[There are no radio stations in the database]

DHIKRI ËSHTË QETËSI DHE REHATI

Allahu thotë: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Er-Rad: 28)

Ky lajmërim vjen prej Allahut për besimtarët se zemrat e tyre qetësohen me përmendjen e Allahut. “Kjo nënkupton që prej zemrës largohet mërzia e telashet dhe i vijnë gëzimi dhe kënaqësia. Nuk meriton që zemra të qetësohet me diçka tjetër jashtë përmendjes së Allahut. Për zemrën nuk ka gjë më të ëmbël dhe më të këndshme se dashuria për Krijuesin e saj, vetmimi me Të dhe njohja e Tij. Zemra e përkujton Allahun, aq sa e njeh Allahun dhe e do Atë.”[1]

“Qetësimi vjen kur zemra e gjen qetësinë e saj në diçka, nuk shqetësohet dhe nuk mërzitet. Prej këtu vjen gjurma e njohur: ‘Vërtetë sinqeriteti është qetësi, ndërsa gënjeshtra është dyshim.’[2] Do të thotë që zemra e dëgjuesit qetësohet kur e dëgjon sinqeritetin dhe ndien qetësi me të, ndërsa gënjeshtra ia detyron zemrës shqetësimin dhe dyshimin. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: ‘Mirësi është ajo me të cilën qetësohet zemra.’[3] Do të thotë që zemra qetësohet me atë gjë, e prej saj e largon shqetësimin dhe mërzinë.”[4]

Ebu Hurejra dhe Ebu Seid el-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, dëshmojnë për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të ketë thënë: “Nuk ulet një popull në një tubim ku përmendet Allahu, përveçse e rrethojnë melekët, e mbulon mëshira e Allahut, zbret mbi ta qetësia dhe e përmend Allahu te banorët e qiejve (melekët).”[5] 

 

Dr. Muhamed Salih el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

(Pjesë nga libri i përkthyer në gjuhën shqipe: DOMETHËNIET DHE  KUPTIMET E DHIKRIT)

 

[1] Tefsir es-Sa’dij (fq. 417).

[2] Shënon Tirmidhiu (2518), prej el-Hasan ibn Alij dhe zinxhiri përfundon te Pejgamberi, lavdërimi paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të. Shejh Albani e vlerëson të saktë.

[3] Ahmed (17288), shejh Albani e vlerësoi të mirë në Sahih et-Tergib ue et-Terhib (1734).

[4] Medarixh es-Salikin (2/479-480).

[5] Muslimi (2700).


[There are no radio stations in the database]