[There are no radio stations in the database]

DISA RREGULLA SI TË MBROHEMI NGA EPSHI I NDALUAR (1)

Si të çlirohemi nga ky dëm i madh, haram i rrezikshëm dhe sherr i përhapur?

Përgjigjja: Islami ofron zgjidhje për çdo problem, sëmundje dhe devijim. Atë e gjen te tekstet fetare në Kuran, Sunet dhe në thëniet e dijetarëve.

Në vazhdim po përmend disa rregulla si të ballafaqohemi me epshin, në mënyrë që t’i largohemi sherrit të tij e t’i lehtësohet gjendja atij që ka rënë në të, si dhe të përmirësojmë dëmin që u krijua në zemrat tona e të mbrohemi nga rënia në haram.

THUAJ: ALLAHU MË RUAJTTË! UNË I FRIKOHEM ALLAHUT!

Besimi në Allahun dhe frika nga Allahu janë piston sigurie, mbrojtës i njeriut nga rënia në haram dhe nga nënshtrimi pas epsheve në çaste kritike.

Fjalët “Allahu më ruajttë!” i tha Jusufi n; prandaj Allahu e ruajti dhe e largoi nga ai dredhinë e grave.

Fjalët “Unë i frikohem Allahut” i thanë disa prej atyre që do të jenë në hijen e Arshit të Allahut, atë ditë kur nuk ka hije tjetër përveç hijes së Allahut: “Personin që një grua e bukur dhe me famë e fton për zina, porse ai ia kthen: “Unë i frikohem Allahut.”

Ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Me sa kuptohet nga hadithi se fjalët i thotë me gjuhën e tij: o ta dëbojë gruan nga amoraliteti, o do t’i tregojë asaj se ky nuk do të bjerë në amoralitet, sepse ka frikë Allahun. Është e mundshme që fjalët i ka thënë me zemrën e tij ashtu siç përmendi Kadi Ijadi (Allahu e mëshiroftë!). Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Fjalët dolën nga frika e madhe prej Allahut, nga takvallëku i fortë dhe nga turpi.”[1]

Për fjalët “Allahu më ruajttë!” dhe të ngjashmet me to njeriu duhet të jetë tepër i vetëdijshëm për mbikëqyrjen hyjnore në çdo situatë, në fshehtësi dhe në publik, që pastaj t’i shprehë ato ngjashëm siç veproi me Jusufin n. Kujtimi i Allahut në thelb e kthjell zemrën të mos bjerë në gjynah. Allahu thotë: “Dhe jo larg prej aty, Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm, (që do t’u thuhet:) “Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe është ruajtur (nga gjynahet), që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu). Hyni në të (Xhenet) me paqe e siguri. Kjo është Dita e amshimit!” Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.” (Kaf, 31-35)

Nëse mbisundon te besimtari edukata e vetëdijes së mbikëqyrjes hyjnore dhe hulumtimi i fshehtësive të emrave dhe cilësive të Allahut, si: i Gjithëdijshmi, Dëgjuesi, Shikuesi, Mbikëqyrësi, Dëshmitari, Llogaritari, Ruajtësi, Gjithëpërfshirësi dhe Zotëruesi; tek ai e ngjall frikën në zemër prej Allahut kudo që gjendet në publik ose në vetmi, e largon nga rënia në gjynah dhe ia mbyll çdo rrugë që çon tek epshi haram.

Abdurrahman Sadi (Allahu e mëshiroftë!), për domethënien e emrit të Allahut “el Muhejmin” (Mbikëqyrësi, Kujdestari, Zotëruesi), thotë: “Ky emër do të thotë vështruesi i çdo gjëje, nuk i ikën Atij asgjë, sado e vogël që është, di çdo fshehtësi që gjendet brenda gjoksit e që pëshpëritet në zemër dhe dija e Tij përfshin çdo gjë.”[2]

Rikujto disa prej teksteve të Kuranit që e trajtojnë këtë tematikë:

Allahu thotë: “Ta dini se Allahu e di ç’ka në zemrat tuaja, andaj ruajuni prej Tij. Dhe ta dini se Allahu është Falës i madh dhe i Butë.” (Bekare, 235)

Allahu thotë: “Allahu është mbikëqyrës për çdo gjë.” (Ahzab, 52)

Allahu thotë: “Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.” (Hadid, 4)

Allahu thotë: “… a nuk e di ai se Allahu i sheh të gjitha?!” (Alak, 14)

Allahu thotë: “Allahu e di shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra.” (Gafir, 19)

Nëse besimtari jeton me domethënien e këtyre teksteve, edukohet dhe punon sipas kuptimit që përmbajnë, ai pa dyshim do të shndërrohet në njeri të shëndoshë me iman, do të zhvillohet në të ri të devotshëm dhe të dëlirë, të cilin nuk e mashtron materializmi e as e largon epshi, as e mposht shejtani e as ndikon tek ai shpirti fort i prirë për të keqen. E, nëse ndodh që epshi e josh, atëherë i kujton fjalët: “Unë i frikohem Allahut!” Kur shejtani i bën vesvese, ai zëshëm ia kthen: “Ti nuk ke mbi mua asnjë lloj pushteti!” Kur shokët e këqij ia zbukurojnë rrugën e shthurjes dhe sherrit, ata i bën të heshtin me fjalët: “Mua nuk më duhen injorantët!”

Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!), në komentin e ajetit: “Kur Jusufi arriti moshën e pjekurisë, Ne i dhamë aftësinë e të gjykuarit dhe dituri. Kështu i shpërblejmë Ne punëmirët”, (Jusuf, 22) ndër dobitë e tij cek një të rëndësishme dhe thotë: “Ia dha gjithë këto dhunti që të jenë shkak për ta mbrojtur në kohën kur shtytësit e epshit janë të fuqishëm në ndikim.”

Njeriu që edukohet t’ia ketë frikën Allahut është më i denji të ndikojë tek ai fjala: “Ki frikë Allahun” nëse një ditë prej ditëve i afrohet haramit. Meditoje rastin e njërit prej atyre treve që mbetën në shpellë kur shkëmbi ua mbylli daljen prej aty. Ai tha:

“O Allah! Njihja një vajzë, të cilën e doja më shumë se këdo tjetër, andaj tentova t’i afrohesha pa dëshirën e saj. Ajo më refuzonte, derisa e kaploi një varfëri e rëndë. Kështu, erdhi tek unë dhe ia dhashë njëqind e njëzet dinarë, me kusht që të më lejonte t’i afrohesha (sikurse burri gruas), e ajo pranoi. Por, kur u shtriva mbi të, më tha: “Nuk të fal nëse ma prish virgjërinë pa kurorë martesore.” U ndjeva në siklet, andaj u largova, edhe pse e doja më së shumti nga të gjitha, sakaq arin ia lashë. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!”

Shkëmbi lëvizi pak, por jo mjaftueshëm për të dalë nga shpella.”[3]

Meditoje gjendjen e këtij burri: iu afrua një gruaje të huaj siç i afrohet burri gruas së tij dhe atë e larguan prej saj fjalët: “Ki frikë Allahun”, edhe pse e donte më së shumti nga të gjitha, madje edhe arin ia la.

Si mundën këto fjalë të ndikojnë kaq tepër në zemrën e tij? Imani në Allahun, frika prej Tij dhe vetëdija e mbikëqyrjes hyjnore ishin shkak që zemra të reagonte kësisoj.

Kur robi e përmirëson zemrën, e mbush atë me devotshmëri, do të përfshihet te grupi i robërve të sinqertë të Allahut, të cilët Allahu i ruan dhe i largon nga çdo e keqe dhe e shëmtuar. Allahu thotë: “Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf, 24)

Shejtani te këta njerëz nuk e ka luksin të depërtojë lehtë, ngase ndikimi dhe hilet e tij janë më të dobëta. Allahu thotë: “Kur t’i jap trajtë dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, përuljuni në sexhde atij!”, të gjithë melekët së bashku u përulën në sexhde.” (Sad, 72-73)

Allahu thotë: “Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’u zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë.”. (Allahu) tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë. Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.” (Hixhr, 39-42)

Andaj, kush e dëshiron shpëtimin nga të qenët rob i epshit, e ka të domosdoshme ta edukojë veten me iman të përkryer, që brenda tij përfshin domethënien e devotshmërisë dhe mbikëqyrjes, frikës dhe shpresës, dashurisë dhe domethëniet e tjera që ndërlidhen me imanin. Kjo nuk duket të jetë e paarritshme, porse kërkohet llogaria e vetvetes më shpesh duke e qortuar për të metat dhe mangësitë. Në këtë mënyrë troket te zemra e tij, depërton në thellësinë e saj, ku e shikon hollësisht imanin dhe veprat e tij. Si shembull e llogarit kësisoj:

Sa hise ke në përmendjen e Allahut gjatë ditës së tij?

Sa hise ke në leximin e Kuranit?

Sa hise ke në dëgjimin e ligjëratave ose leximin e librave fetarë?

RUAJU NGA SHIKIMI I PËRVJEDHUR

Allahu thotë: “Allahu e di shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra.” (Gafir, 19)

Ibn Abasi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Bëhet fjalë për një burrë që hyn në shtëpi të huaj, ku gjendet një grua e bukur, ose kalon atypari, e, kur vëren se të tjerët nuk merren me të, menjëherë shikon në drejtim të saj. Në momentin që kthehen nga ai, e ul përnjëherë shikimin. Prapë kur të tjerët nuk merren me të, ai shikon në drejtim të gruas, e në momentin që kthehen nga ai, e ul përnjëherë shikimin.”

Sufjan Theuriu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Bëhet fjalë për burrin që qëndron ulur në një ndejë dhe ndërkohë kalon një grua, ndërsa ai shikon drejt saj vjedhurazi, që të tjerët të mos e shohin. Në momentin që kthejnë kokën nga ai, përnjëherë e ul shikimin, që të mos dyshojnë në të. E, kur nuk merren me të, ai prapë i ngul sytë nga ajo. Ky është qëllimi i ajetit “… shikimin e përvjedhur të syrit…” dhe “… dhe atë që fsheh zemra.” Po ashtu Sufjani tha: “Ajeti mund të ketë qëllimin për epshin që njeriu e ndien në brendësinë e tij.”

Muhamed Emin Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!), në komentin e këtij ajeti, në librin e tij “Edvau el Bejan”, thotë: “Ajeti përcjell mesazhin e kërcënimit drejtuar atij që me shikimin e përvjedhur të syrit shikon aty ku nuk i lejohet.”

Vërtet njeriu do të qëndrojë para Allahut për llogari e në mesin e gjërave që merret në llogari janë edhe shqisat e tij. Allahu thotë: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” (Isra, 36)

Shikimi është shigjetë e helmuar e Iblisit dhe udhëçelësi për tek epshi. Shikimi në haram mbjell mendime të këqija dhe të fëlliqura, të cilat më vonë kalojnë në ide dhe, më pas, në epsh. Pastaj kalojnë në dëshirë e dikur në vendosmëri dhe, në fund, përfundon me veprimin e haramit. Meditoje këtë ajet që e ndërlidh fillimin e hapave të haramit dhe fundin e tij. Allahu thotë: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata.” (Nur, 30)

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) në komentin e këtij ajeti thotë: “Ky është urdhri i Allahut për besimtarët, që të ulin shikimin e tyre nga e ndaluara. Ata kanë të drejtë të shikojnë vetëm aty ku u lejohet. Nëse rastis pa qëllim të shikojë në haram, menjëherë le të ulë shikimin e tij.”

Kasimi (Allahu e mëshiroftë!), në komentin e këtij ajeti, thotë: “Urtësia në dhënien përparësi uljes së shikimit para ruajtjes së organit qëndron në faktin se shikimi është adresa e zinasë dhe udhëçelësi i paturpësisë.”

Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Shikimi është thelbi i belave që e godasin njeriun. Nga shikimi lind mendimi, e nga mendimi lind ideja, e nga ideja lind pasioni, e nga pasioni lind dëshira, e cila forcohet derisa të shndërrohet në vullnet të prerë dhe të përfundojë me konkretizimin e veprës. Patjetër përfundon me konkretizim, përveç nëse del diçka që e pamundëson. Për këtë shkak thuhet: “Durimi në uljen e shikimit është më i lehtë se durimi i dhembjes që vjen nga pasojat e tij.”

Nga zararet e shikimit në haram janë: dhembja, rënkimi dhe përvëlimi në zemër. E shikon me sy atë që s’ka fuqi ta arrijë, por as duron pa të. Goxha ndëshkim i madh: të shikosh diçka që nuk duron dot ta rrish e as mund ta marrësh për vete.

Në rrugë vëren një grua të martuar dhe nuk e ul shikimin prej saj. Zemra e tij lidhet për të dhe në mendje i kujtohet vetëm pamja e saj. Në anën tjetër, martesa me të është e pamundur. Disa të shthurur shkojnë edhe një hap më larg: mundohen t’i ndajnë nga burrat e tyre.

Çudi sesi shikimi i përngjan shigjetës që nuk arrin dot deri te caku derisa të zërë një vend në zemrën e shikuesit.

Më e çuditshme është se shikimi e lëndon zemrën dhe i shkakton plagë. Plagët kur shtohen, më nuk ndihet dhembja e plagëve dhe atëherë kërkon edhe më tepër të përsëriten shikimet.

Është thënë se të përmbash shikimin nga harami është më e lehtë se keqardhja e përhershme.”[4]

Meditoje këtë hadith që ndërlidh shikimin e përvjedhur me rënien në imoralitet. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ia ka shkruar të birit të Ademit pjesën e tij të zinasë, e cila patjetër do ta gjejë. Kështu, syri bën zina përmes shikimit, gjuha bën zina përmes të folurit. E, ndërsa shpirti dëshiron dhe lakmon, organi gjenital ose do t’i aprovojë të gjitha këto, ose do t’i përgënjeshtrojë.”[5]

Shiko me sa shëmti u përshkrua shikimi në haram se llogaritet zina. S’ka dyshim që zemra e besimtarit ikën larg këtij përshkrimi.

Gjendja e atij që shikon në haram është si gjendja e atij që pi ujë nga deti i njelmët! A ia largon etjen atij? Assesi. Përkundrazi, i shtohet edhe më tepër. Kjo ndodh edhe me shikimin, i cili e rrit edhe më tepër fuqinë e epshit dhe ia shton flakën atij.

Ibn Xheuziu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Vëllai im, ki kujdes nga sherri i shikimit në haram. Sa e sa njerëz i ka shkatërruar dhe sa e sa adhurues nga adhurimi i ka larguar. Ki kujdes nga shikimi në haram, sepse ai sjell shumë zarare. Në fillim shërimi i tij është i lehtë e i arritshëm, por, nëse përsëritet dhe mbulohet me sherr, atëherë shërimi bëhet i rëndë.”

Shikimi në haram është si gota me raki, me ç’rast dehjen e shkakton dashuria e zjarrtë. Dehja nga dashuria e zjarrtë është më e rëndë se dehja nga alkooli. I dehuri nga alkooli kthjellet, kurse i dehuri nga dashuria shumë vështirë e ka të kthjellet!

Vëllai im, bëj kujdes nga shigjeta e Iblisit. Nëse nuk arrin të të vrasë, patjetër do të ta plagosë zemrën e, kur plagët të shtohen, mund të të rrëzojnë dhe të të shkatërrojnë.

Po sjell disa raste me të cilat njerëzit e përdorin shikimin e përvjedhur ose shikojnë fshehurazi të mos i shohë askush:

  1. Revistat në kioskat tregtare.
  2. Fotot e gjinisë femërore nëpër gazeta dhe libra.
  3. Interneti dhe rrjete sociale.
  4. Në rrugë ose qendra tregtare.
  5. Ripërsëritja e shikimit.

Xherir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam pyetur të Dërguarin e Allahut ﷺ në lidhje me shikimin e paqëllimshëm, e ai më urdhëroi që ta ndalja shikimin e të mos e vazhdoja atë.”[6]

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Shikimi i paqëllimshëm do të thotë shikimi pa qëllim i një gruaje të huaj. Ai në këtë rast nuk merr gjynah dhe obligohet ta largojë menjëherë shikimin. Nëse e largon, nuk merr gjynah, e, nëse vazhdon ta shikojë dhe nuk e ul shikimin, merr gjynah, duke u mbështetur në këtë hadith. Pejgamberi ﷺ e urdhëroi që të ndalte shikimin e të mos e vazhdonte atë, duke u bazuar në fjalët e Allahut: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara)…” (Nur, 30)

Burejde (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ i tha Aliut: “O Ali, mos e paso shikimin me shikim, ngase i pari është për ty, por jo i dyti.”[7]

Eladhim Abadi (Allahu e mëshiroftë!), në komentin e hadithit, thotë: “Fjalët në hadith: “Mos e paso shikimin me shikim”, nënkuptojnë: mos e paso shikimin me shikim tjetër, pra, mos ia shto shikimit të parë edhe një shikim tjetër, ngase i pari është për ty, nëse shikimi i parë është i paqëllimshëm, por jo edhe i dyti, sepse shikimi tjetër është me zgjedhjen tënde, prandaj për të merresh në llogari.”

Kështu del në pah thënia e kotë e disa mendjelehtëve që në formë tallëse thonë se lejohet shikimi i parë të jetë sado i gjatë, derisa të mbyllet syri!

Gjynahqari që këmbëngul në kryerjen e gjynaheve le të jetë i kujdesshëm nga ndëshkimi i rreptë i Allahut, ngase Ai që njeriut ia dhuroi shqisat është i fuqishëm që me fuqinë e Tij ta ndëshkojë atë duke e privuar prej tyre. Allahu thotë: “Thuaj: “Më thoni: Sikur Allahu t’jua merrte dëgjimin dhe shikimin e t’ua vuloste zemrat, cili zot, përveç Allahut, do t’jua kthente ato?!” Shih si ua shpjegojmë shpalljet Tona, por ata përsëri largohen nga e vërteta.” (Enam, 46)

Shikimi pra është dhunti prej Zotit, andaj robi duhet t’ia ketë frikën Zotit kur shikon në haram, sepse shumë lehtë Allahu mund ta ndëshkojë e t’ia marrë atë.

Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) përmendi një grumbull dobish në rastin e uljes së shikimit nga harami. Prej tyre veçoi:

  1. Respektimi i urdhrit të Zotit. Për robin ky është kulmi i lumturisë së tij në dynja dhe ahiret.
  2. Ulja e shikimit pengon që gjurma e shigjetës së helmuar të arrijë deri në zemër e ta shkatërrojë.
  3. Ulja e shikimit mbjell në zemër afërsinë me Allahun, e bën zemrën të jepet pas Allahut dhe të ndiejë ëmbëlsi, të cilën nuk e ndien ai i cili e liron syrin e tij në haram.
  4. Ulja shikimit e forcon dhe e gëzon zemrën, në krahasim me shikimin në haram, e cila e dobëson dhe e mërzit.
  5. Ulja e shikimit i jep dritë zemrës, ndërsa shikimi në haram e mbush me errësirë.
  6. Ulja e shikimit mbjell në zemër shkathtësi të drejtë që ia mundëson të dallojë të vërtetën nga e pavërteta dhe sinqeritetin nga gënjeshtra.
  7. Ulja e shikimit zemrës i jep trimëri dhe përqendrim. Në këtë zemër Allahu ia bashkon mendjemprehtësinë, argumentimin dhe aftësinë.
  8. Ulja e shikimit ia mbyll shejtanit të gjitha dyert që të mos depërtojë deri në zemër; dera më e madhe e zemrës është ajo e shikimit.
  9. Ulja e shikimit zemrën e angazhon me mendim të mirë dhe pozitiv.
  10. Mes syrit dhe zemrës gjendet një shteg që domosdoshmërisht do të shkaktojë ndikim te njëri-tjetri: nëse njëri përmirësohet, do të përmirësohet edhe tjetri dhe, nëse tjetri prishet, do të prishet edhe tjetri. Pra, nëse përmirësohet shikimi i robit, do të përmirësohet zemra e tij, dhe e kundërta: nëse prishet shikimi, do të prishet edhe zemra e tij.

Robi le ta kujtojë para dhe pas uljes së shikimit shpërblimin e madh tek Allahu. Ubade  ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Më garantoni gjashtë gjëra prej jush e unë jua garantoj Xhenetin: jini të sinqertë kur flitni, realizoni kur premtoni, ruani amanetin kur ju lihet gjë në besë, ruanin nderin, uleni shikimin dhe përmbani duart tuaja.”[8]

[1] Sqarim i hadithit të Buhariut (6806).

[2] “Tefsir Sadij – tefsir i sures Hashr, ajeti 23”.

[3] Buhariu (2272). Teksti i hadithit të plotë është ky: Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Tre burra të popujve të kaluar u nisën për rrugë derisa i zuri nata te një shpellë, andaj hynë brenda. Por, papritmas, një gur u rrotullua nga kodra dhe ua mbylli hyrjen e shpellës. Atëherë i thanë njëri tjetrit: “Nga ky shkëmb nuk do të na shpëtojë asgjë, përveç nëse e lusim Allahun me veprat tona të mira.”

Kështu, njëri tha: “O Allah! Prindërit e mi kanë qenë të shtyrë në moshë dhe, në mbrëmje, asnjëherë nuk i kam dhënë qumësht dikujt para tyre. Një ditë u vonova duke kërkuar diçka dhe, kur u ktheva, ata tashmë kishin fjetur. Kur i mola delet dhe ua çova qumështin, i gjeta duke fjetur. Nuk kisha dëshirë t’i jepja për të pirë dikujt tjetër para tyre, andaj qëndrova me enë në dorë, duke i pritur që të zgjoheshin, derisa agoi mëngjesi. Atëherë u zgjuan dhe e pinë qumështin. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!” Shkëmbi lëvizi pak, por jo mjaftueshëm për të dalë.

Tjetri tha: “O Allah! E njihja një vajzë, të cilën e doja më shumë se këdo tjetër, andaj tentova t’i afrohesha pa dëshirën e saj. Ajo më refuzonte, derisa e kaploi një varfëri e rëndë. Kështu, erdhi tek unë dhe ia dhashë njëqind e njëzet dinarë, me kusht që të më lejonte t’i afrohesha (sikurse burri gruas), e ajo pranoi. Por, kur u shtriva mbi të, më tha: “Nuk të fal nëse ma prish virgjërinë pa kurorë martesore.” U ndjeva në siklet, andaj u largova, edhe pse e doja më së shumti nga të gjitha, sakaq arin ia lashë. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!”

Shkëmbi lëvizi pak, por jo mjaftueshëm për të dalë nga shpella.

I treti tha: “O Allah! Kam pasur disa punëtorë dhe të gjithëve ua kam dhënë pagat, përveç njërit, i cili u largua dhe e la pagën e vet tek unë. Kështu, pagën e tij e investova, saqë u rrit dhe iu shtua pasuria. Pas një kohe, erdhi dhe më tha:

– O rob i Allahut, ma jep pagën që më takon!

– Të gjitha këto që po i sheh janë prej pagës sate: devetë, lopët, delet dhe shërbëtorët, – i thashë.

– O rob i Allahut, mos u tall me mua, – ma ktheu.

– Nuk po tallem aspak, – i thashë.

Kështu, e mori tërë pasurinë dhe nuk la asgjë. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!

Shkëmbi lëvizi dhe iu hap rruga, kështu që ata dolën dhe vazhduan rrugën.”

 

Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

(Pjesë nga libri i përkthyer në gjuhë shqipe “BETEJA ME EPSHET”)

 

[4] “Dau ve Devau”, Ibn Kajimi.

[5] Buhariu (6243).

[6] Muslimi (2159).

[7] “Sahih Sunen Ebu Davud” (1881), Ebu Davudi (2149).

[8] Ahmedi (21695), Albani e saktësoi në “Silsiletu es Sahiha” (1470).


[There are no radio stations in the database]