HTC One M9, merren vesh të gjitha detajet e telefonit!

HTC tashmë e ka konfirmuar se telefoni i saj më i ri HTC One M9 do të paraqitet në Kongresin Botëror Mobil, ndërsa tani një rrjet gjerman i shitjeve me pakicë e ka postuar aksidentalisht fotografinë zyrtare të telefonit të shumë-përfolur të kompanisë tajvaneze.

Sipas fotografive të postuara, One M9 do të paraqitet në ngjyrën e argjendtë dhe të zezë, ndërsa dizajni i telefonit dallon shumë pak nga paraardhësi i tij, HTC One M8.

Në publikimin e bërë nga Cyberport, One M9 paraqitet me ekranin prej 5” në Full HD, procesorin 2 GHz Snapdragon 810, 3GB RAM, dhe 32GB memorie të brendshme e cila mund të zgjerohet më tej.

Kamera kryesore e telefonit do të vijë me 20MP, 4MP në pjesën e përparme. Përmasat e telefonit të ri të HTC do të jenë 144.6 x 69.7 x 9.61 milimetra që e bëjnë më të hollë sesa M8.

HTC One M9 do të ofrojë edhe lidhjet për Bluetooth 4.1, NFC, GPS, dhe LTE-A që mundëson shpejtësi të internetit deri në 300Mbps.

Në këtë postim thuhet se HTC One M9 do të kushtojë deri në 750 euro për versionin me 32GB memorie, që i bie mjaft shumë krahasuar me One M8 që tek ne mund të blihet për rreth 540 euro. (Telegrafi)