E madhëroi Zotin përmes matematikës

El-Havarizmi (vdiq në 850)

Ebu Abdullah Muhammed Ibën Musa el–Havarizmi është lindur në Havarizëm (Hevi), në jug të detit Aral. Për fëmijërinë e tij dihet shumë pak, pos faktit që prindërit e tij u shpërngulën në jug të Bagdadit. Data e lindjes dhe vdekjes nuk janë të njohura, por dihet që përparoi gjatë qeverisjes së el-Me’munit në Bagdad, gjatë periudhës në mes viteve 813-833, ndërsa thuhet që ka vdekur në vitin 850.

Në shenjë manifestimi të përvjetorit të 1200 të Muhammed b. Musa el-Havarizmit, ish Bashkimi Sovjetik botoi një pullë postare, që mund të shihet në foto.

Termet algjebër dhe algoritëm i kemi të gjithë të njohur, por sa nga ne e dinë kush se Muhammed el-Havarizmi është themelues i tyre?!

Në gjeografi ka reviduar dhe përmirësuar qëndrimin e Ptolomeut dhe në vitin 830 e përpiloi hartën e parë të botës së njohur sot. Ka punuar në matjen e vëllimit dhe rrezes së Tokës dhe kontribuoi në punën që lidhej me orët, sidomos orën e diellit dhe astrolabet.

Jeta e tij

Ebu Abdullah Muhammed ibën Musa El-Havarizmi. Emri i fundit na bën me dije qytetin, Hvarizm, emri modern është Hiva, i cili gjendet në jug të detit Aral. Është i lindur në vitin 780, në qytetin Kas, pjesë e Hvarizmit. Kasi tani është i mbuluar me rërë. Vdiq në vitin 850. Në Bagdad u thirr nga ana e kalifit el-Me’munit dhe është emërtuar si astronom i pallatit. Nga emri i veprës së tij, Hisab el-Xhebër uel-Mukabeleh (libri i llogaritjeve, restaurimit dhe reduktimit), rrjedh emri algjebër (el-Xhebër).

Algjebra simbolizon borxhin e kulturës perëndimore ndaj matematikës muslimane. Është ironike se kur për herë të parë hyri në gjuhën angleze, përdorej si term i rregullimit të kockave të thyera, apo frakturave. Kjo fjalë për fjale paraqet kuptimin e fjalës “el-Xhebër”, ‘bashkimin e serishëm të kockave të thyera’, nga folja xhebere ‘bashkim i serishëm’. Konotacioni anatomik i kësaj, që e mori anglishtja, janë pranuar atëherë kur u huazuan nga njëra gjuhë në tjetrën si algjebër, si p.sh. në spanjisht, italisht dhe latinishten mesjetare. Megjithatë, në gjuhën arabe përdorej për të zgjedhur ekuacionet algjebrike. Termi komplet në gjuhën arabe është ‘ilm el-xhebr ue-l-mukabeleh’, ‘Shkenca rreth ribashkimit dhe ekuacioneve’, ndërsa matematikani El-Havarizmi e përdorte el-xhebër si titull të diskutimeve të tij rreth algjebrës.

Në shekullin e XII, Gerard Kremonski dhe Roberti nga Çesteri e kanë përthyer algjebrën e el-Havarizmit në gjuhën latine, ndërsa anembanë botës deri në shekullin e XVI është përdorur nga matematikanët.

Përkthimi latin i tekstit aritmetik muslimanë, është zbuluar në vitin 1857 në bibliotekën e Universitetit Kembrixh. Me titull ‘Algoritimi de Numero Indorum’, vepra fillon me fjalët: ‘Fliste Algoritimi: Falënderimet e merituara janë për Zotin, Udhëzuesin dhe Mbrojtësin tonë.’

Kjo konsiderohet si kopje e tekstit të El-Havarizmit, të cilin në shekullin e XII në latinisht e përktheu Adelard Batski (dijetar anglez). El Havarizmi ka vendosur emrin e tij në historinë e matematikës në formën e algorizmit (emërtimi i vjetër që paraqet aritmetikën e sotme).

Vepra e tij

El-Havarizmi ishte matematikan, astronom dhe gjeograf. Ndoshta ka qenë matematikani më i madh që ka jetuar ndonjëherë, meqë ishte themelues i disa degëve dhe koncepteve themelore në matematikë. Sipas fjalëve të Phillip Hittit:

‘Ai ndikoi në të menduarit matematikor në një masë shumë më të madhe se çdo autor tjetër mesjetar.’

Puna e tij në algjebër është e jashtëzakonshme, sepse ai jo vetëm që inicioi lëndën në formë sistematike, por e ka zhvilluar atë deri në atë masë, që ofron zgjidhje analitike për ekuacionet lineare dhe katrore, gjë që e identifikon si themeluesin e algjebrës.

Hisab El-Xhebër uel-mukabeleh përmban zgjidhje analitike të ekuacioneve lineare dhe katrore, dhe autori i saj mund të quhet një nga themeluesit e analizës ose algjebrës si fushë e ndryshme nga gjeometria. Ai gjithashtu siguron zgjidhje gjeometrike të ekuacioneve katrore, për shembull x2-10x-39=0, ekuacion të cilin shpesh e përsëritën shkrimtarët e mëvonshëm. ‘Liber ysagogarum Alchismisms in artem a magistro A. [Adelard Batski] compositus!’ që merret me aritmetikën, gjeometrinë, muzikën dhe astronominë; ndoshta është një përmbledhje e mësimeve të El-Havarizmi dhe jo vepër origjinale e tij.

Tabelat astronomike dhe trigonometrike, që i revidoi Meslemeh el-Mexhriti (në gjysmën e dytë të shek.. X), në vitin 1126, u përkthyen nga Adelard Batski. Ato ishin tabelat e para të muslimanëve që përfshinin jo vetëm sinusin, por edhe tangjentën (Interpolimi i Meslemes).

Aritmetika e tij ka sintetizuar njohuritë greke dhe indiane dhe ka përfshirë edhe kontributin e tij, i cili është thelbësor për matematikën dhe shkencën. Kështu, ai shpjegoi përdorimin e zeros, numrin me rëndësi themelore që u zhvillua nga arabët. Gjithashtu, ai e zhvilloi sistem decimal, në mënyrë që sistemi total numerik, është quajtur ‘algoritëm’ apo ‘algorizëm’.

Përveç futjes së sistemit numerik indian (tani të njohur si numra arabë), ai ka zhvilluar në mënyrë të konsiderueshme disa procedura aritmetike, duke përfshirë operacionet e frakcioneve. Përmes punës së tij, ky sistem numerik iu prezantua Arabëve dhe më vonë Evropës, nëpërmjet përkthimit të saj në gjuhët evropiane.

Ai i ka zhvilluar deri në detaje tabelat trigonometrike që përmbajnë funksionet e sinusit, të cilat ndoshta janë të ekstrapoluara në funksionet tangjent nga Meslemeti. Po kështu, ai përsosi metodat e matjes së vëllimit dhe rrezes së Tokës.

Librat e tij

Disa nga librat e tij janë përkthyer në latinisht në fillim të shekullit të XII-të. Në fakt, libri i tij mbi aritmetikën, Kitab El-Xhem ‘vet-tefrik bil Hisab El-Hindi, në gjuhën arabe, është humbur, por mbijetoi përkthimi në latinisht. Tabelat e tij astronomike gjithashtu janë përkthyer në gjuhët evropiane dhe më vonë në gjuhën kineze. Gjeografia e tij me titull Kitab Suret El-Erd (Pamja e Tokës) së bashku me hartën e saj gjithashtu është përkthyer. Përveç kësaj, ai shkroi një libër në kalendarin hebre të Istihraxh Tarih El-Jehud dhe dy libra mbi astrolabin Ai gjithashtu shkroi Kitab Et-Tarihin dhe librin e tij rreth orëve të diellit me titull Kitab Er-Ruhmat, por ata janë humbur.

Shërbëtor i Perëndisë

El-Havarizmi theksoi se ai ka shkruar librin e algjebrës për t’u shërbyer nevojave praktike të njerëzve në çështjet e trashëgimisë, shpërndarjes, tregtisë etj.

Ai e konsideronte punën e tij si adhurim të Perëndisë.

Burimi: Preporod