështymë që njeriu gërditet më pas të pijë apo hajë prej asaj ene.
Pejgamberi ﷺ ndaloi të fryhet në ushqim dhe pije.[29]
- Disa dijetarë i veçuan ca raste dhe thanë: nuk është problem nëse ekziston nevoja të fryhet në ushqim si në rastin kur pija është e nxehtë dhe njeriu e ka të vështirë të presë të ftohet. Po nëse pijen e nxehtë e hedh prej një ene në enë tjetër, e më pas e kthen në enën e parë, që më shpejtë të ftohet, është më e mirë se të fryhet në të.
- Urrehet të pihet prej fytit (grykës) së shishes. Nëse shishen e përdorë veç një person dhe është i sigurt në përdorimin e saj si nga plasaritja apo e çara, atëherë nuk është problem.
Ebu Hurejra dhe Ibn Abasi thanë që Pejgamberi ﷺ ndaloi të pihet prej fytit (grykës) të shakullit[30].
Shakulli është enë që përdoret për mbajtjen e ujit, ka grykë që pihet prej saj.
- Thënia “gëzuar” që ia thonë njëri tjetrit gjatë tubimeve për të pirë lëngje, nuk duhet me qenë në fjalorin e myslimanit. Bile shprehjet e tilla ndalohen, sepse në përgjithësi i përdorin pirësit e alkoolit kur tubohen për të pirë alkool dhe raki. Myslimani çdoherë qëndron mënjanë gjërave që ngjasojnë me ta.
- Edukatë tjetër e ushqimit dhe pijes është mosteprimi me ngrënie dhe mosmbushja e barkut.
Pejgamberi ﷺ tha: “Nuk ka mbushur i biri Ademit enë më të keqe se barkun e tij. Atij i mjaftojnë disa kafshata për ta mbajtur veten. Po nëse i duhet më tepër, atëherë një të tretën e lukthit ta lërë për ushqimin, një të tretën për pirje dhe një të tretën për ajër.”[31]
Në hadith tjetër Pejgamberi ﷺ tha: “Besimtari ha me një zorrë (kënaqet dhe ngopet me pak), ndërsa jobesimtari ha me shtatë zorrë (nuk kënaqet dhe nuk ngopet me pak).”[32]
- Mjekët këshillojnë që të mos futet në lukth kafshatë pas kafshatës para se të tretet ushqimi si duhet në lukth.
Nuk dihet që ka ardhur ndonjë hadith prej Pejgamberit ﷺ që e ndalon futjen e kafshatës pas kafshatës. Këto këshilla dhe paralajmërime janë prej fjalëve të mjekëve.
- Epshi i barkut është dëmtuesi më i madh dhe sebepi i shumë zarareve e sëmundjeve të zemrës dhe trupit. Atë e ndjek epshi i organit, e më pas dëshira për pozitë dhe pasuri për t’i realizuar këto dy dëshira epshore. Prej tyre lindin sëmundjet e zemrës si syefaqësia, zilia, mburrja dhe mendjemadhësia shkaku i i angazhimit me dynja. Arabët në të kaluarën thoshin: “Lukthi është shtëpia e sëmundjeve, ndërsa dieta koka e ilaçit.”
- Myslimani është urdhëruar të ketë baraspeshë, drejtësi dhe përafrim në të gjitha çështjet e tij, pa e tepruar dhe pa heqë dorë. Feja islame është mesatare mes dy ekstremeve, teprimit dhe shkujdesjes.
Myslimani nuk e tepron me përdorimin e gjërave të lejuara (si ushqimin dhe pijen) deri në atë gradë saqë zhytet në to, po edhe në anën tjetër nuk e privon veten nga mirësitë që Allahu ia lejoi, deri në atë gradë saqë heqë dorë prej tyre
Allahu thotë: “Dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes.” (El Furkan, 67)
Po ashtu Allahu thotë: “Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (El Earaf, 31)
- Teprimi në ushqim dhe pije vjen kur tejkalohet kufiri dhe tradita.
“Teprimi vjen kur shton mbi sasinë e mjaftueshme dhe kur nuk ngopesh duke ngrënë ushqime që e dëmtojnë trupin.
Apo vjen kur shton në luks dhe kur zgjerohesh në ushqime, pije dhe veshje.
Apo kur e tejkalon kufirin e hallallit dhe kalon në haram.
Fjalët e Allahut: “ …se Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (El Earaf, 31) tregojnë që Allahu e urren atë që e tepron. Teprimi në ushqime dhe pije e dëmton trupin dhe jetesën e njeriut, deri në atë gradë saqë e bën njeriun të paaftë për shpenzimet që detyrohet t’i realizojë.
Ky ajet fisnik e shfaqë urdhrin për të ngrënë e pirë dhe ndalesën e heqjes dorë nga to, si dhe ndalesën e teprimit me to.”[33]
- Nuk ka problem nëse njeriu ha më tepër se një shujtë brenda ditës, ngase në thelb nuk llogaritet teprim. Teprimi vjen kur njeriu ha tepër deri sa të mbingopet, qoftë edhe me një shujtë.
- Prej falënderimit të Allahut për dhuntinë e ushqimit dhe pirjes janë: harxhimi racional, gatimi apo blerja prej restoranteve të jetë sipas nevojës, ushqimi që tepron të ruhet në frigofer, apo të jepet sadaka, apo t’ju hedhet kafshëve dhe shpendëve, e për këtë veprim të shpresojmë në shpërblimin e Allahut.
E lusim Allahun të na japë sukses në atë që Ai e do dhe Atë e kënaq, dhe të na ndihmojë ta përmendim, ta falënderojmë dhe ta adhurojmë sa më mirë.
Amin!
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Muhamed el Munexhidi
Nga arabishtja: Irfan Jahiu
[1] Buhariu (1), Muslimi (1907).
[2] Buhariu (4341), Muslimi (1733).
[3] “Tefsir Bagaviu” (3/100), “Tefsir Ibn Kethir” (3/197).
[4] Te shumica e dijetarëve, thënia “Bismilah” para therjes është sunet, e nuk është kusht. (sh.p.)
[5] Buhariu (52), Muslimi (1599).
[6] Tirmidhiu (2018), Nesaiu (5711), Albani e vlerësoi hadithin të saktë.
[7] “Zadul Mead”, Ibn el Kajimi (1/142).
[8] Buhariu (3576), Muslimi (2022).
[9] Ebu Davudi (3767), Tirmidhiu (1858), Ibn Maxhe (3264), Albani e vlerësoi hadithin të saktë.
[10] Muslimi (2020).
[11] Buhariu (3576), Muslimi (2022).
[12] Tirmidhiu (1805), Ibn Maxhe (3277), Albani e vlerësoi hadithin si të saktë.
[13] Ebu Davudi (3764), Ibn Maxhe (3286), Albani e vlerësoi hadithin si të mirë në “Es Sahiha” (664).
[14] Muslimi (2059).
[15] Buhariu (3370), Muslimi (2046).
[16] Buhariu (5426), Muslimi (2067).
[17] Buhariu (5634) po te transmetimi i tij nuk gjendet fjala “ari”, Muslimi (2065).
[18] Buhariu (5398).
[19] Muslimi (2032).
[20] Buhariu (5456), Muslimi (2031).
[21] Muslimi (2034).
[22] Muslimi (2734).
[23] Buhariu (5458) (përkthim prej te Mburoja e myslimanit).
[24] Tirmidhiu (3458), Ibn Maxhe (3285), Albani e vlerësoi hadithin si të mirë (përkthim prej te Mburoja e myslimanit).
[25] Ebu Davudi (3851), Albani e vlerësoi hadithin si të saktë.
[26] Ebu Davudi (3730), Tirmidhiu (3455), Ibn Maxhe (3222), Albani e vlerësoi hadithin si të mirë në “Es Sahiha” (2320).
[27] Muslimi (2028).
[28] Buhariu (153), Muslimi (267).
[29] Ahmedi (2817), Albani e vlerësoi hadithin si të saktë në “Sahih el Xhami’ ” (6913).
[30] Buhariu (5628, 5629).
[31] Tirmidhiu (2380), Ibn Maxhe (3349), Albani e saktësoi hadithin.
[32] Buhariu (5393), Muslimi (2060).
[33] “Tefsir Sadij” (fq. 287).
Nxirret duke u zier gjatë në ujë: eshtrat, lëkurat e indet të tjera shtazore.