[There are no radio stations in the database]

POROSI DREJTUAR ÇDO PRINDI DHE EDUKATORI

Ndoshta vitet ndikuan të harroni moshën e rinisë dhe problemet që i vuajnë të rinjtë nga kurthet e shejtanit. Shpresoj që fjalët e mia t’jua kthjellin mendjen që ta kuptoni realitetin e rrezikut për fëmijët tuaj.

Kujtoni hadithin e Pejgamberit ﷺ që thotë: “Të gjithë jeni barinj dhe të gjithë jeni përgjegjës për kopenë tuaj. Burri është bariu i familjes dhe ai është përgjegjës për anëtarët e familjes së tij.”[1]

Para së gjithash kujtoni fjalët e Allahut: O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ata.” (Et Tehrim, 6)

Një revistë kuvajtiane në hulumtimin e saj rreth problemeve të të rinjve e përshkroi rastin e një të riu, i cili tha: “Familja janë përgjegjës në radhë të parë. Unë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë babanë të më pyesë se ku po shkoj dhe me kë po shoqërohem.”

Një i ri tjetër që u rikthye në Qendrën e Kujdesit social në Riad, pasi kishte dalë më herët prej aty, krejt barrën e fajit ia hodhi prindit të vet: “Babait nuk i interesonte a e fal namazin apo jo, a i respektoj urdhrat e Allahut apo jo. Sikur të isha edukuar me Islam, do të pajisesha me parzmore kundër shejtanit dhe intrigave të tij. Për këtë shkak isha i dobët në fe dhe u ballafaqova me devijime herë pas herë, gjë që më bëri të kthehesha sërish në këtë qendër.”[2]

– Dëshiroj t’ju jap disa sugjerime:

  1. U pajtuam që imani është fortifikatë që mbron prej gjynahut, andaj kujdesuni ta mbillni atë në zemrat e fëmijëve tuaj. Edukoni fëmijët ta duan Allahun dhe të Dërguarin e Tij m.
  2. U pajtuam që medoemos të mbyllet çdo rrugë që çon te gjynahu, andaj merrni vendim të prerë si do ta trajtoni çështjen e televizorit, internetit dhe revistave të fëlliqura.
  3. Buzëqeshjen, qetësinë dhe gëzimin që i përjeton i riu me shokët të këqij, sigurohuni t’i gjejë në ambientet e shtëpisë. Marrëdhëniet mes jush bëjini vëllazërore e jo ushtarake. Ato kënaqësi që i riu i përjeton me shokët, mundohuni t’i ndiejë në shtëpi me ju. Duke ua plotësuar nevojat shpirtërore brenda ambientit familjar, i ruani nga shoqëria e keqe.
  4. O ti prind dhe o ti edukator! Mendoni se fëmija me shumë lehtësi do ta hapë gjoksin të shprehet për problemet e tij personale? Pse nuk angazhoheni ta thyeni këtë barrierë e t’i edukoni fëmijët tuaj të jenë të hapur në bisedë me ju?
  5. Kujdes dy herë nga besimi i verbër! Nuk ju nxis të keni mendim të keq për fëmijët tuaj, por duhet të jeni në dijeni se ju jeni të fundit që fëmija ka dëshirë të kuptoni për gjendjen e tij nëse ajo është e keqe. Ai para jush do të shfaqet sikurse nuk ka ndodhur gjë.
  6. Ndoshta nuk keni harruar që fëmijën tuaj e porositëm të shoqërohet me shokë të mirë, andaj përkrahni në këtë rrugë dhe lehtësojani gjendjen duke u gjetur shokë të mirë. Dijeni se, nëse fëmija juaj nuk shoqërohet me të mirët, do ta shoqërojnë atë të këqijtë, kështu që fëmijës zgjidhjani shokët që mendoni se janë të përshtatshëm për ta.
  7. Nëse zbuloni se fëmija juaj ka rënë në gjynah, kini kujdes nga nxitimi për të ndërmarrë ndonjë hap të pamenduar mirë. Problemi, përskaj rrezikut, kërkon zgjidhje të studiuar mirë. Në pyetje është jeta e fëmijës suaj.

Pakujdesia juaj për fëmijën me vite të tëra ka lënë pasoja të rënda, andaj mos mendo se qortimi dhe rrahja janë zgjidhja. Ajo që ju ndihmon në këso rastesh janë mësuesit që keni besim në ta ose imami i xhamisë, ose te personat e besueshëm kini besim në ta. Më e mira është të bisedoni me ta dhe t’ua tregoni rastin, të kërkoni prej tyre mendimin dhe përkrahjen e tyre.

  1. E, nëse bijtë ose bijat tuaja janë për martesë, çfarë ju pengon juve t’i përkrahni në zbatimin e porosisë profetike: “O ju të rinj! Kush i ka mundësitë të martohet, le të martohet…”?

O ti prind, o ju të rinj dhe të reja! Këta rreshta që i shkrova ishin përpjekje modeste që t’ju drejtohem me porosi dhe një pjesë e obligimit tim kundrejt jush. Shpresoj këto porosi të prekin zemrat tuaja dhe të jenë të dobishme për jetën tuaj.

Allahu na dhëntë mbarësi dhe sukses!

Paqja, mëshira dhe bereqeti i Allahut qofshin mbi ju!

[1] Buhariu (7138), Muslimi (1829), Tirmidhiu (1705), Ebu Davudi (2938).

[2] Revista “Dar el Mulahadha”, numri 3, (f. 51-52).

 

Dr. Muhamed ed Duvejshi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri: “SI TË BALLAFAQOHESH ME EPSHIN” – i përkthyer në gjuhën shqipe)


[There are no radio stations in the database]