Është mbajtur në Kuvendin e Kosovës tryezë lidhur me çështjen e “Liberalizimit të vizave dhe migrimin e qytetarëve”, raporton Anadolu.
Tryeza e organizuar nga partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mblodhi deputetë, ekspertë të çështjeve integruese dhe studentë, për të diskutuar efektet e mundshme të migrimit të një pjese të popullsisë në vendet e Bashkimit Evropian (BE), pas liberalizimit të vizave për Kosovën nga 1 janari 2024.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se çdo vend që e ka fituar të drejtën e lëvizjes pa regjim të vizave ka kaluar edhe nëpërmjet një përvoje të ikjes së të rinjve nga vendet e tyre drejtë vendeve të BE-së.
Ai tha se qeveria aktuale e Kosovës, në njëfarë mënyre me veprimet e saj “ka nxitur” popullatën që të largohet nga vendi.
“Disa vende kanë ndërmarrë veprime paraprake në mënyrë që të rinjtë të mos e shqyrtojnë largimin nga vendi. T’ju them të drejtën, jo pse jemi në opozitë, por qeveria jonë e ka bërë të kundërtën”, theksoi Haradinaj.
Haradinaj tha se lajmet që kanë të bëjnë me sigurinë nacionale si dhe realiteti ekonomik në vend me mungesë të vendeve të punës dhe paga jodinjitoze janë dy nga faktorët kryesorë që shtyjnë qytetarët largimin nga Kosova.
Eksperti i integrimit evropian, Avni Mazreku, tha se Gjermania është në një situatë ku ka nevojë për 1,5 milion punëtorë të profesioneve të ndryshme, ndërsa Finlanda në një periudhë dhjetë vjeçare do të ketë 1/3-tën e popullsisë me moshë mbi 60 vjeç e cila është ngarkesë për këtë shtet.
Mazreku thotë se fokusi i këtyre dy vendeve, të marra si shembull, është në Ballkanin Perëndimor dhe në shtetet si Kosova për shkak se ata parapëlqejnë popullatën nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, vendet e BE-së nuk do të jenë cak për jetesë dhe punë vetëm i të rinjve kosovarë, por edhe i atyre që kanë kaluar vitet e 40-ta të jetës, për shkak se këta të fundit kërkojnë profit më të madh financiar në vitet e mbetura të karrierës së tyre.
“Jo vetëm elementi i pjesës së re të popullsisë, por mendoj se edhe një pjesë tjetër e popullsisë do të atraktohet nga sistemet e tyre që janë sisteme më të fuqishme sesa ajo e jona. Një element tjetër që duhet të shihet si pozitiv por që mund të ketë refleksione negative për ne janë bashkimet familjare”, theksoi Mazreku.
Më 18 prill të këtij viti, Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe u përmbyllën procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.
Nisur nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të gëzojnë lirinë e udhëtimit pa viza në zonën Schengen.
Kosova aktualisht është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen.