[There are no radio stations in the database]

NGUSHËLLIMI I SHPIRTRAVE DHE LARGIMI I MËRZISË

Virtytet e larta janë cilësi prej cilësive të profetëve, të sinqertëve dhe të njerëzve të mirë. Me to arrihen gradat, rriten pozitat dhe si fryt e japin dashurinë dhe miqësinë, kurse e kundërta e saj si fryt jep urrejtjen, zilinë dhe kthimin e shpinës ndaj njëri-tjetrit. Për këtë i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, nxiste për moral të mirë dhe të kapurit për të, si dhe për bashkim në mes moralit të mirë dhe devotshmërisë. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij!, përcjellë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, u pyet për veprat që njerëzit më së shumti i fusin në xhenet. U përgjigj: “Devotshmëria dhe morali i mirë.”[1]

Ngushëllimi i shpirtrave të thyer dhe qetësimi i ndjenjave të të sprovuarve është ndër shkaqet më të mëdha për miqësim dhe dashuri në mes myslimanëve, prandaj qetësimi i ndjenjave cilësohet edukatë e lartë islame dhe moral madhështor dhe nuk pajiset me të pos atij që ka shpirt fisnik dhe bujar.

Ngushëllimi i shpirtrave dhe largimi i mërzisë është adhurim me vlerë të madhe, derisa ka dijetarë që i kanë përmendur në kapitujt e besimit. Ismail ibën Muhamed el-Asbahanij, Allahu e mëshiroftë!, tha: “Prej besimit të ehlusunetit është përkujdesja për të varfrit dhe të qenurit i mëshirshëm me krijesat e Allahut.”[2]

Ithtarët e sunetit e njohin të vërtetën dhe i mëshirojnë krijesat. Ata e duan të mirën dhe udhëzimin për të tjerët, janë më zemërgjerët, më të mëshirshmit, më të dhembshmit dhe më të sinqertët në këshillat e tyre. Dijetari i Islamit, IbënTejmije, Allahu e mëshiroftë!, thotë: “Imamët e sunetit dhe xhematit, dijetarët dhe besimtarët, posedojnë dituri, drejtësi dhe mëshirë. E njohin të vërtetën që është në përputhshmëri me sunetin. Ata janë të mëshirshëm me krijesat dhe e duan për ta mirësinë, udhëzimin dhe diturinë.”[3]

[1]Ibën Maxheh (4246), shejh Albani e vlerësoi si hadith të mirë.

[2]El-Huxhetu fi bejanel-Mehaxheh (2/571).

[3]Er-Reddu ala el-bekrij (2/490).

Dr. Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri: Ngushëllimi i shpirtrave dhe largimi i mërzisë)


[There are no radio stations in the database]