
SHEMBUJ PËR T’U MARRË LAKMI
Në vazhdim do të përmend disa ndodhi që llogariten shëmbëlltyrë për durimin e tyre karshi epshit, gjë që ndikoi nami i tyre të ngrihet në dynja dhe ahiret.
JUSUFI (alejhi selam!)
Allahu thotë: “Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajttë! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë.” Ajo e dëshiroi atë; por edhe Jusufi do ta kishte dëshiruar atë, sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet. Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë. Që të dy vrapuan nga dera dhe ajo ia shqeu këmishën atij nga mbrapa. Te dera, ata hasën burrin e saj. Ajo tha: “Çfarë dënimi meriton ai që kërkon t’i bëjë të keqe gruas sate, përveç burgosjes ose dënimit të dhembshëm?” (Jusufi) tha: “Ajo provoi të më joshte.” Një i afërt i saj (që u gjend aty), pohoi: “Nëse këmisha e tij është shqyer përpara, atëherë ajo thotë të vërtetën, kurse ai gënjen. Por, nëse këmisha e tij është shqyer prapa, atëherë ajo gënjen, ndërsa ai thotë të vërtetën.” Kur burri i saj pa se këmisha e Jusufit ishte shqyer nga mbrapa, tha: “Patjetër që kjo është një nga dredhitë tuaja (të femrave). Në të vërtetë, dredhitë tuaja janë të mëdha! Ti, o Jusuf, largohu nga kjo! Kurse ti (gruaja ime), kërko falje për këtë gjynah, sepse, në të vërtetë, ti je fajtore.” (Jusuf, 23-29)
Nëse e mediton mirë tregimin e Jusufit, do të shohësh se kishte shumë shkaqe që të binte në haram:
- Epshi i mbjellë në natyrshmërinë e burrit që të anojë nga gruaja.
- Jusufi ishte i ri në moshë dhe epshi në moshën e rinisë është shumë më i fortë se tek i thyeri në moshë dhe te fëmija.
- Ishte beqar dhe epshi te beqari është më i fortë se tek i martuari.
- Ishte në vend të huaj, përkatësisht në kurbet. Zakonisht i huaji nuk turpërohet në krahasim me vendasin, të cilin e njohin njerëzit përreth dhe ka frikë të fëlliqet autoriteti i tij.
- Gruaja që e ftoi për zina ishte e bukur dhe me pushtet: burrin e kishte ministër dhe, si zakonisht, pushtetarët i zgjidhnin gratë më të bukura.
- Gruaja nuk ishte që refuzonte ose që nuk donte, bile ajo vetë kërkonte me këmbëngulje. Fjalët e saj ishin “Jam e gatshme për ty!” Nganjëherë i riu joshet nga gratë derisa pajtohet të bjerë në zina, por e pengon marrja e guximit dhe shprehja haptazi e dëshirës, e në këtë rast kjo grua i theu të gjitha pengesat shpirtërore.
- Gruaja ishte në shtëpinë dhe pushtetin e saj. Realisht ekzistonte frika se, nëse nuk i përgjigjej kërkesës së saj, Jusufi do të dëmtohej. Kështu, tek ai u bashkuan dëshira dhe frika.
- Dëshira ishte e gruas dhe normalisht që ajo nuk do të tregonte për rastin. Pra, kishte siguri në këtë aspekt. Frika nga shpalosja e rastit ishte shumë e vogël dhe njerëzit nuk do të kishin mundësi të kuptonin se ai kishte bërë gjynah.
- Jetonte afër saj, e shihte për çdo ditë, e kishte të drejtën të hynte e të dilte kur të dëshironte, sepse ishte shërbëtor në atë shtëpi. Te njerëzit nuk do të ngjallte asnjë lloj dyshimi rreth tij.
- Gruaja përdorte dredhi (femërore) për ta joshur dhe dihet se dredhitë e grave janë të mëdha. Medito se si Allahu i përshkroi dredhitë e grave: “Në të vërtetë, dredhitë tuaja janë të mëdha!” (Jusuf, 28) Ndërkaq, për dredhitë e shejtanit tha: “Vërtet, dinakëria e djallit është e dobët!” (Nisa, 76)
- E kërcënoi me burgim dhe përbuzje, gjë që ndodhi realisht. Ai qëndroi në burg disa vjet.
- Burri i saj s’kishte asnjë pikë marre e xhelozie.
– Varkat e shpëtimit në tregimin e Jusufit n
Cilat shkaqe i ndërmori Jusufi n që Allahu ta shpëtonte nga kjo sfidë e rëndë dhe sprovë e madhe?
- Frika prej Allahut. Ajo është kalaja për të mos rënë në asnjë gjynah dhe imoralitet. Kur Pejgamberi ﷺ i përmendi shtatë personat që do të jenë në hijen e Arshit të Allahut në Ditën e Kiametit, për njërin prej tyre tha: “Personin që një grua e bukur dhe me famë e fton për zina, porse ai ia kthen: “Unë i frikohem Allahut.”
- Përkrahja dhe ndihma e Allahut. Allahu thotë: “Ajo e dëshiroi atë; por edhe Jusufi do ta kishte dëshiruar atë, sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet…” (Jusuf, 24) E sikur Jusufi n të mos e kishte parë provën e Zotit të vet, do të kishte anuar nga ajo ashtu siç thotë Allahu: “Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf, 24)
Medito se si Allahu nuk tha që ai të largohet nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, por tha: “… kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar”; e keqja dhe e shëmtuara u larguan prej tij. Kjo është më lart sesa ai të largohej prej tyre.
Njeriu sa më shumë që e shton mbështetjen në Allahun dhe pastaj i merr shkaqet është më e denjë që Allahu ta ruajë dhe t’i ndihmojë. Pejgamberi ﷺ e porositi Ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) me fjalët: “Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty.” Ruajtja e Allahut për robin përfshin ruajtjen e tij në çështjet e fesë dhe ruajtjen e tij në çështjet e dynjasë. S’ka dyshim se ruajtja e fesë është më e plotë dhe më e mirë.
- Jusufi u largua nga çdo shkak që çon në gjynah; ia kishte frikën Zotit, prandaj në momentin që e pa sprovën, nuk qëndroi në vend, por iku drejt derës, ndërsa ajo i shkoi pas derisa ia grisi këmishën nga mbrapa.
Largimi nga vendi i gjynahut dhe ikja prej aty pa dyshim që i ndihmojnë njeriut të mos bjerë në gjynah. Po ashtu tregon se çështjen plotësisht ia mbështet Allahut. Kjo ishte arsyeja te rasti i atij që i vrau njëqind persona e pastaj kërkonte ta dinte se a ka shpëtim për të, që dijetari ta këshillonte të largohej nga vendbanimi i tij, sepse ishte vend i keq që e banojnë gjynahqarët e të shkonte në një vend tjetër, që njihej për njerëz të mirë dhe të devotshëm.
Sot i riu dhe e reja nuk kanë nevojë të largohen nga vendi i tyre, por ajo që duhet bërë është vendosmëria e sinqertë që të largohet nga shoqëria keqe dhe t’i zëvendësojë ata me të tjerë që e adhurojnë Allahun dhe ia kanë frikën Atij. Patjetër duhet të braktisen gjërat që çojnë në gjynahe dhe ia kujtojnë njeriut atë.
- Duaja. Jusufi n e luti Allahun me fjalët: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato. Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).” (Jusuf, 33)
Nëse Jusufi n paska pasur nevojë t’i lutej Allahut, atëherë për të tjerët është më se e nevojshme. Duaja është mjet që nëpërmjet saj njeriu lidhet me Allahun.
Për këtë shkak Pejgamberi ﷺ në lutjet e tij drejtuar Zotit thoshte: “O Allah, Mëshirën Tënde e shpresoj, mos më lër të mbështetem në veten time as sa një mbyllje e syrit. Ma rregullo tërë çështjen time! S’ka të adhuruar të denjë përveç Teje.”[1]
- Devotshmëria, adhurimi dhe fetaria tij. Të gjitha këto ishin shkak që Allahu t’i jepte mbarësi atij: “Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf, 24) Andaj, sa më shumë që njeriu i nënshtrohet Allahut dhe kujdeset të mos i tejkalojë kufijtë e Tij, aq më të mëdha janë mundësitë që Allahu ta ruajë atë dhe ta përqendrojë në fenë e Tij.
Kësisoj themi se kujdesi dhe shtimi i adhurimit e bëjnë të denjë që Allahu ta ndihmojë dhe t’i japë sukses.
- Zgjedhja e burgut kundrejt veprimit të së shëmtuarës. Ai tha: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato.” E zgjodhi burgun me gjithë hidhëtinë e tij, veç të mos binte në gjynahun e zinasë. Në momentin që arriti çështja e tij deri këtu, atëherë erdhi ndihma e Zotit të tij. Ndërkaq, për lëndimin që e mori, ajo ishte prej lëndimeve të dynjasë dhe dihet se dynjaja është vend i fatkeqësive.
RRËFIMI I ATIJ BURRIT QË MBETI NË SHPELLË DHE LUTJA E SHPËTIMIT KISHTE TË BËNTE ME RASTIN E TIJ ME NJË GRUA
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Tre burra të popujve të kaluar u nisën për rrugë derisa i zuri nata te një shpellë, andaj hynë brenda. Por, papritmas, një gur u rrotullua nga kodra dhe ua mbylli hyrjen e shpellës. Atëherë i thanë njëri tjetrit: “Nga ky shkëmb nuk do të na shpëtojë asgjë, përveç nëse e lusim Allahun me veprat tona të mira.”
Kështu, njëri tha: “O Allah! Prindërit e mi kanë qenë të shtyrë në moshë dhe, në mbrëmje, asnjëherë nuk i kam dhënë qumësht dikujt para tyre. Një ditë u vonova duke kërkuar diçka dhe, kur u ktheva, ata tashmë kishin fjetur. Kur i mola delet dhe ua çova qumështin, i gjeta duke fjetur. Nuk kisha dëshirë t’i jepja për të pirë dikujt tjetër para tyre, andaj qëndrova me enë në dorë, duke i pritur që të zgjoheshin, derisa agoi mëngjesi. Atëherë u zgjuan dhe e pinë qumështin. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!” Shkëmbi lëvizi pak, por jo mjaftueshëm për të dalë.
Tjetri tha: “O Allah! E njihja një vajzë të cilën e doja më shumë se këdo tjetër, andaj tentova t’i afrohesha pa dëshirën e saj. Ajo më refuzonte, derisa e kaploi një varfëri e rëndë. Kështu, erdhi tek unë dhe ia dhashë njëqind e njëzet dinarë, me kusht që të më lejonte t’i afrohesha (sikurse burri gruas), e ajo pranoi. Por, kur u shtriva mbi të, më tha: “Nuk të fal nëse ma prish virgjërinë pa kurorë martesore.” U ndjeva në siklet, andaj u largova, edhe pse e doja më së shumti nga të gjitha, sakaq arin ia lashë. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!”
Shkëmbi lëvizi pak, por jo mjaftueshëm për të dalë nga shpella.
I treti tha: “O Allah! Kam pasur disa punëtorë dhe të gjithëve ua kam dhënë pagat, përveç njërit, i cili u largua dhe e la pagën e vet tek unë. Kështu, pagën e tij e investova, saqë u rrit dhe iu shtua pasuria. Pas një kohe, erdhi dhe më tha:
– O rob i Allahut, ma jep pagën që më takon!
– Të gjitha këto që po i sheh janë prej pagës sate: devetë, lopët, delet dhe shërbëtorët, – i thashë.
– O rob i Allahut, mos u tall me mua, – ma ktheu.
– Nuk po tallem aspak, – i thashë.
Kështu, e mori tërë pasurinë dhe nuk la asgjë. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!
Shkëmbi lëvizi dhe iu hap rruga, kështu që ata dolën dhe vazhduan rrugën.”[2]
DURIMI I ASKETIT TË QUAJTUR XHUREJXH
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ndër benu israilë ishte një burrë që quhej Xhurejxh. Një ditë, teksa falej, e thirri e ëma, por ai thoshte me vete: “Vallë, t’i përgjigjem apo të falem?” Atëherë nëna e tij tha: “O Zoti im, bëj që Xhurejxhi të mos vdesë pa hasur në fytyrat e lavireve!” Kështu, teksa Xhurejxhi ishte në faltoren e tij, një grua iu fut brenda dhe i foli për ta joshur, por ai refuzoi. Atëherë ajo shkoi te një çoban, të cilin e joshi dhe më pas lindi një fëmijë, për të cilin tha se e kishte me Xhurejxhin. Populli vajtën e ia prishën faltoren, e nxorën jashtë dhe filluan ta shajnë Xhurejxhin. Ai mori abdes, u fal, pastaj shkoi te foshnja dhe iu drejtua: “Oj foshnjë, kush është babai yt?” Foshnja iu përgjigj: “Çobani.” Atëherë, populli i thanë: “Po të ndërtojmë një faltore prej ari.” Por Xhurejxhi u tha: “Jo, vetëm prej balte.”[3]
REBIA IBN HUTHEJMI
Sufjani (Allahu e mëshiroftë!) tregon se Rebia ibn Huthejmi (Allahu mëshiroftë!) e ruante tepër shikimin e tij prej harami. Kur pranë tij kalonin gra, e mbante kokën e tij ulur, saqë ato mendonin se është i verbër dhe kërkonin mbrojtje prej Allahut nga verbëria.
“Një grup njerëzish e shtynë një grua të bukur ta joshte Rebian. Asaj i premtuan shpërblim prej një mijë dërhemësh nëse do të arrinte qëllimin e saj. Ajo u vesh me rrobat më të bukura që i posedonte, u parfumua me parfumin më të mirë dhe e priti jashtë xhamisë. Në momentin që doli nga xhamia, i doli përpara dhe e shpalosi fytyrën e saj. Rebia e kuptoi qëllimin e saj dhe i tha: “Çfarë mendon ti, si do të dukej sikur trupi yt të sëmurej me ethe e ta ndryshonte ngjyrën e lëkurës dhe buzëqeshjen e fytyrës? Apo çfarë mendon ti, si do të ishte gjendja jote sikur të vinte Meleku i Vdekjes e të ta merrte shpirtin? Apo çfarë do të thuash kur dy melekët, Munkeri dhe Nekiri, do të të marrin në pyetje në varrin tënd?’ Ajo nuk mundi t’i durojë këto fjalë, derisa bërtiti dhe i ra të fikët. Pasi u kthjell e u kthye në shtëpi. Gjendja e saj ndryshoi e u pendua sinqerisht te Zoti i saj dhe iu përkushtua adhurimit të Allahut. Jeta e saj ndryshoi krejtësisht. Aq shumë u dha pas adhurimit, sa jeta për të më nuk kishte asnjë kuptim.”[4]
UBEJD IBN UMEJRI
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) tregon se Ibn Xheuzi (Allahu e mëshiroftë!) dhe disa të tjerë tregonin për rastin e një gruaje të martuar e jashtëzakonisht të bukur që jetonte në Mekë. Ajo një ditë, duke u shikuar në pasqyrë, i tha burrit të saj:
“Çfarë mendon ti: a ka grua me fytyrë më të bukur se unë? A mendon ti se ka burrë që nuk joshet nga bukuria ime?”
- Po! – tha burri saj.
- Kush është ai? – tha ajo.
- Ai është Ubejd ibn Umejri! – tha burri i saj.
- Atëherë a më jep leje ta vë në provë? – e pyeti.
- Po e lirë je, – iu përgjigj burri.
Kështu, u vesh me rrobat më të bukura e u zbukurua dhe shkoi në Haremin e Qabesë që ta takonte kinse po e pyeste për një çështje. Kur mbërriti pranë tij, e shpalosi fytyrën e saj të bukur si hëna kur shkëlqen. Ubejd ibn Umejri e kuptoi mirë mesazhin e saj dhe i tha: “Oj robëresha e Allahut, mbuloje fytyrën!”
- Jam e mahnitur me ty dhe po më pëlqen! – i tha ajo.
- Mirë. Unë do të pyes diçka e, nëse ti je e sinqertë në përgjigjet e tua, atëherë do ta rishikoj kërkesën tënde! – i tha Ubejdi.
- Më trego si do të ndiheshe sikur Meleku i Vdekjes të vinte të ta merrte shpirtin, a do të ishe e kënaqur atëherë të ta plotësoja dëshirën tënde?! – i tha ai.
- Allahu na ruajttë! Jo asnjëherë! – iu përgjigj gruaja.
- E the të vërtetën, – i tha ai dhe vijoi: – Sikur të të varrosnin në varr dhe të të ulnin për të të marrë në pyetje dy melekët, a do të ishe e kënaqur atëherë të ta plotësoja dëshirën tënde?! – i tha ai.
- Allahu na ruajttë! Jo asnjëherë! – iu përgjigj gruaja.
- E the të vërtetën, – i tha ai dhe vazhdoi: – Sikur njerëzve t’u jepeshin fletushkat e tyre dhe ti nuk e di se a do ta marrësh librin tënd në dorën e djathtë apo në të majtën, a do të ishe e kënaqur atëherë të ta plotësoja dëshirën tënde?! – i tha ai.
- Allahu na ruajttë! Jo asnjëherë! – u përgjigj gruaja.
- E the të vërtetën, – i tha ai dhe vazhdoi: – Sikur të doje të kaloje Urën e Siratit dhe nuk do të dije se a do ta kalosh apo jo, a do të ishe e kënaqur atëherë të ta plotësoja dëshirën?! – i tha ai.
- Allahu na ruajttë! Jo asnjëherë! – iu përgjigj gruaja.
- E the të vërtetën, – ia ktheu ai dhe vijoi: – Sikur të sillej peshorja që i mat veprat e robit dhe të mateshin veprat e tua, e ti nuk e di se veprat e tua a do të peshojnë lehtë apo rëndë, a do të ishe e kënaqur atëherë të ta plotësoja dëshirën?! – i tha ai.
- Allahu na ruajttë! Jo asnjëherë! – iu përgjigj gruaja.
- E the të vërtetën, – i tha ai dhe vazhdoi: – Sikur të qëndroje para Allahut për t’u marrë në llogari, a do të ishe e kënaqur atëherë të ta plotësoja dëshirën?! – i tha ai.
- Allahu na ruajttë! Jo asnjëherë! – iu përgjigj gruaja.
- E the të vërtetën, – i tha ai dhe vazhdoi: – Atëherë ki frikë Allahun! Allahu të begatoi dhe t’i dha të mirat e Tij, prandaj përdori ato për burrin tënd dhe në hallall, – i tha ai.
Ajo u kthye menjëherë në shtëpi te burri i saj. Në momentin që hyri brenda, burri e pyeti: “Çfarë bëre, si kalove?”
- Ti je i pavlefshëm, ne jemi të pavlefshëm! – iu përgjigj ajo.
Filloi faljen e namazit, agjërimin dhe adhurimet e tjera. Aq shumë u pendua dhe u kap për fenë e Allahut, saqë burri i saj thoshte: “Ah, mjerë unë çfarë më bëri Ubejd ibn Umejri: ma ndryshoi gruan! Për çdo natë e kisha nuse të re e tash u bë murgeshë!”[5]
EBU BEKËR MISKU
Ibn Xheuziu (Allahu e mëshiroftë!) përcjell: “I thanë Ebu Bekër Miskut: “Prej teje po nuhasin erë myshku në vazhdimësi, ç’është puna jote?” Tha: “Pasha Allahun, unë ka shumë vjet që nuk përdor myshk, ndërsa era që po e nuhatni ka një tregim në vete. Një ditë prej ditëve një grua më futi në shtëpinë e saj me dredhi dhe m’i mbylli dyert. Synimi i saj kishte qenë të më joshte derisa të bija në zina me të. Kur e pashë si qëndronte puna, atëherë m’u ngushtua gjoksi dhe kërkoja zgjidhje si të dilja prej aty. Pas pak më erdhi një ide në mendje. I thashë gruas në fjalë: “Kam nevojë të shkoj deri në nevojtore.” Ajo e urdhëroi shërbëtoren të më dërgonte në nevojtore. Hyra brenda, e kreva nevojën e madhe dhe me të e leva krejt trupin. Pastaj dola jashtë e, kur ajo më pa në atë gjendje, mbeti pa fjalë dhe dha urdhër menjëherë të më nxirrnin sa më shpejt prej shtëpisë. Ika prej aty e shkova në shtëpi e u pastrova. Po atë natë pashë në ëndërr një thirrës që më tha: “Bëre diçka që askush deri më sot nuk e bëri, për këtë shkak do të të vijë era e mirë në dynja dhe ahiret.” Kur u zgjova në mëngjes, përhapej erë myshku prej trupit tim. Ashtu vazhdon edhe sot!”[6]
– Mejdani i durimit karshi epsheve të ndaluara nuk ishte veç për burrat, sepse kemi shembuj të mrekullueshëm edhe nga gratë, e në veçanti gratë e gjeneratave të para.
Seid ibn Xhubejri (Allahu e mëshiroftë!) tregon se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur binte nata në Medinë, dilte nëpër qytet, që të vështronte gjendjen e njerëzve. Nëse vërente ndonjë të keqe, e largonte atë. Një natë, kur kaloi pranë një shtëpie, e dëgjoi zërin e një gruaje prej çatisë, e cila ankohej për gjendjen e saj. Burri i saj ishte larg me ekspeditat ushtarake dhe mungonte një periudhë të gjatë. Ankesën e saj e shprehu në formë të poezisë, ku e shfaqte nevojën për burrin e saj. Nevoja ishte aq e madhe, saqë veç frika dhe turpi prej Allahut e ruante të mos shkonte me burrë tjetër. Pas pak gruaja tha: “Omerit as që i intereson se sa po vuaj sonte!” Omeri, kur i dëgjoi këto fjalë, trokiti në derën e saj. Ajo tha: “Kush po troket në këto ora të vona në shtëpinë e një gruaje që burri i saj nuk është prezent?” Omeri i tha: “Hape derën.” Ajo refuzoi. Omeri disa herë kërkoi të hapte derën, por ajo refuzonte. Dikur tha: “Pasha Allahun, sikur ta kuptojë udhëheqësi i myslimanëve (për qëllim e kishte Omerin), do të të ndëshkojë.” Kur Omeri e pa virtytshmërinë e saj, i tha: “Hape derën, se unë jam, udhëheqësi i myslimanëve.” Gruaja tha: “Po gënjen. Ti nuk je udhëheqësi i myslimanëve.” Atëherë Omeri e ngriti zërin, që ta dëgjonte më mirë. Gruaja e dalloi që ishte zëri i tij dhe menjëherë ia hapi derën. Omeri i tha: “Përsëriti fjalët që i the më herët.” Ajo i përsëriti të njëjtat fjalë. Omeri i tha: “Ku e ke burrin?” Ajo tha: “Ka dalë ushtar me ekspeditën ushtarake.” Omeri dërgoi dikë ta gjente se ku gjendej dhe ta sillte në Medinë. Kur erdhi në Medinë, prej tij Omeri kërkoi të shkonte në shtëpi dhe të qëndronte me gruan e vet. Ndërkohë Omeri shkoi te bija e vet, Hafsa, dhe i tha: “Bija ime! Gruaja sa duron pa burrë?” Ajo tha: “Një deri në tre muaj. Muajin e katërt durimi fillon të zbehet.” Kështu, Omeri caktoi që një ushtar ka të drejtë maksimumi katër muaj të mungojë në familje dhe jo më shumë.”[7]
Muhamed el Munexhidi
Nga arabishtja: Irfan Jahiu
(Pjesë nga libri i përkthyer në gjuhë shqipe “BETEJA ME EPSHET”)
[1] Ebu Davudi (5090).
[2] Buhariu (2272).
[3] Buhariu (3436).
[4] “Sifatu es Safve” (3/191).
[5] “Revdatu el Muhibin” (f. 340).
[6] “El Mevaiudh ve el Mexhalis” (224).
[7] “Revdatu el Muhibin” (210).