
LIDHJA E DHIKRIT ME IBADETET ËSHTË MË E FORTA
Dhikri është zemra e nënshtrimeve dhe thelbi i ibadeteve. Po ashtu është themeli i shumë detyrimeve dhe riteve të dukshme.
Në raport me ibadetin, dhikri vjen para ibadetit si përgatitje për ta filluar atë, vjen bashkë me ibadetin si pjesë e veprave dhe shtyllave të tij dhe vjen pas kryerjes së ibadetit si përfundim i tij.
Për shembull: Namazit i paraprin dhikri me thirrjen e ezanit, dhikri i shkuarjes për në xhami dhe dhikri i hyrjes në xhami. Kjo për të qenë namazfalësi i lidhur me Allahun dhe parapërgatitje për të hyrë në namaz.
E ngjashme është me agjërimin. Allahu thotë: “… Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare: 185)
Po ashtu haxhi; nisja e tij është përkujtim i Allahut dhe publikim i teuhidit (njësimit të Allahut), përgjigje e thirrjes së Zotit të Tokës dhe qiejve. Tavafi (rrotullimi rreth Qabesë) dhe saji (ecja mes kodrës Safa dhe Merva) janë dhikër, tekbir dhe tehlil. Gjuajtja e guralecëve është ligjëruar pikërisht për ta përkujtuar Allahun. Dhe në fund të haxhit këshillohemi ta përmendim Allahun: “Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendeni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër!…” (El-Bekare: 200)
Po ashtu në xhihad jemi të urdhëruar me dhikër: “O besimtarë, kur të ndesheni me ndonjë forcë armike, qëndroni të patundur dhe përmendeni shumë Allahun që të fitoni.” (El-Enfal: 45)
Dr. Muhamed Salih el Munexhidi
Nga arabishtja: Irfan Jahiu
(Pjesë nga libri i përkthyer në gjuhën shqipe: DOMETHËNIET DHE KUPTIMET E DHIKRIT)