
PËRKUJTUESIT E ALLAHUT JANË QË PARAPRIJNË
Dhikri është më i madhi dhe shpërblimin e ka të madh, kurse ata që e përmendin Allahun do të paraprijnë në Ditën e Kiametit.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të ketë thënë: “Ua tejkaluan ‘el-Muferidun’.” Thanë: “O i Dërguari i Allahut, po kush janë ata?” U përgjigj: “Ata dhe ato që shumë dhe në vazhdimësi e përmendin Allahun.”[1]
Me fjalën “el-muferidun” në hadith për qëllim janë ata dhe ato që e përmendin Allahun shumë. Kështu e komentoi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Ata dallohen dhe veçohen nga moshatarët dhe shokët e tyre me arritjen e gradave të larta me përmendjen e shpeshtë të Allahut.
“El-muferid” i thuhet atij i cili veçohet dhe dallohet me mendimin e tij.
Thuhet për një njeri se veçohet, kur ai mëson dhe vetmohet nga njerëzit dhe tërhiqet duke e respektuar urdhrin dhe ndalesën.[2]
Ibn Rexheb, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ajo që duket më e saktë është se me fjalën “veçim” këtu nënkuptohet veçimi me këtë vepër, pra me përmendjen e shumtë të Allahut, e jo veçimi fizik, pra vetmia dhe distancimi nga njerëzit dhe shokët.”[3
Dr. Muhamed Salih el Munexhidi
Nga arabishtja: Irfan Jahiu
(Pjesë nga libri i përkthyer në gjuhën shqipe: DOMETHËNIET DHE KUPTIMET E DHIKRIT)
[1] Muslimi (2676).
[2] En-Nihaje (3/425).
[3] Xhamiu el-Ulumi uel Hikem (2/512).