
DHIKRI SJELL SHPËRBLIME PA KUFIJ
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të ketë thënë: “Kush thotë pas çdo namazi 33 herë subhanallah (i lavdëruar qoftë Allahu); 33 herë elhamdulilah (falënderimi i takon vetëm Allahut); dhe 33 herë Allahu ekber (Allahu është më i Madhi); 99 në tërësi dhe e plotëson të 100 me fjalën la ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike lehu, lehu el Mulku, ve lehu el Hamdu, ve huve ala kul-li shej’in kadir (Nuk ka hyjni që meriton të adhurohet përveç Allahut, të Vetëm e i Parival. Atij i takon Sundimi dhe Lavdërimi dhe Ai është i Gjithëfuqishëm mbi çdo gjë); i fshihen gjynahet edhe po të ishin sa shkuma e detit.”[1]
Kjo nënkupton se dhikri është shkak që Allahu njeriut t’ia fshijë dhe t’ia falë gjynahet, edhe po të ishin ato sa shkuma e detit.
Shkuma e detit është shtresa e bardhë që formohet mbi sipërfaqen e ujit gjatë dallgëve të detit.[2]
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të ketë thënë: “Të them: subhanallah, elhamdulilah, la ilahe il-lallah, vAllahu ekber; është më e dashur për mua se çdo gjë tjetër mbi të cilën lind dielli.”[3]
Thuhet: “Ekziston mundësia që kuptimi i hadithit të jetë; këto fjalë janë më të dashura për mua se ta posedoj krejt dynjanë dhe ta jap atë sadaka. Kjo nënkupton që shpërblimi për shqiptimin e këtyre fjalëve është më i madh se shpërblimi i dhënies sadaka të krejt dynjasë.”[4]
[1] Muslimi (597).
[2] Mirkatul Mefatih (4/54).
[3] Muslimi (2695).
[4] Tuhfetul Ehvedhij (10/40).
Dr. Muhamed Salih el Munexhidi
Nga arabishtja: Irfan Jahiu
(Pjesë nga libri i përkthyer në gjuhën shqipe: DOMETHËNIET DHE KUPTIMET E DHIKRIT)