
DËSHMI E PAKONTESTUESHME
Më herët rruga ime ishte ajo e gjynahut dhe e zhveshjes. Mendoja se kjo është dera e lumturisë dhe pavarësisë personale, mirëpo më vonë kuptova se kjo qenka rruga e të devijuarve nga rruga e Allahut. Kur një myslimane ndjek këtë rrugë, realisht ajo shkon pas tyre e verbëruar dhe e dehur prej dëshirave të epsheve, deri në atë gradë, saqë, nëse ata futen në vrimën e hardhucës, edhe ajo do të shkojë pas tyre.
Në vazhdim po sjell dëshminë e një intelektuali jomysliman, përkatësisht të një mjeku francez specialist kirurg obstetër – gjinekolog, i cili thotë: “Shumica e sëmundjeve seksuale, për të cilat shpeshherë ankohemi, pikënisjen e kanë te përzierja e palejuar mes burrave dhe grave. Nëse i kthehemi esencës së problemit, gjejmë se shkaktari është vetë burri dhe gruaja. Ata dy braktisën virtytin e turpit që Allahu e mbolli në shpirtin e të dyve, veçanërisht në dozë më të madhe te gruaja. Gruaja, pasi e braktisi turpin duke e kundërshtuar natyrën e saj njerëzore, zgjodhi të vishet me rroba që ia zbulojnë pjesët joshëse të trupit. Kështu, u përhap sprova në shoqëri dhe me të më vonë u përhapën edhe sëmundjet. Gruaja patjetër duhet të vishet me rroba dëlirësie, që e ruajnë dinjitetin dhe nderin e saj, pavarësisht ndryshimit të kohëve dhe ndryshimit të llojeve të rrobave. Rrobat e njerëzisë, që i vishte gruaja në shekujt e mesëm, janë po të njëjtat rroba që i vishte gruaja e pamarre në shekujt e hershëm. Rrobat e njerëzisë, që gruaja i vesh sot, janë po të njëjtat rroba që i vishnin gratë e pamarre në shekujt e mesëm. Në fillim gruaja e mbulonte fytyrën me leckë të trashë dhe e mbulonte gjithë trupin e saj. Ndërkaq, gratë e pamarre në ato kohë vendosnin një leckë të tejdukshme në fytyrat e tyre, që t’u duket fytyra, ndërsa trupin e mbulonin me rroba. Pas një kohe erdhën disa gra të pamarre që rrobat e tyre të gjata i shkurtonin në një pëllëmbë mbi ashtin e këmbës, derisa të vijë një kohë tjetër, ku kjo veshje llogaritej veshja njerëzore e grave, ndërsa të pamarret në këtë kohë nisën t’i zbulojnë krahët dhe diçka nga gjoksi i tyre. Kështu vazhdoi gjeneratë pas gjenerate derisa të ndershmet sot i veshin rrobat e atyre grave, që llogariteshin të pamarre në kohët e kaluara.”[1]
Për ne kjo dëshmi ka vlerë të madhe, jo për shkak se buron prej një personi me vlerë ose që dëshmia e tij nuk refuzohet, por për shkak se buron prej një personi që vjen nga rrethi i asaj shoqërie, e cila e përjetoi lirinë dhe braktisjen e fesë, mbulesës dhe virtytshmërisë.
Dr. Muhamed ed Duvejshi
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
(Pjesë nga libri: “E TILLË ISHTE JETA IME (Memoaret e një vajze)” – i përkthyer në gjuhën shqipe)
[1] “Për hir të lirisë reale të gruas” (f. 149-150), përcjellë nga revista “El Muxhtema” (738).