
JI I BUTË KUNDREJT GABIMEVE TË GRUAS
– Në kuadër të këtij mësimi përfshihen tri hadithe:
HADITHI I PARË
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë asaj:
– “Unë e di kur je e kënaqur me mua dhe kur je e zemëruar ndaj meje.”
– Si e di këtë? – e pyeta.
– Kur ti je e kënaqur me mua, më thua: “Jo, për Zotin e Muhamedit!” E, kur je e zemëruar, më thua: “Jo, për Zotin e Ibrahimit!” – më tha Pejgamberi ﷺ.
– Betohem në Allahun se ashtu është, o i Dërguari i Allahut. Thjesht unë nuk e përmend emrin tënd, – i thashë.[1]
– Komentimi i përgjithshëm i hadithit
Pejgamberi ﷺ në këtë hadith i tregoi Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) sa i vëmendshëm ishte për bashkëshoqëruesen e tij. Ai e dinte kur ajo ishte e kënaqur dhe e zemëruar me të. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kërkoi sqarim prej tij se si e kuptonte këtë gjë e Pejgamberi ﷺ ia bëri me dije se vetëm me një fjalë që ajo e shqiptonte, i dallonte ndjenjat e saj. Kur ajo i shqiptonte fjalët: “Jo, për Zotin e Muhamedit!”, e kuptonte që ishte e kënaqur me të, e, kur i shqiptonte fjalët: “Jo, për Zotin e Ibrahimit!”, e kuptonte që ishte e zemëruar me të. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i pohoi fjalët e tij dhe sqaroi se ia kishte frikën Allahut të mos gabonte gjë kundrejt burrit të saj që e dashuronte shumë, prandaj, kur zemërohej me të, të vetmen gjë që e bënte ishte se gjatë betimit nuk ia përmendte emrin.
– Mësime profetike që përfitohen prej hadithit
- Burri, për të kuptuar gruan se a është e kënaqur apo jo me të, duhet të vëzhgojë sjelljet dhe fjalët e saj. Në këtë mënyrë e kupton si t’i qaset bisedës me gruan. Fatkeqësisht shumë nga bashkëshortët e neglizhojnë këtë realitet, gjë që më vonë ndikon në masë të madhe në krijimin e mosmarrëveshjeve bashkëshortore e ka raste që përfundojnë edhe me shkurorëzim.
- Supozohet t’u ketë bashkëngjitur edhe ndonjë reagim tjetër shqiptimit të fjalëve “Jo, për Zotin e Muhamedit!” kur ishte e kënaqur dhe fjalëve: “Jo, për Zotin e Ibrahimit!” kur ishte e zemëruar, por nuk është transmetuar.[2]
Besoj që qëllimi është te spikatja dhe emocionet e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) gjatë shqiptimit të dy shprehjeve. Kur ishte e kënaqur, e shprehte butë dhe qetë, ndryshe kur ishte e zemëruar, që e shprehte në formë tjetër. Allahu e di më së miri!
- Kur Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) zemërohej, nuk i shkelte normat në sjellje e fjalor, por thjesht e përmendte emrin e pejgamberit Ibrahim n (që llogaritet babai i pejgamberëve) në vend të Pejgamberit ﷺ, ndërkohë dihet se Pejgamberi ﷺ ishte më meritor për t’u thirrur në Ibrahimin, ashtu si lajmëroi Kurani: “Njerëzit më me meritë për t’u thirrur në Ibrahimin, ishin ata që e ndoqën atë (besimin e tij) dhe ky Pejgamber (Muhamedi ﷺ)…” (Ali Imran, 68) Në këtë mënyrë shpresonte t’i tregonte për ndjenjat e saj e jo më shumë.[3]
- Veçimi i përmendjes së Ibrahimit n pa i përmendur pejgamberët e tjerë dëshmon mendjemprehtësinë dhe zgjuarsinë e saj, sepse Pejgamberi ﷺ ishte më me meritë për t’u thirrur në Ibrahimin ashtu si lajmëroi Allahu: “Njerëzit më me meritë për t’u thirrur në Ibrahimin, ishin ata që e ndoqën atë (besimin e tij) dhe ky Pejgamber (Muhamedi ﷺ)… ” (Ali Imran, 68)[4]
- Fjalët “Betohem në Allahun se ashtu është, o i Dërguari i Allahut” janë pohim, ndërsa fjalët: “Thjesht unë nuk e përmend emrin tënd” janë arsyetim i mrekullueshëm. Kjo tregon mendjemprehtësinë dhe mençurinë e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!).
- Fjalët “Thjesht unë nuk e përmend emrin tënd” tregojnë se e shmangu vetëm përmendjen e emrit të Pejgamberit ﷺ, por zemra e saj ishte e mbushur me dashuri për të.
Imam Tibi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ky është kulmi i ngrohtësisë shpirtërore, sepse ajo e lajmëroi që në kulmin e zemërimit dashurinë e mban të plotë dhe të pastër për burrin e saj, ndërkohë që zakonisht dihet se gjatë zemërimit të madh njeriut i rrëmbehet mendja dhe nuk di se çfarë flet ose vepron. Ndërkaq, me largimin e emrit të tij, ajo hapur e njoftoi që është e zemëruar me të, edhe pse largimi i emrit të tij i jep dhembje në shpirt, por s’ka zgjidhje tjetër.[5]
- Pejgamberi ﷺ e shfaqi butësinë e tij dhe nuk e qortoi Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kur ajo qëllimshëm nga zemërimi nuk ia përmendi emrin, edhe pse ishte zotëria i njerëzimit.
- Dy bashkëshortët duhet të rikujtojnë një fakt me rëndësi: nëse gjatë zemërimit njëri nga bashkëshortët nuk ia përmend emrin tjetrit, kjo gjë është e natyrshme dhe nuk qortohet për këtë veprim.
- Gjatë momenteve të zemërimit, nëse burri i drejtohet gruas me fjalët: “Oj ti grua!” ose të ngjashme me to, nuk pakësojnë vlerat e gruas. Gruas i pakësohet vlera dhe i përbuzet dinjiteti kur burri asnjëherë ose në shumicën e rasteve nuk e thërret me emër, pavarësisht a është në gjendje zemërimi apo jo.
- Kur burri dhe gruaja thirrin njëri-tjetrin me emra ose llagape, kjo ndikon me të madhe në shtimin dhe vazhdimin e dashurisë mes tyre.
- Kur burri dhe gruaja thërrasin njëri-tjetrin me emra ose llagape në momentet e zemërimit, kjo ndikon që zemërimi të përfundojë sa më shpejt dhe të kthehet qetësia mes tyre.
- Fjalët e Pejgamberit ﷺ “E, kur je e zemëruar” tregojnë se edhe gruaja zemërohet sikurse burri dhe ajo ka të drejtë të zemërohet. Ajo është njeri si burri. Gabojnë ata që mendojnë se gruaja karakterizohet nga durimi dhe përmbajtja e gjuhës përgjatë gjithë jetës.
- Gruaja ka të drejtë të zemërohet, por kjo nuk do të thotë se ajo ka të drejtë të lëshojë frerin e t’i tejkalojë kompetencat duke i harruar të drejtat e burrit që bien mbi të, si: respektin dhe mirësjelljen. Sa për shembull në këtë pikë e kemi vetë rastin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila, kur zemërohej, e shmangte vetëm përmendjen e emrit të Pejgamberit ﷺ.
- Mospërmendja e emrit gjatë zemërimit llogaritet nga veprimet e lejuara.
- Artikulimi i mrekullueshëm nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për gjendjen e saj shpirtërore tregon mendjemprehtësinë dhe virtytet e saj të larta.
- Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u përgjigjej pyetjeve me korrektësi dhe çiltërsi duke shfaqur guxim, shije e butësi.
- Hadithi e paraqet sjelljen e mirë të burrit me gruan dhe bashkëbisedimin e këndshëm mes bashkëshortëve.
HADITHI I DYTË
Kasim ibn Muhamedi tregon se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ah, ç’po më dhemb koka!” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Nëse ndodh kjo (të vdesësh) duke qenë unë gjallë, unë kërkoj falje dhe lutem për ty.”
Aishja tha: “Oh, çfarë sprove! Pasha Allahun, unë mendoj se ti dëshiruake që unë të vdes. Po të ndodhte kjo, ti do të vazhdoje në fund të ditës të hyje dhëndër te ndonjë nga gratë e tua.” Atëherë Pejgamberi ﷺ i tha: “Në të vërtetë, edhe mua po më dhemb shumë koka! Unë desha të dërgoja dikë tek Ebu Bekri dhe djali i tij e të caktoja kalifin (në vendin tim), që njerëzit të mos flasin e lakmitarët të mos lakmojnë. Allahu refuzon (dikë tjetër pos Ebu Bekrit), e edhe besimtarët.”[6]
– Komentimi i përgjithshëm i hadithit
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) iu ankua Pejgamberit ﷺ se kishte kokëdhimbje. Ai e shfrytëzoi rastin të bënte shaka me të e i thoshte se kokëdhembja mund të jetë shkak për vdekjen e saj. E, sikur të ndodhte kjo, pra, ajo të vdesë para tij, ai do t’i lutej Allahut që ta falte e ta mëshironte. Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk i erdhën mirë këto fjalë, prandaj u zemërua. Menjëherë i shkoi mendja se Pejgamberi ﷺ e dëshiruaka vdekjen e saj. Xhelozia e shtyu të mendonte edhe më larg: nëse ndodh që vërtet ajo të vdesë, ai brenda ditës do ta varroste, ndërsa natën do të shkonte të flinte te një grua tjetër! Mendonte se do ta harronte Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe çdo gjë që kishte të bënte me të sikur të mos kishte ekzistuar fare.
Më pas Pejgamberi ﷺ në mënyrë të mençur e të sinqertë e kaloi bisedën për shqetësimin e tij fizik e shpirtëror që e meritonte ankesën. Shqetësimi i tij trupor ishte kokëdhembja, që realisht doli të ishte një nga shkaqet e vdekjes së tij; ndërsa ai shpirtëror ishte frika se do të shkaktohej mospajtim pas vdekjes së tij se cilin të zgjedhë për udhëheqës të myslimanëve, edhe pse ai që e meritonte sipas të gjitha parametrave ishte Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!).
– Mësime profetike që përfitohen prej hadithit
- Përmendja e kokëdhembjes nuk llogaritet ankesë. Sa e sa të heshtur mbajnë në zemër zemërim, kurse sa e sa ankues mbajnë në zemër kënaqësi! Kriteri i përcaktimit është puna e zemrës e jo shprehja e gjuhës.[7]
- Parapëlqehet që burri të bëjë shaka me gruan e vet për të futur gëzim në zemrat e tyre. Kur Aishja (Allahu qoftë i kënaqur qoftë me të!) u ankua se ndiente kokëdhembje, Pejgamberi ﷺ bënte shaka duke i thënë se, nëse ajo vdes nga kokëdhembja para tij, do të lutej për falje dhe mëshirë për të.
- Hadithi tregon se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) në këtë rast u ngut dhe u zemërua. Shumica e grave ngutjen e kanë pjesë të karakterit. Për këtë shkak shakanë e Pejgamberit ﷺ e mori shumë seriozisht, derisa pretendoi se Pejgamberi ﷺ e dëshiruaka vdekjen e saj.
- Xhelozia mbetet pjesë e pandashme në natyrshmërinë e gruas, prandaj lexon se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) mendonte se Pejgamberi ﷺ e dëshiruaka vdekjen e saj, që pastaj të kënaqej me gratë e tjera.
- Pejgamberi ﷺ s’kishte nevojë ta kërkonte vdekjen e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) që të jetë i lirë të kënaqej me gratë e tjera, sepse këtë liri e kishte përherë.
- Edhe pse Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e akuzoi Pejgamberin ﷺ se ia dëshiruaka vdekjen asaj, ai edhe më tej ishte i butë me të.
- Ndonëse Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) shakanë e tij e mori me shumë seriozitet, Pejgamberi ﷺ u tregua i dhimbshëm e i dashur me të. Por, kështu gabojnë shumë prej grave e pastaj i shtyjnë burrat t’u largohen shakave mes vete.
- Mënyra se si Pejgamberi ﷺ e ndërroi drejtimin e bisedës ishte mençuri: nga drejtimi i parë i bisedës kur Aishja mbante zemërim dhe e akuzonte se e dëshiruaka vdekjen e saj, kaloi në drejtim tjetër të bisedës, bisedë për kokëdhembjen e tij dhe për shqetësimin e tij për mospajtimin e njerëzve se cilin do ta zgjedhin për udhëheqës pas vdekjes së tij. Në këtë mënyrë Aishja e harroi zemërimin dhe xhelozinë.
- Pejgamberi ﷺ ia përfitoi zemrën Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në momentin kur i tregoi që dëshiron ta propozojë prindin e saj, Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), udhëheqës pas vdekjes së tij, ndërsa vëllanë e saj ta ketë dëshmitar të këtij propozimi.[8]
- Hadithi e paraqet madhështinë e dashurisë që ndiente Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për Pejgamberin ﷺ. Kur Pejgamberi ﷺ u ankua se kishte dhembje në kokë dhe një shqetësim në zemër se kush do t’i udhëheqë myslimanët pas vdekjes së tij, ajo harroi ankesën e saj dhe nuk vazhdoi me diskutimin. Në anën tjetër hasim shumë gra tek këmbëngulin që burri të lërë anash të gjitha shqetësimet e tij e të merret vetëm me brengat e saj, sepse ato janë më primare se diçka tjetër.
- Hadithi na mëson se burri është mirë t’ia paraqesë gruas brengat dhe shqetësimet e tij. Të njëjtën gjë duhet ta veprojë edhe gruaja. Përndryshe, çfarë vlere ka jeta bashkëshortore?
- Por, megjithatë ka gjëra që në jetën bashkëshortore bashkëshortët nuk duhet t’i përmendin njëri-tjetrit, sepse dëmi do të jetë më i madh se dobia, bie fjala, burri të informojë gruan në detaje për gjendjen e tij financiare ose që gruaja t’i tregojë burrit në detaje çdo problem që ka ajo me familjen e tij.
- Ankesat e njëjta mes të dyve ishin një lloj sinjali i dashurisë së plotë mes tyre.[9]
- Shqetësimi është dyllojësh: i pëlqyer dhe i qortuar. Shqetësimi qortohet kur njeriun e detyron të dorëzohet para tij derisa të dëshpërohet. Madje, nuk gjen te ky njeri asnjë lloj parapërgatitjeje si ta largojë ose ta zbusë atë. Ndërkaq, shqetësimi pëlqehet kur njeriun e shtyn të angazhohet në largimin ose zbutjen e tij ashtu si veproi Pejgamberi ﷺ me shqetësimin e tij për udhëheqjen e myslimanëve pas vdekjes së tij. E shprehu haptazi mendimin dhe la të kuptohet se më meritori nga të gjithë ishte Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!).
HADITHI I TRETË
Urve ibn Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) përcjell se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ, gjatë një nate, doli prej shtëpisë sime, gjë që më bëri të xhelozoja. E, kur u kthye dhe më pa se çfarë veprova, më tha: “Çfarë ke, oj Aishe, vallë, xhelozove?”
– E si të mos xhelozoj unë (nga dashuria që kam), për ty (si Pejgamber që je)? – i thashë.
Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Vallë, të paska ardhur shejtani yt?”
– O i Dërguari i Allahut, vallë, shejtan paskam me vete? – e pyeta.
– Po, – më tha ai.
– A secili njeri e ka? – e pyeta.
– Po, – tha ai.
– Edhe ti e ke me vete? – e pyeta.
– Po, por Zoti im më ndihmoi kundër tij, saqë e pranoi Islamin, – tha Pejgamberi ﷺ.”[10]
– Komentimi i përgjithshëm i hadithit
Pejgamberi ﷺ doli prej Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për një çështje, e kur u kthye, Aishja nuk ishte e njëjta. Gjendja e saj shpirtërore nuk ishte ashtu si kur doli prej saj. Shkaku kryesor ishte mendimi se Pejgamberi ﷺ doli për të shkuar te gratë e tjera. Kështu janë gratë çdoherë me xhelozinë. Gruaja dhe xhelozia janë si dy shokë të sinqertë që pothuajse nuk ndahen asnjëherë. Pejgamberi ﷺ e kuptoi situatën, prandaj ia përmendi ndikimin e shejtanit mbi birin e Ademit. Ia bëri me dije se ndryshimi i gjendjes shpirtërore të saj erdhi si pasojë e cytjeve të tij. Më pas i tregoi se çdo njeri me vete ka shejtan, madje edhe vetë Pejgamberi ﷺ, por Zoti e ndihmoi kundër tij, saqë e pranoi Islamin.
– Mësime profetike që përfitohen prej hadithit
- Pejgamberi ﷺ i përcillte me vëmendje gjendjet shpirtërore të grave të tij. Për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e kuptoi menjëherë ndryshimin në sjelljen e saj. Në jetë çdo grua shpreson që burri ta shoqërojë në gëzimin e saj ose të shfaqë dhembshuri kur gruaja ndien dhimbje në trup e shpirt ose ta udhëzojë me butësi e mençuri nëse ajo gabon; dhe për shumë çështje ku përcjellja me vëmendje e gruas jep ndikim frytdhënës dhe pozitiv.
- Ka burra që sjelljet e grave i mbajnë nën kontroll të vazhdueshëm deri në atë shkallë sa kalon në kompleks dhe i dëmton rëndë. Për çdo situatë ka mendim të keq për gruan derisa ambientet e jetës bashkëshortore i shndërron në ambiente të mbushura me dyshime e supozime shkatërruese. Në këso rastesh vështrimi i sjelljeve sjell ndikime negative.
- Pejgamberi ﷺ menjëherë kuptoi se xhelozia ndikoi në ndryshimin e gjendjes shpirtërore të Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Kjo tregon mençurinë e Pejgamberit ﷺ.
- Pejgamberi ﷺ u tregua korrekt përballë xhelozisë së Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Nuk shfaqi vrazhdësi, por, përkundrazi, e arsyetoi me shumë urtësi me fjalët: “Çfarë ke, oj Aishe, vallë, xhelozove?”
- Fjalët e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të): “E si të mos xhelozoj unë (nga dashuria që kam), për ty (si Pejgamber që je)? – i thashë”, ishin përgjigje e mrekullueshme dhe me shumë edukatë që në zemrën e Pejgamberit ﷺ trazoi disa domethënie. E para: ia bëri të qartë se burrin e dashuron fort. E dyta: ia bëri me dije se ai e meriton të xhelozohet për të ngase çdo grua do të kishte dëshiruar të ishte gruaja e tij. Të dyja çështjet janë të rëndësishme. Andaj, çdo bashkëshorte që shpreson t’i përmirësojë raportet me burrin, domosdoshmërisht këto dy domethënie t’i përçojë në zemër të tij. Ta bësh bashkëshortin të ndiejë vlerën dhe pozitën e tij është ndër përgjegjësitë më të rëndësishme dhe më të ndjeshme të bashkëshortes.
Nëse gruaja arrin të realizojë këtë çështje në favorin e saj, atëherë do të çojë jetë të këndshme bashkëshortore.
- Fjalët që Pejgamberi ﷺ ia tha Aishes: “Vallë, të paska ardhur shejtani yt?” tregojnë se gabimin ia atribuoi ndikimit të shejtanit dhe jo asaj. Ky është udhëzim për çdo mysliman se fokusi duhet të jetë te shërimi i gabimit, pa e fyer e kritikuar personalitetin e atij që gaboi.
- Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) në fund të hadithit parashtroi disa pyetje: “O i Dërguari i Allahut, vallë, shejtan paskam me vete?”
– Po, – më tha ai.
– A secili njeri e ka? – e pyeta.
– Po, – tha ai.
– Edhe ti e ke me vete? – e pyeta.
– Po, por Zoti im më ndihmoi kundër tij, saqë e pranoi Islamin, – tha Pejgamberi ﷺ.”
Pejgamberi ﷺ në këtë rast u shfaq me dy sjellje madhështore dhe të dobishme për çdo edukator. Sjellja e parë: mendimi i mirë për pyetësin. Ai kishte mendimin se Aishja nëpërmjet pyetjeve dëshironte të merrte përgjigje e jo të ikte nga përgjegjësia e gabimit. Dhe e dyta: ishte i gatshëm t’u përgjigjej pyetjeve të shumta, që realisht e nxjerr në pah zemërgjerësinë e tij.
- Dalja e burrit nga shtëpia në kohë jo të përshtatshme mund të nxisë dyshime dhe xhelozi në zemrën e gruas.
- Situatat që nxisin xhelozi dhe ngatërresa burri duhet t’i trajtojë me urtësi.
- Për të mos ardhur deri te situatat e padëshiruara, do të ishte mirë që burri t’i sqarojë çështjet e paqarta.
- Për t’i shëruar problemet kërkohet sinqeritet në sjellje dhe maturi.
- Falënderimi i Allahut për mirësitë e dhëna dhe kujtimi i begative që Allahu e nderoi robin me to. Kjo u shpjegua në fjalët e Pejgamberit ﷺ: “Po, por Zoti im më ndihmoi kundër tij, saqë e pranoi Islamin.”
Dr. Maxhid Hubejbi
Pjesë nga libri: “Mësime profetike për zgjidhjen e problemeve bashkëshortore”
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
[1] Buhariu (5228), Muslimi (6285).
[2] “Fet’hul Barij” Ibn Haxheri (11/678).
[3] “Fet’hul Barij” Ibn Haxheri (11/678).
[4] “Irshadu Sarij” (11/515).
[5] “Umdetu Karij” (20/210).
[6] Buhariu (5666).
[7] “Fet’hul Barij” (13/42).
[8] “Fet’hul Barij” (13/41).
[9] “Mirkatul Mefatih” (11/121).
[10] Muslimi (2815).