thumbs_b_c_411953c9277ec0dde54880ec1705bf98

Kosovë, minatorët e ndërmarrjes Trepça tashmë dy ditë në grevë urie

Punëtorët që punojnë në minierën e Trepçës në veri të Kosovës kanë nisur tash e dy ditë një grevë urie afërsisht 700 metra nën tokë, duke kërkuar që pagat e tyre të paguhen me kohë dhe të përmirësohen kushtet e tyre të punës, raporton Anadolu.

Rreth 300 punëtorë të minierës të cilët punojnë në prodhimin e plumbit dhe zinkut të ndërmarrjes shtetërore Trepça në fshatin Stanterg të Mitrovicës, kanë nisur një grevë urie që nga 24 tetori duke kërkuar që pagat e tyre të paguhen me kohë, të përmirësohen kushtet e tyre të punës, përfshirë sigurimin shëndetësor për punëtorët, dhe që kryesia aktuale e ndërmarrjes të shkarkohet.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, në një prononcim për Anadolu tha se punëtorët e minierës, të vendosur rreth 700 metra nën tokë, janë në grevë urie për më shumë se 30 orë.

Januzi tha se minatorët nuk do ta ndërpresin grevën derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

“Kërkesat tona janë: pagesat e pagave nga data 6 deri në datën 10 të çdo muaji pune, shkarkimi i menaxhmentit, gjithashtu edhe sigurimet shëndetësore dhe kushtet më të mira të punës” tha ai.

Punonjësi i minierës Riza Baliu, i cili u sëmur gjatë grevës mbrëmë dhe u shtrua në spital, theksoi se do t’i bashkohet kolegëve të tij pavarësisht këshillës së mjekëve që të mos vazhdojë grevën.

“Nuk po e ndiej veten mirë me shëndet momentalisht, por përsëri do të shkoj poshtë (në minierë)”, tha shkurt ai.

Është vënë re se disa nga punëtorët e minierës, të cilët kishin më shumë se 24 orë në grevë urie, ishin të lodhur dhe kishin probleme shëndetësore, ndërsa në hyrje të minierës priste autoambulanca dhe punonjësit e shëndetësisë.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës në një mbledhje të mbajtur të hënën mori vendim për ndarjen e 1 milionë e 675 mijë eurove për ndërmarrjen Trepça.

E themeluar në fillim të shekullit të 20-të, Trepça ishte ndër kompanitë më të mëdha në ish-Jugosllavi dhe ndër minierat më të mëdha të xehes së plumbit, zinkut dhe argjendit në Evropë, me mbi 20 mijë punëtorë.

Në vitet e fundit, Trepça përballet me vështirësi ekonomike për shkak të mungesës së investimeve dhe uljes së prodhimit.