
MIRËSIA ÇDOHERË E JEP FRYTIN E SAJ
Rrëfehet për një mbret në të kaluarën se kishte vendosur që t’i japë dhuratë 400 dinarë çdokujt që e thotë një fjalë të mirë.
Kështu që një ditë mbreti del me ushtarët e vet nëpër qytet dhe e takon një bujk nëntëdhjetëvjeçar i cili ishte duke e mbjellë një pemë ulliri.
Mbreti i tha: “Përse po e mbjell këtë pemë ulliri kur asaj i duhet njëzet vjet që ta japë frytin e saj, ndërsa ti je nëntëdhjetëvjeçar dhe exheli të është afruar?!”
Bujku plak u përgjigj: “Ata që jetuan para nesh mbollën pemë që ne sot po i shfrytëzojmë frytet e tyre, prandaj edhe ne sot duhet të mbjellim pemë që pasardhësit tanë t’i korrin frytet e tyre.”
Mbreti tha: “Fole mirë! Kjo është fjalë e mirë dhe urdhëroi që t’i jepen 400 dinarë si shpërblim.”
Bujku plak e mori shpërblimin dhe buzëqeshi.
Mbreti i tha: “Pse buzëqeshe?”
Bujku u përgjigj: “Pema e ullirit jep frytin e vet pas njëzet viteve, kurse pema ime e dha frytin e saj tash.”
Mbreti tha: “Fole mirë! Jepjani edhe 400 të tjera.”
Bujku i mori dhe buzëqeshi përsëri!
Mbreti i tha: “Pse buzëqeshe?”
Bujku u përgjigj: Pema e ullirit jep frytin e saj një herë në vit, kurse pema ime e dha dy herë frytin e saj.
Mbreti tha: “Fole mirë! Jepjani edhe 400 të tjera dhe mbreti u largua me shpejtësi”
I habitur komandanti i ushtrisë i tha: “Përse ike me shpejtësi prej bujkut?”
Mbreti iu përgjigj: “Nëse do të kisha qëndruar deri në mëngjes me bujkun, thesaret e mbretërisë do të shtereshin, kurse fjalët e bujkut nuk do të shtereshin!”
“Mirësia çdoherë e jep frytin e saj”
Nga arabishtja: Irfan JAHIU