Google përgatit pasardhësin e Nexus 5!

Google thuhet se është duke bashkëpunuar me LG edhe një herë për krijimin e pasardhësit të Nexus 5.

Raportet e fundit kanë sugjeruar se Google ka një pajisje të re Nexus në përgatitje bashkë me Huawei, por se e njëjta do të jetë një tjetër fablet me ekran të madh (këtë herë 5.7-inç) sikurse Nexus 6.

Sipas Artem Russakovskii prej Android Police, thuhet se pritjet për shitjen e fabletit të ri Nexus nuk janë të mëdha, duke u bazuar në atë se si ka ecur Nexus 6.

Por Russakovskii ka shkruar në një post në Google+ se përfundimisht do të jenë dy pajisje të reja në linjën e Nexus të cilat do të lansohen në vitin 2015. I dyti do të ketë ekranin me 5.2-inç dhe do të bëhet nga LG, prodhuesi që qëndron pas Nexus 5.

Siç thuhet, kjo do të jetë hera e parë që Google do të lansojë dy telefona Nexus në një vit. Por nëse Samsung dhe Apple mund ta bëjnë këtë, pse jo edhe Google me partnerët e saj?