Letër nga Meka – Mallkollm X

Kurrë nuk kam pritur një mikpritje aq të sinqertë dhe vëllazëri aq të fortë shpirtërore, sikur që njerëzit e të gjitha ngjyrave dhe racave e praktikojnë në këtë qytet te shenjtë, në vendlindjen e Ibrahimit, Muhamedit dhe të shumë të Dërguarve të tjerë, paqja dhe lavdërimi i Zotit qoftë mbi ta.

Ndihem shumë i nderuar që kam vizituar qytetin e shenjtë, Meken. Jam sjellur shtatë herë rreth Qabesë me udhëheqësin që quhej Muhamed. Kam pirë ujë prej burimit Zemzem. Shtatë herë kam vrapuar mes kodrave Safa dhe Merve. Jam falur në Mina dhe ne kodrën Arafat.

Qindra mijëra haxhi ishin mbledhur nga të gjitha anët e botës. Ishin të ngjyrave të ndryshme: nga të bardhët flokëverdhë me sy të kaltër, deri të afrikanët e zinj. Të gjithë merrnim pjesë në rite të njëjta dhe tregonim barazi dhe vëllazëri shpirtërore, të cilën, sipas përvojës time, në Amerikë kurrë nuk do ta shoh mes të bardhëve dhe zezakëve.

Amerika duhet ta kuptojë Islamin, sepse kjo është feja e vetme që rregullon problemet racore. Gjatë udhëtimit tim në botën Islame kam takuar njerëz, kam biseduar me ta, madje edhe kam ngrënë me ta, ndërsa të njëjtit njerëz në Amerikë do ta konsideronin veten si “të bardhë”. Megjithatë, këtyre njerëzve Islami ua kishte larguar nga mendja të menduarit për përsosmërinë e të bardhëve. Kurrë më parë nuk kam përjetuar sinqeritet, e as vëllazëri më të sinqertë, e cila praktikohej pavarësisht ngjyrës së lëkurës.

Ndoshta do të befasoheni nga këto fjalë, por, atë që kam parë dhe përjetuar në këtë pelegrinazh ka ndikuar në ndryshimin e shumë mendimeve të mia si dhe refuzimin e shumë konkluzioneve të mëparshme. Kjo nuk ishte e vështirë.

Pavarësisht bindjeve të mia, gjithmonë kam qenë njeri që jam ndeshur me fakte dhe kam pranuar realitetin si një përvojë dhe dituri të re.

Gjatë njëmbëdhjetë ditëve të fundit në këtë botë Islame kam ngrënë nga e njëjta enë, kam pirë nga e njëjta gotë dhe kam fjetur në të njëjtin qilim me bashkudhëtarët e mi muslimanë, sytë e të cilëve ishin të kaltër, flokët e të cilëve ishin të verdha, dhe lëkurat e të cilëve ishte e bardhë.

Në fjalët dhe veprat e muslimanëve te bardhë unë kam vërejtur te njëjtin sinqeritet sikurse tek muslimanët me ngjyrë të zezë nga Nigeria, Sudani dhe Gana.

Në të vërtetë kemi qenë të gjithë të njëjtë sepse besimi në një Zot, me mendjet, sjelljet dhe qëndrimet e tyre ka larguar atë bindje “i bardhë”.

Nga kjo kam ardhur në përfundim se nëse Amerika e “bardhë” do ta pranonte besimin në një Zot, atëherë do të pranonte realitetin e çdonjërit dhe do t’i linte ndarjet dhe dëmtimin e njerëzve për shkak të ngjyrës së tyre.

Çdo orë e kaluar në këtë tokë të shenjtë më ndihmon t’i shikojë nga aspekti fetar ngjarjet mes të bardhëve dhe zezakëve në Amerikë.

Nuk mund të akuzohet zezaku amerikan për armiqësi racore, sepse ai vetëm po reagon ndaj racizmit 400 vjeçar të amerikanëve të bardhë.

Nga përvojat e mija që kam me amerikanët e bardhë, mendoj se me racizëm Amerika është në rrugën e vet drejt shkatërrimit. Shpresoj që brezat e ri, të cilët do të shkojnë në shkolla të larta dhe universitete, do t’i lexojnë shkrimet (mesazhet) nëpër mure dhe shumë prej tyre do t’i kthehen rrugës së drejtë: fesë Islame, e cila është e vetmja mënyrë që Amerika të shpëtojë nga katastrofa e racizmit.

Kurrë nuk kam qenë aq i respektuar !

Kurrë deri më tani nuk isha ndier aq modest dhe me dinjitet! Kush do të thoshte se një mirësi e tillë mund t’i ndodhte një zezaku amerikan?!

Para disa netësh ma kishte liruar dhomën dhe krevatin e tij një diplomat i UN-it, përndryshe ambasador dhe mik i Mbretit, i cili në Amerikë do të ishte etiketuar me “i bardhë”. As nuk kam ëndërruar ndonjëherë se do të më bëhej një nder i tillë … nder i cili në Amerikë do t’i tregohej vetëm një Mbreti, e assesi një zezaku.

Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve.

El-Haxh Malik El-Shabazz – Malcolm X

Shënim: Kjo është një pjesë e letrës të cilën ia kishte shkruar familjes së tij gjatë haxhit në prill të vitit 1964.