Politika dhe lufta aktivizojnë të njëjtat pjesë të trurit

Një studim i fundit ka zbuluar se njerëzit bëhen agresivë prej politikës, po aq sa dhe ndaj luftës. Për këtë ‘fajin’ e ka një rajon që aktivizohet në tru. Zbuloni aleancat e fshehta të mendjes me politikën, gjininë, moshën dhe racën.

Ne të gjithë grindemi për shijet muzikore, zgjedhjet e filmave dhe preferencat ushqimore. Por kur vjen puna te politika, biseda ndizet shumë shpejt dhe kthehet sa hap e mbyll sytë në diçka jo të mirë.

Tani, një studim i ri, ka zbuluar se kjo mund të vijë për shkak se bisedimet për politikë aktivizojnë të njëjtën pjesë të trurit si lufta.

“Për sa i përket trurit tonë, bindjet politike shihen më tepër si anëtarësi në një grup bandash, ose në një klikë, sesa si qëndrim filozofik me pasion”, tha David Pietraszewski, një ish-kërkues në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara.

Teksa ky sistem i evoluar vëren dhe merr informacion rreth aleancave politike të dikujt, ai fillon të shpërfillë fakte të tjera kyçe rreth aleancave të mundshme.

Dhe një prej këtyre fakteve është shpërfillja ndaj racës.

“Truri ynë nuk është i projektuar të merret me racën”, shpjegoi John Tooby, profesor i antropologjisë në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara, gjithashtu drejtor i Qendrës për Psikologjinë Evolucionare dhe autor i një studimi.

“Në vend të kësaj, truri ynë është projektuar të marrë pjesë në koalicion dhe raca përfshihet vetëm kur parashikohet se kush është aleat me kë”, tha profesori.

Kjo është arsyeja përse politikanët e suksesshëm nuk kanë nevojë të jenë të të njëjtit grup etnik si shumica e mbështetësve të tyre. Koalicioni është nxitësi i vërtetë i mendjes së evoluar, jo raca.

Njerëzit vijnë nga një histori evolucionare që përfshinte konflikt mes grupeve dhe fraksioneve.

Ishte e rëndësishme që individët të dinin, nëse do të ndodhte një mosmarrëveshje, se cilët persona do t’i qëndronin pranë dhe cilët nuk ishin me ta.

“Ndërsa bota është plot me kategori sociale si atletët, hidraulikët, të moshuarit apo të stresuarit, vetëm pak kategori interpretohen nga mendja si koalicione – një grup individësh që veprojnë së bashku dhe mbështetin njëri-tjetrin ndaj rivalëve”, shtoi kërkuesi.

“Në botën e vogël sociale të paraardhësve tanë, politika ishte personale”.

“Për paraardhësit tanë gjuetarë, hamendësimi i gabuar rreth aleatëve mund të kishte pasoja reale”, vërejti Leda Cosmides, profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë.

Për të testuar teorinë e tyre në një sistem ‘ne kundër tyre’, kërkuesit u treguan pjesëmarrësve një bisedim të qetë dhe të qytetëruar midis tetë republikanëve dhe demokratëve.

Secila anë përbëhej nga dy individë me ngjyrë dhe dy të tjerë, të gjithë shprehën mendime tipike për partitë e tyre respektive. Pjesëmarrësit më pas panë pjesë nga biseda dhe iu kërkua të thoshin se cili individ shprehu secilin mendim.

Rezultatet treguan se pjesëmarrësit kategorizuan në mënyrë spontane folësit nga partia e tyre politike dhe kjo shkaktoi një rënie në kategorizimin racial.

“Për shkak se ne jetojmë në një shoqëri ku raca parashikon format e mbështetjes së përbashkët – bashkëpunimit dhe konfliktit – sistemi ynë i aleancave në tru, në mënyrë spontane i grupon njerëzit sipas racës dhe i përdor këto kategori kur nuk ka fakte të tjera për aleancë”, shpjegoi Cosmides.

Për vite, psikologët provuan shumë mënyra të ndryshme për të reduktuar kategorizimin racial, por ata të gjithë dështuan. Ata menduan se mund të ishte e pakthyeshme. Por kërkime të mëparshme të po së njëjtës qendër, kanë treguar se ka një kontekst shoqëror që ul ndjeshëm kategorizimin racial.

“Kur raca nuk parashikon më aleancat dhe koalicionet, por ka të tjera prova për këto, tendenca për t’i kategorizuar njerëzit sipas racës, zbehet dhe ndonjëherë zhduket”.

Kërkuesit kryen eksperimente paralele në varësi të gjinisë dhe moshës në vend të racës. Në eksperimentet e gjinisë, secila parti politike përbëhej nga dy burra dhe dy gra. Në eksperimentet e moshës, secila parti përbëhej nga dy 20-vjeçarë dhe dy 70-vjeçarë, të gjithë të së njëjtës gjini.

Pjesëmarrësit i kategorizuan folësit nga partia e tyre politike, edhe pse anëtarët varionin nga raca, gjinia dhe mosha.

Eksperimenti zbuloi se kategorizimi racial u ul, por ai gjinor dhe i moshës mbeti i lartë.

Sipas Pietraszewski, ky model kategorizimi nga partia politike për të shpërfillur racën por jo moshën dhe gjininë, ishte i parashikuar shumë kohë më parë.

“Ai vjen nga hipoteza se mendja jonë e trajton racën dhe politikën, si arsye për të bërë aleancë”, shpjegoi studiuesi. /gazetashqip/