Çarshi xhamia e Prilepit pret caktimin e fatit të saj

PRILEP (AA) – Çarshi xhamia e Prilepit të Maqedonisë, e cila pësoi nga konflikti ndëretnik që ndodhi në Maqedoni në vitin 2001, me vite pret të riparohet, shkruan Anadolu Agency (AA).

Objekti osman në Prilep, qytet ky në pjesën qendrore të vendit, i cili i përket periudhës së Fatih Sulltan Mehmetit, në mes të qytetit pret në ankth t’i caktohet fati.

Xhamia është ndërtuar në vitin 1475, ndërsa ndodhet brenda Çarshisë së Prilepit. Shekuj pas ndërtimit, ajo hyri në mesin e objekteve historike që u prekën nga konflikti ndëretnik i vitit 2001 në Maqedoni.

Në muajin gusht të vitit 2001, maqedonas nga Prilepi u ngritën në këmbë dhe dogjën Çarshi xhaminë në Prilep si kundërpërgjigje ndaj sulmit mbi autokolonën ushtarake që po shkonte në Tetovë në autostradën Shkup-Tetovë, si pasojë e të cilit humbën jetën dhjetë ushtarë nga Prilepi dhe rrethina.

Edhe pse kanë kaluar vite të tëra, ende nuk është bërë hapi konkret për riparimin e xhamisë, teksa ngelet enigmë se kur xhamisë do t’i kthehet pamja e dikurshme madhështore.

Derisa më parë thuhej se nuk ka vullnet politik për riparimin e xhamisë, kriza politike aktuale që ka përfshirë vendin i bën të vështira punimet në këtë drejtim.

Aktualisht, xhamia qëndron në muret e shkatërruara pjesërisht dhe me minaren e thyer, kurse ngelet pre e shumë sjelljeve të pahijshme për shkak të mungesës së interesimit dhe mosruajtjes së saj.

Brenda xhamisë shëtiten pijanecë, narkomanë dhe kafshë. Shumë herë ajo është përballur me rrezikun e zhdukjes së tërësishme, kurse përmes rrënimit të mureve, dëshirohet varrosja e saj në histori.

Në lidhje me çështjen u informua zv/kryeministri i Turqisë Kaynak

Shefket Imeroski, muftiu i Prilepit, në një bisedë për AA tha se Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë ka tre marrëveshje me Ministrinë e Kulturës për riparimin e xhamisë, edhe atë në vitin 2006, 2010 dhe 2012. Megjithë këtë, ai shton se nuk është arritur asnjë rezultat.

Duke treguar se në lidhje me çështjen janë realizuar edhe takime të nivelit të lartë, Imeroski theksoi se në lidhje me çështjen e kanë informuar edhe zv/kryeministrin e Turqisë Veysi Kaynak gjatë vizitës së tij në Maqedoni që e realizoi për hapjen e Xhamisë Hajdar Kadi në Manastir në nëntor të vitit të kaluar.

Imeroski u bën thirrje të gjithëve që kanë mundësi, me në krye Turqinë, të ndihmojnë për zgjidhjen e rastit. “Për shkak të krizës politike, nuk mund ta dimë se si do të reagojnë njerëzit. Megjithatë, esnafët e çarshisë janë pro ndërtimit të xhamisë. Sepse me këtë formë dëmtohet qyteti atyre që jetojnë këtu”, tha Imeroski.

Ai u shpreh se në qytet jetojnë më shumë se 20 mijë muslimanë, të cilët, sipas tij, nuk kanë një vend në qendër të qytetit ku do të falnin namazin. Ai kërkoi nga institucionet dhe Turqia të ndërmarrin hap për këtë rast.

“Besoj se Turqia mund të zgjidh këtë problem”

Nga ana tjetër, Mustafa Topallovksi, muftiu i qytetit nga viti 2003 deri në vitin 2015, theksoi se më herët kanë marrë pëlqim nga Ministria e Kulturës për ndërtimin e xhamisë, mirëpo, siç tha ai, mungesa e vullnetit politik ka penguar realizimin e kësaj.

Topallovski kërkoi nga institucionet relevante riparimin e xhamisë, duke shtuar se “Në të njëjtën mënyrë, kërkojmë ndihmë nga Turqia dhe personat që kanë migruar nga rajoni në Turqi, që xhaminë ta kthejmë në gjendjen para vitit 2001”.

Ai tha se nga Turqia kanë marrë mbështetje në çdo aspekt. “Besoj se Turqia mund të zgjidh këtë problem. Mund të na e kthejë prapa këtë monument, këtë xhami dhe minare me gjurmë osmane. Me ndërtimin e xhamisë do të kthehet edhe karakteri i qytetit”, potencoi Topallovski.

Topallovski në dukje se njerëzit tashmë janë të vetëdijshëm dhe se përveç politikanëve, askush nuk reagon. Ai shtoi se objektet fetare asnjëherë nuk kanë qenë problem për njerëzit.

“Në kohët osmane janë ndërtuar edhe kishat. Populli maqedonas dhe banorët e Prilepit nuk janë kundër Xhamisë së Çarshisë, sepse ne kemi jetuar gjithmonë së bashku”, tha Topallovski.