Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe zv/ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të kompanisë së mbrojtjes “Baykar”, Haluk Bayraktar, që po shoqërohej nga ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takim është vlerësuar zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) përgjatë dy viteve të fundit sa i përket kapaciteteve luftarake.
“Padyshim në këtë aspekt përveç rritjes për më shumë se dyfish të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë direkte ka ndikuar edhe bashkëpunimi i shkëlqyer me kompaninë turke Baykar dhe Qeverinë e Türkiyes me të cilën kemi bërë blerjen e dronëve TB2 dhe pajisjeve të tjera më moderne ushtarake”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Kryeministri Kurti në këtë takim ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Bayraktar për mënyrën se si është trajtuar me prioritet të lartë çdo blerje e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, duke “dëshmuar kësisoj edhe një herë raportet e ngushta ndërmjet Kosovës e Türkiyes”.
Bëhet e ditur se Kurti gjithashtu e uroi Bayraktar për medaljen “Shërbim të Shquar”, me të cilën ai u dekorua sot nga ministri Maqedonci, që njëherësh është edhe çmimi më i lartë ushtarak në Kosovë për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës.
Gjatë takimit, kryeministri kosovar dhe drejtori i kompanisë Baykar diskutuan edhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit.