thumbs_b_c_5a6e12f11bdfef93535a58166b4fb7ca

Gjykata Speciale liron nga burgu ish-kreun e OVL-UÇK, Hysni Gucati

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë ka bërë të ditur se ka modifikuar dënimin ndaj ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, duke i mundësuar atij lirimin me kusht nga burgu, raporton Anadolu.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (Gjykatës Speciale), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, e cila mori vendim për modifikimin e dënimit tha se këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj.

“Kryetarja konstatoi se Gucati pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe se sjellja e tij kishte ndryshuar me kalimin e kohës. Kryetarja theksoi shprehjet e pendesës së Gucatit, në veçanti, veçanërisht faljen, gjatë seancës gojore, që ai shprehimisht u kërkoi të gjithë atyre që mund të ishin ndier të kërcënuar nga veprimet e tij”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Speciale.

Trendafilova vuri në dukje zotimin e vendosur të Gucatit se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij.

Ajo theksoi se në qoftë se Gucati nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet.

Gjithashtu, Gjykata Speciale ka njoftuar se do ta shqyrtojë modifikimin e vendimit të Nasim Haradinajt për lirimin e tij me disa kushte pasi të marrë raport prej administratores Fidelma Donlon në lidhje me sjelljen e Haradinajt gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së.

“Kryetarja theksoi se Haradinaj ka precedentë disiplinorë në Njësinë e Paraburgimit (NJP). Rrjedhimisht kryetarja gjykoi se megjithëse Haradinaj ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ka ende vend për përmirësim. Për këtë arsye kryetarja urdhëroi administratoren që të paraqesë raport në lidhje me sjelljen e Haradinajt në NJP në të ardhmen brenda një periudhe të caktuar në kontekst të vendimit mbi modifikimin e dënimit të tij”, thuhet në njoftim.

U bë e ditur se procedura për ulje, modifikim ose ndryshim të vendimit është procedurë individuale dhe bëhet atëherë kur personi i dënuar ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo plotëson kriterin për shqyrtim për ulje, modifikim ose ndryshim të dënimit, por nuk ka të drejtë që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet.

Më 18 maj të vitit 2022, Gucati dhe Haradinaj u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale ku më vonë Apeli vendosi për ulje të dënimit me nga tre muaj për secilin.

Ata përballen me akuzat për publikimin e dokumenteve të Speciales të cilat ishin sjellë nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së gjatë vitit 2020.

Gucati dhe Haradinaj kanë mohuar akuzat. Gjykimi i tyre filloi më 7 tetor 2021 ndërsa procedura e paraqitjes së provave në këtë çështje u mbyll më 3 shkurt 2022.