[There are no radio stations in the database]

VLERA E SHAMIT NË KURAN DHE SUNET (3)

  1. Shami do të jetë kështjellë e fortifikuar përgjatë ditëve kur të përhapen fitnet dhe luftërat

Pejgamberi ﷺ tha: “Vërtet në momentin kur të ndodhin fitnet imani do të jetë në Sham.”[1]

Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë: “Do të ketë hixhret (emigrim) pas hixhretit (në Medinë).[2] Njerëzit më të dalluar në tokë do të jenë ata që do të emigrojnë në tokën ku emigroi Ibrahimi n, ndërsa ata që do të mbeten janë krijesat më të këqija (prej jobesimtarëve dhe kriminelëve). Këta njerëz toka do t’i hedhë prej një ane në anën tjetër dhe nga frika e zjarrit do të bëhen bashkë (për të ikur) me majmunët dhe derrat.”[3]

Hatabi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Hixhreti i dytë do të jetë për në Sham. Ky hadith e nxit myslimanin që Shamin ta marrë për vendqëndrim. Një prej veçorive të Shamit është vendi ku emigroi Ibrahimi n.[4]

Ibn Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ tregoi se banorët më të mirë të Tokës janë ata që emigrojnë në vendin ku emigroi Ibrahimi n (pra, në Sham); në krahasim me atë që shkon përkohësisht (e nuk e merr për vendqëndrim) ose largohet prej tij.”[5]

Para Kiametit, njerëzit më të mirë do të bëjnë hixhret për në Sham, kurse do të refuzojnë njerëzit më të këqij.

  1. Shami është vendi i grumbullimit (të njerëzve para se të ndodhë Kiameti) dhe vendi i ringjalljes (pasi të ndodhë Kiameti)

Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shami është vendi i grumbullimit (të njerëzve para se të ndodhë Kiameti) dhe vendi i ringjalljes (pasi të ndodhë Kiameti).”[6]

Përcillen disa hadithe që lajmërojnë se njerëzit do t’i grumbullojë zjarri (do të ikin prej zjarrit), i cili do të shfaqet prej anës së Jemenit ose Hadrameutit, ndërsa ata do të ikin në anën perëndimore. Domethënë, i bie për në tokat e Shamit.

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dytë!) përcjell se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do të shfaqet zjarr prej Hadrameutit ose nga drejtimi i detit të Hadrameutit para se të ndodhë Kiameti, me ç’rast njerëzit do të ikin prej tij.”

I thanë: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë na urdhëron: ku të shkojmë kur të paraqitet?”

Tha: “Shkoni në Sham.”[7]

Pra, Pejgamberi ﷺ lajmëroi që njerëzit të ikin në drejtim të Shamit në momentin kur të shfaqet zjarri. Ai kishte dijeni se Shami atëkohë do të jetë vendi më i mirë dhe më i sigurt për besimtarët prej vendeve të tjera. Pa dyshim se atë që e pyetën dhe e konsultuan është i besueshëm.[8]

Muavi ibn Hajdehu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do të grumbulloheni  atje”, duke bërë me shenjë në drejtim të Shamit, disa duke ecur në këmbë, disa të tjerë të hipur në kafshë, e disa të tjerë do të tërhiqen zvarrë përtokë me fytyrat e tyre.”[9]

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Qëllimi është para se të ndodhë Kiameti. Njerëzit e pranishëm nëpër vende të ndryshme do të ikin dhe do të grumbullohen në tokën e Shamit. Ata do të jenë tri lloje: disa do të vijnë vullnetarisht të hipur në kafshë, disa të tjerë herë do të ecin në këmbë e herë do të hipin në kafshë duke bërë ndërrime mes vete, ndërsa disa të tjerë, zjarri i cili do të shfaqet nga Lugina e Adnit (Jemenit), do t’i detyrojë të ikin pa vullnetin e tyre. Ata do të rrethohen nga zjarri prej pas e do t’i detyrojë të ikin nga të gjitha anët dhe të shkojnë në tokën e grumbullimit në Sham. E atë që refuzon të largohet, zjarri do ta hajë dhe do ta djegë.

Gjithë këto imazhe janë para se të shkatërrohet dynjaja dhe të ndodhë Kiameti.”[10]

“Toka e grumbullimit ku njerëzit nga gjithë anët e botës do të grumbullohen para se të ndodhë Kiameti do të jetë në Sham.

Njerëzit e mirë do të shpërngulen vullnetarisht me dëshirën e tyre në tokat e Shamit, kurse më të këqijtë e njerëzve frika nga zjarri do t’i çojë pa dëshirën e tyre të ikin prej vendbanimeve të tyre për t’u grumbulluar në Sham.”[11]

Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha: “Do të vijë një kohë kur çdo besimtar do t’u bashkëngjitet banorëve të Shamit në Sham.”[12]

Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha: “Do të vijë një kohë kur gomari që e çon pronarin e vet deri në Sham do të jetë më i dashur për pronarin se t’i jepet atij krejt dynjaja.”[13]

Shami do të jetë vendi i ringjalljes (pasi të ndodhë Kiameti); prej aty grumbullohen njerëzit për të dhënë llogari. Ata do të ringjallen prej varreve dhe më pas do të shkojnë për të dhënë llogari.

Kjo veçori i takon Shamit për shkak se Allahu për tokën e Shamit thotë: “… në tokën, të cilën e kemi bekuar për njerëzit.” (Enbija, 71) Po ashtu shumica e pejgamberëve u dërguan prej Shamit dhe mesazhi tyre u përhap nëpër botë. Për këtë shkak Shami ishte i përshtatshëm për të qenë toka e grumbullimit dhe vendi i ringjalljes.[14]

Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Allahu e bëri Shamin të jetë vendi ku do të grumbullohen para se të vijë Kiameti dhe vendi i ringjalljes pasi të ndodhë Kiameti. Para se të prishet dynjaja imani do të  përqendrohet në Sham. Banorët e tij do të jenë të kapur dhe të qëndrueshëm në fenë e Allahut. Shami do të jetë vendi i grumbullimit (të njerëzve para se të ndodhë Kiameti) dhe vendi i ringjalljes (pasi të ndodhë Kiameti).”[15]

  1. Në tokat e Shamit, para se të bëhet Kiameti, do të zhvillohen betejat e mëdha të përgjakshme

Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën kur do të ndodhë Beteja e Përgjakshme vendi ku myslimanët do të jenë të mbrojtur është në Guta (vend në Sham me shumë pemë dhe ujë) përballë një qyteti që i thuhet Damask, që është prej qyteteve më të mira të Shamit.”[16]

Kuptimi i hadithit është se fortifikata dhe streha e myslimanëve ditën kur të ndodhë Beteja e Përgjakshme është në Guta, afër Damaskut.

“Ky hadith tregon vlerën e Damaskut dhe banorëve të tij para se të ndodhë Kiameti. Ai do të jetë mburoja dhe streha e myslimanëve nga trazirat.

Ibn Asakiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Vlerën e Damaskut e shton më tepër hyrja e dhjetë mijë sahabëve, të cilët me sytë e tyre e kanë parë Pejgamberin ﷺ. Po ashtu Pejgamberi ﷺ vetë ka hyrë në Damask para se t’i vinte shpallja. Pastaj sërish, pasi i ka zbritur shpallja Natën e Israsë dhe gjatë kohës sa ishte në Betejën e Tebukut[17].” [18]

Abdullah ibn Muhajrizi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kalorësit më të mirë që qielli i ka mbuluar ndonjëherë janë kalorësit e Kajsit, të cilët dalin prej Gutës së Damaskut dhe e luftojnë Dexhallin.”[19]

Ibrahim ibn Xhunejdi (Allahu e mëshiroftë!) tregon se e ka dëgjuar Jahja ibn Meinin (Allahu e mëshiroftë!) kur ia përmendën hadithet që kanë të bëjnë me betejat e përgjakshme me romakët, të ketë thënë: “Nuk ka hadith më të saktë për vlerat e Shamit dhe banorët të tij se hadithi: “Vendstrehimi i myslimanëve ditën e betejave të përgjakshme është Damasku.”[20]

Auf ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë Betejës së Tebukut, shkova te Pejgamberi ﷺ, – i cili ndodhej në një tendë lëkure, – dhe më tha: “Mbaji në mend këto gjashtë gjëra para se të ndodhë Kiameti:

  1. Vdekjen time;
  2. Çlirimin e Bejtul Makdisit (Kudsit);
  3. Një epidemi që do t’ju vrasë sikurse listerioza e deleve[21];
  4. Përhapjen e pasurisë, saqë dikujt i jepen njëqind dinarë dhe më tej vazhdon të jetë i pakënaqur[22];
  5. Një sprovë që do të hyjë në çdo shtëpi të arabëve[23];
  6. Një paqe mes jush e romakëve, të cilët do t’ju tradhtojnë dhe do t’ju vijnë me tetëdhjetë flamuj, nën secilin flamur nga dymbëdhjetë mijë (ushtarë).”[24]

Në një transmetim tjetër te pika e gjashtë thuhet: “Një paqe mes jush dhe romakëve, të cilët do t’ju tradhtojnë dhe do t’ju vijnë me tetëdhjetë flamuj.”

I thashë (d.m.th. sahabiu e pyeti Pejgamberin ﷺ): “Cili është qëllimi?”

Pejgamberi ﷺ tha: “Nën secilin flamur ka nga dymbëdhjetë mijë (ushtarë), strehimorja e myslimanëve atë ditë do të jetë në Guta, në një qytet të quajtur Damask.”[25]

Dita e “betejave të përgjakura” është dita e madhe kur Shami do të jetë vendstrehimi i myslimanëve dhe mburoja prej fitneve, ndërsa ushtria e Shamit do të jetë nga ushtritë më të mira në tokë.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk do të ndodhë Kiameti pa zbarkuar romakët në vendin Amak, – ose ka thënë: Dabik, – të cilëve u del përballë një ushtri nga qyteti (Alepo), që janë njerëzit më të mirë në tokë në atë kohë. Kur të përballen mes vete, romakët do të thonë: “Na lini të shkojmë tek ata që na i kanë zënë robër familjet tona e t’i luftojmë!” Por, muslimanët do t’u thonë: “Jo, për Allahun, nuk do t’ju lëmë të shkoni te vëllezërit tanë.” Atëherë muslimanët i sulmojnë ata, e në atë rast një e treta e muslimanëve pësojnë disfatë, të cilëve Allahu nuk do t’ua falë kurrë, ndërsa një e treta vriten, të cilët do të jenë dëshmorët më të mirë tek Allahu, kurse një e treta e mbetur do të fitojnë. Ata kurrë nuk do të bien në sprovë dhe ata do ta çlirojnë Kostandinopojën. Teksa ata janë duke e ndarë prenë e luftës dhe shpatat i kanë të varura në drunjtë e ullirit, papritmas do të thërrasë shejtani: “Mesihu (Dexhalli) ka shkuar te familjet tuaja!” Në atë rast ata do të nisen menjëherë, porse kjo ishte vetëm gënjeshtër. Por, kur ata të arrijnë në Sham, Dexhalli do të shfaqet njëmend. Teksa ata përgatiten për luftë, i rreshtojnë safat dhe bëhet ikameti për namaz, do të zbresë Isai, i biri i Merjemes ﷺ, i cili do t’i udhëheqë ata. Armiku i Allahut (Dexhalli), kur ta shohë Isain ﷺ, do të tretet siç tretet kripa në ujë dhe, sikur ta linte kështu, ai do të tretej tërësisht derisa të vdesë, porse Allahu e vret Dexhallin përmes dorës së Isait ﷺ, dhe ai ua tregon gjakun e tij, në shtizë.”[26]

Pejgamberi ﷺ tha: “Kur të ndodhin betejat e përgjakshme, Allahu do të dërgojë një ushtri prej Damaskut, e përbërë prej prijësve të tyre. Ata janë më të mirët e arabëve nga aspekti i njohjes së kalërimit dhe më bujarët e arabëve nga aspekti i njohjes së armëve e përdorimit të tyre. Allahu nëpërmjet tyre do ta ndihmojë fenë e Tij.”[27]

  1. Në Sham do të zbresë Isai n para se të ndodhë Kiameti

Nevas ibn Semani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Një mëngjes i Dërguari i Allahut ﷺ e përmendi Dexhallin, me ç’rast herë e ulte zërin, herë e ngrinte, saqë na dukej se Dexhalli është te Kopshtet e Palmave. Kur u kthyem te Pejgamberi ﷺ, e kuptoi se çfarë na brente, andaj na pyeti: “Çfarë keni?” I thamë: “O i Dërguari i Allahut, një mëngjes na e ke përmendur Dexhallin: herë me zë të ulët, herë me të lartë, saqë na dukej se Dexhalli është te Kopshtet e Palmave!” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Ka gjëra të tjera që ua kam frikën për ju më shumë sesa Dexhalli. Nëse ai del, duke qenë unë në mesin tuaj, unë polemizoj me të e ju mjaftoj juve. Por, nëse shfaqet pasi të kem vdekur, secili njeri le ta mbrojë veten me argumente. Allahu pas vdekjes sime do të mbrojë çdo musliman. Dexhalli është djalosh, flokëkaçurrel, syrin e ka të shuar e pa dritë, që unë e ngjasoj me Abduluza ibn Katanin. Kushdo prej jush që e arrin atë, le t’ia lexojë atij fillimin e sures Kehf. Ai do të shfaqet në rrugën mes Shamit e Irakut dhe do të shkatërrojë djathtas e majtas. O robërit e Allahut, qëndroni në fe!”

– O i Dërguari i Allahut, sa kohë do të qëndrojë në Tokë? – e pyetëm.

– Dyzet ditë: një ditë do të jetë sa një vit, një ditë tjetër sa një muaj, një ditë tjetër sa një javë, kurse ditët e tjera do të jenë sikurse ditët e zakonshme, – na tha Pejgamberi ﷺ.

– O i Dërguari i Allahut, po në këtë ditën që është sa një vit, a na mjaftojnë namazet e një dite? – e pyetëm.

– Jo, por çdo namaz e llogaritni sipas kohës (së zakonshme), – tha Pejgamberi ﷺ.

– O i Dërguari i Allahut, me çfarë shpejtësie do të lëvizë ai në Tokë? – e pyetëm.

– Sikurse retë që i lëviz era. Shkon te një popull, të cilët i thërret (që t’i besojnë atij), e ata i besojnë dhe i përgjigjen atij. Ai e urdhëron qiellin dhe bie shi, e urdhëron tokën dhe ajo i nxjerr bimët. Bagëtitë e tyre u kthehen më të shëndosha, me më shumë qumësht, e me ije të trasha. Pastaj shkon te një popull, i thërret ata (që t’i besojnë atij), por ata nuk u besojnë fjalëve të tij. Kështu, ai largohet prej tyre, ndërsa ata, kur të gdhihen, i kaplon thatësia, e nuk do t’u mbetet asgjë prej pasurisë (bagëtive). Dexhalli kalon nga një tokë e shkretë e i thotë: “Nxirri thesaret e tua!” Kështu, thesaret e tokës do t’i vihen Dexhallit pas sikurse bletët pas amës së tyre. Pastaj do të thërrasë një djalosh të ri e të fortë dhe do ta godasë me shpatë, të cilin do ta ndajë në dy pjesë të largëta mes vete, aq sa gjuhet objektivi, mandej e thërret (të vdekurin), i cili vjen duke i shndritur fytyra dhe duke qeshur. Teksa ai është në këtë gjendje, Allahu e dërgon Isain ﷺ, të birin e Merjemes, i cili zbret te Minarja e Bardhë, në lindje të Damaskut. Isai ﷺ do të ketë të veshur dy rroba të lyera (me vers e me shafran), ndërsa dy duart i ka të vendosura mbi dy melekë. Kur ta ulë kokën, i pikon ujë, e, kur ta ngrejë, i bien pikat e ujit sikurse margaritarë. Çdo jobesimtar që e ndien erën e Isait ﷺ, do të vdesë, ndërsa era e tij nuhatet atje ku arrin shikimi. Isai ﷺ e kërkon Dexhallin, derisa ta arrijë atë te porta e vendbanimit Ludë (afër Jerusalemit) dhe e vret atë. Pastaj Isai ﷺ, i biri i Merjemes, shkon te një popull të cilët i ka ruajtur Allahu prej Dexhallit, ua fshin (pluhurin nga) fytyrat dhe u flet për shkallët e tyre që do t’i kenë në Xhenet. Teksa Isai ﷺ është në këtë gjendje, Allahu i shpall atij: “Unë kam nxjerrë disa robër të Mi, që askush nuk mund të luftojë kundër tyre, andaj tuboji robërit e Mi (besimtarët), te Kodra Tur.” Kështu, Allahu i nxjerr jexhuxhët e mexhuxhët, ndërsa ata do të zbresin nga çdo kodrinë. Të parët e tyre kalojnë nga Liqeni Taberije dhe e pinë tërë ujin që gjendet aty. E, kur të kalojnë të fundit, do të thonë: “Në këtë liqen dikur ka pasur ujë!” I dërguari i Allahut Isa ﷺ, së bashku me shokët e tij, do të mbeten të rrethuar, saqë koka e një demi do të jetë më e vlefshme për ndonjërin prej tyre sesa njëqind dinarë që janë për ju sot. Isai ﷺ dhe shokët e tij do të luten, kështu që Allahu do t’u dërgojë një krimb në qafat e jexhuxhëve e mexhuxhëve dhe ata do të bien të vdekur përnjëherë siç vdes një person i vetëm. Pastaj i dërguari i Allahut Isa ﷺ dhe shokët e tij do të zbresin në tokë, por nuk do të gjejnë vend në të as sa një pëllëmbë përveçse është mbushur me dhjamin dhe me qelbësirat e tyre. Atëherë i dërguari i Allahut Isa ﷺ dhe shokët e tij i luten Allahut, kështu që Allahu dërgon shpendë, qafat e të cilëve janë sikurse të deveve. Këta shpendë do t’i bartin të vdekurit dhe do t’i hedhin ku të dojë Allahu, e më pas Allahu zbret një shi, prej të cilit nuk mund të mbrohet asnjë shtëpi prej balte e as prej gëzofi. Ky shi do ta pastrojë tokën, saqë do ta lërë sikurse të ishte pasqyrë. Pastaj i thuhet Tokës: “Nxirri frutat e tua dhe ktheje bereqetin tënd!” Atëkohë, prej një shege do të hanë një grumbull njerëzish, madje do të strehohen në hijen e lëvores së shegës. Edhe në qumësht shtohet bereqeti, madje qumështi i devesë që porsa është shtuar, do t’i mjaftojë një grupi njerëzish. Po ashtu, qumështi i një lope, që porsa është shtuar, do t’i mjaftojë një fisi njerëzish. Njashtu, qumështi i një deleje, që porsa është shtuar, do t’i mjaftojë një familjeje. Teksa këta janë në këtë gjendje, Allahu dërgon një erë të mirë, e cila do t’i marrë ata dhe shfaqet përmes një dhimbjeje te nënsqetullat. Ajo ia merr shpirtin çdo besimtari dhe çdo muslimani, ndërkohë do të mbeten njerëzit më të këqij. Ata do të bëjnë marrëdhënie intime (nëpër rrugë, haptazi) siç bëjnë gomarët. Mbi këta do të bëhet Kiameti”, – tha Pejgamberi ﷺ.”[28]

Janë më shumë se një mendim rreth Minares së Bardhë se a është minarja lindore e Xhamisë Emevite[29], apo është minarja e tanishme në lindje të Damaskut, e cila njihet me emrin “Dera Lindore”.

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Minarja e Bardhë gjendet sot në lindje të Damaskut.”[30]

Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sipas të gjitha gjasave prej haditheve kuptohet se Isai n do të zbresë te porta e qytetit në lindje të Damaskut.

Të tjerët thonë se zbret te Minarja e Bardhë në lindje të Xhamisë Emevite. Megjithatë, kjo bie në kundërshtim me kuptimin sipërfaqësor të haditheve që janë transmetuar rreth kësaj çështjeje.”[31]

  1. Shami do të jetë vendstrehimi i myslimanëve prej jexhuxhëve dhe mexhuxhëve

Në hadithin e gjatë të Nevas ibn Semanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), pasi përmendet vrasja e Dexhallit, Pejgamberi ﷺ tha: “… Pastaj Isai ﷺ, i biri i Merjemes, shkon te një popull që i ka ruajtur Allahu prej Dexhallit, ua fshin (pluhurin nga) fytyrat dhe u flet për shkallët e tyre që do t’i kenë në Xhenet. Teksa Isai ﷺ është në këtë gjendje, Allahu i shpall atij: “Unë kam nxjerrë disa robër të Mi, që askush nuk mund të luftojë kundër tyre, andaj tuboji robërit e Mi (besimtarët), te Kodra Tur.” Kështu, Allahu i nxjerr jexhuxhët e mexhuxhët, ndërsa ata do të zbresin nga çdo kodrinë. Të parët e tyre kalojnë nga Liqeni Taberije dhe e pinë tërë ujin që gjendet aty. E, kur të kalojnë të fundit, do të thonë: “Në këtë liqen dikur ka pasur ujë!” I dërguari i Allahut Isa ﷺ, së bashku me shokët e tij, do të mbeten të rrethuar, saqë koka e një demi do të jetë më e vlefshme për ndonjërin prej tyre sesa njëqind dinarë që janë për ju sot. Isai ﷺ dhe shokët e tij do të luten, kështu që Allahu do t’u dërgojë një krimb në qafat e jexhuxhëve e mexhuxhëve dhe ata do të bien të vdekur përnjëherë, siç vdes një person i vetëm…”[32]

Te porta e vendbanimit Ludë (afër Jerusalemit ) do të vritet Dexhalli.

Te Kodra Tur (që gjendet në Sham) do të jetë vendstrehimi për t’u mbrojtur nga fitneja e jexhuxhëve dhe mexhuxhëve.

Më pas Allahu do të japë bereqet, mirësi dhe jetesë të këndshme me bollëk.

Si përfundim mund të themi: “Pasi Medina të shkatërrohet, pasi Dexhalli të dalë, pasi Isai të zbresë, pasi jexhuxhët dhe mexhuxhët të dalin, pasi zjarri të shfaqet, që është prej shenjave të para të Kiametit, dhe pasi Allahu të dërgojë një erë të mirë, e cila do t’ia marrë shpirtin çdo besimtari dhe çdo muslimani; Shami do të qëndrojë i ndërtuar dhe i përshtatshëm për banorët e tij që të jetojnë në të.”[33]

“Pasi pozita e Shamit dhe banorëve të tij tek Allahu është e lartë, e ata janë nën kujdesin dhe mbrojtjen e Allahut, ndërkohë të gjitha argumentet tregojnë se Damasku është qyteti më i mirë i Shamit pas Kudsit; për këtë shkak lajmëroi selefi (gjeneratat e para) dhe dëshmuan gjeneratat e mëvonshme se kush e sundon Damaskun, e përhap të mirën dhe drejtësinë te banorët e tij, s’ka dyshim që fitorja do të zbresë nga qielli mbi Damaskun, zemrat e punëmirëve, dijetarëve dhe njerëzve të zgjedhur do ta duan atë njeri, ndërsa zemrat e armiqve do të mbushen me frikë.

E kush i trajton ata ndryshe; duke i dëmtuar e duke i sprovuar ose duke u treguar para tyre kryelartë dhe tiran, Allahu nuk e lë pa e dënuar dhe ndëshkimin e Tij nuk e vonon, por e përshpejton atë, duke ia marrë pushtetin gjatë jetës së tij ose duke e futur në bela të ndryshme, vuajtje dhe mjerim. E gjithë kjo për shkak se ata janë nën mbrojtjen e Zotit të qiejve e Tokës, ashtu si lajmëroi i Dërguari i Allahut ﷺ.”[34]

Por, patjetër të dimë që shenjtëria e vendit dhe vlera e tij nuk i bëjnë dobi njeriut nëse atë nuk e shoqërojnë veprat e mira.

Mirësia e vazhdueshme në çdo kohë dhe vend vërtet vjen me imanin dhe veprat e mira. Andaj, çdo vend dhe çdo kohë që njeriun e përkrah të arrijë deri në mirësi llogaritet më i miri për të dhe më i ploti për rritjen e shkallëve te Zoti i tij.

Abdullah ibn Hubejra (Allahu e mëshiroftë!) përcjell se Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili në atëkohë ishte gjykatës, i shkroi një letër Selman Farisiut (Allahu qoftë i kënaqur me të!) me fjalët: “Eja në Tokën e Shenjtë (Shamin), tokën e luftës në rrugë të Allahut.”

E Selmani ia ktheu: “Toka nuk shenjtëron askënd, njeriun e shenjtëron vetëm vepra e tij.”[35]

Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri: LUM PËR SHAMIN! – i përkthyer në gjuhën shqipe)

 

[1] Ahmedi (21226), hadithin e saktësoi Bejhakiu, Ibn Haxheri në “Fet’hul Barij” dhe Albani.

[2] Hixhreti do të jetë për në Sham pasi ishte hixhreti në Medinë. (sh.a.)

[3] Albani e saktësoi në “Es Sahiha” (3203).

[4] “Mealim Es Sunen” (2/236).

[5] “Mexhmua el Fetava” (27/509).

[6] “Musned Bezar” (9/382), Albani e saktësoi hadithin.

[7] Tirmidhiu (3143), Albani e saktësoi hadithin.

[8] “Tergib Ehlu el Islam” (f. 4).

[9] Ahmedi (19520) me zinxhir të mirë. Shih: “Fet’hul Barij”, Ibn Haxheri (11/380).

[10] “Bidaje ve Nihaje” (19/332).

[11] “Letaif Mearif” (f. 88-89), “Mexhmua resail Ibn Rexheb” (3/238).

[12] Hakimi (8413) dhe e saktësoi.

[13] Ibn Ebu Shejbe (38427) dhe në zinxhirin e hadithit transmetuesit janë të besueshëm.

[14] “Fejdul Kadir” (4/171).

[15] “Mexhmua Resail Ibn Rexheb” (3/179).

[16] Ebu Davudi (4298), Albani e saktësoi.

[17] Se ka qenë në Damask gjatë kohës së Tebukut, nuk ka argumente të forta. (sh.p.)

[18] “Avnul Mabud” (11/274).

[19] “Tarih Dimeshk”, Ibn Asakiri (1/272).

[20] “Tarih Dimeshk” (1/231).

[21] Është sëmundje që i godet delet: prej hundëve të tyre rrjedh diç dhe ngordhin menjëherë. Po ashtu mund t’i prek edhe kafshët e tjera. “Umdetu el Karij” (15/100). Ndërkaq, Ibn Haxheri në “Fet’hul Barij” (6/278) thotë se këto simptoma janë paraqitur në epideminë e Amvasit në periudhën kur ishte Omeri kalif i myslimanëve.

[22] Kjo ka ndodhur në kalifatin e Othmanit pas çlirimeve të mëdha. “Fet’hul Barij” (6/278).

[23] Fitneja e përmendur këtu filloi me vrasjen e Othmanit dhe vazhduan fitnet pas kësaj ndodhie. “Fet’hul Barij” (6/278).

[24] Buhariu (3176).

[25] Ahmedi (23465) me zinxhir të mirë.

[26] Muslimi (2897).

[27] Hakimi (8646) dhe e saktësoi sipas kushteve të Buhariut. Imam Dhehebiu tha se është sipas kushteve të Muslimit. Albani e vlerësoi hadithin si të mirë në “Es Sahiha” (2777).

[28] Muslim (2937).

[29] “El Bidaje ve en Nihaje” (9/304).

[30] “Sherh Sahih Muslim” (18/67).

[31] “Mexhmua resail Ibn Rexheb” (3/276).

[32] Muslimi (2937).

[33] “Mexhmua resail Ibn Rexheb” (3/235).

[34] “Tergib Ehlu El Islami” (f. 10).

[35] Maliku në “Muvata” (1500), Lalekai në “Sherh Usul Iëtikad Ehlu Suneti ve El Xhema’” (5/1019).

 

 

 

 


[There are no radio stations in the database]