Azilantë! Ku ju çon mushka?

Lajmet nga Gjermania tashmë na janë bërë si lajmet nga Shqipëria. Atje vdesin, këtu vdesin. Atje vriten e vrasin, këtu vriten e vrasin. Atje grabisin, këtu grabisin, e kështu me radhë. Në një farë mënyre, Gjermania është bërë një Shqipëri e dytë për nga specifika e emigrimit. Eksodi “legjitim” kësaj here ka një tjetër specifikë, pasi është i përqendruar kryesisht në një shtet. Mirëpo të vetëshpallurit azilantë, dhe të legjitimuar nga ligjërimi mediatik si të tillë, pasi në fakt nuk di si t’i quash ndryshe, vetëm azilantë që nuk janë.

Kjo pasi azili nuk është një bujtinë bamirëse, apo politikë sociale mikpritëse. Përkundrazi, është përjashtues, tëhuajtës. Procedurat e azilit të mbajnë aty sa për të kontrolluar dokumentat, në je vërtet azilant apo jo. Burokracia dhe koha që kërkojnë procedurat, që zakonisht zgjasin një deri në tre vjet, janë thjesht çështje proceduriale dhe afate kohore të kërkuara nga shqyrtimi i dokumentave, e jo “mikpritje” gjermane apo nordike. Dhe a e dini se përse nuk jeni dot azilantë? Sepse azilant të bëjnë rrethanat politike, dhe jo ato ekonomike. Të kërkosh azil politik se në vendin tënd të origjinës s’ka punë, është si t’i kërkosh bankës lëmoshë apo të të dhurojë një shtëpi!

“E drejta për azil është një koncept i vjetër juridik, sipas të cilit personave të persekutuar apo të rrezikuar në vendin e tyre u jepet e drejta për mbrojtje nga një shtet tjetër sovran. E drejta e azilit për herë të parë është përdorur në Greqinë e lashtë, dhe qëllimi i tij si koncept juridik ishte që t’i mbrojë kriminelët nga dënimet ekstreme” (“Asylum – Definition”. Merriam-Webster Dictionary dhe “CATHOLIC ENCYCLOPEDIA: Sanctuary”)

Siç e shohim edhe nga vetë përkufizimi, ai ishte që në lashtësi, dhe vazhdon të jetë akoma, një koncept politik. Jo bamirës, me pak fjalë. Prandaj e dëgjoni shpesh të shoqërohet me termin “politik”. Pra, është më shumë një koncept dogmatik dhe propagandistik, sesa koncept filantropik dhe altruist. Në njëfarë mënyre, askush nga azilantët nuk ka faj në këtë mes, pasi të gjithë vijnë nga një vend që trashëgon nga ish-sistemi mentalitetin e shtetit “bamirës” (josocial), ku çdokujt i gjendej punë edhe nëse ishte i paaftë, apo pavarësisht se nuk ishte i fushës përkatëse, ndërkohë që të aftët vriteshin a persekutoheshin. Kështu, si padashur, partia-shtet e njëherë e një kohe rrënjosi këtë mentalitet tek ne si komb, ku të gjithë presim nga shteti, dhe, me sa duket, akoma nuk jemi mësuar me idenë se në demokraci është shteti ai që pret nga ne. Në këtë mënyrë, sot padashur bëjmë bashkëshoqërimin logjik me komunizmin, ku Europa na duket si “shteti”, e Gjermania si “partia-shtet” që e drejton atë!

Mungesa e zëvendësimit të mentalitetit të vjetër me mentalitetin e ri vjen ngaqë tregu i punës tek ne është ende i pamodernizuar. Dhe kjo jo për fajin tuaj! Kësisoj, ju e keni të vështirë të kuptoni tregun e punës, konkurrencën e burimeve njerëzore për çdo vend pune, etj. Me një fjalë, nuk po e kuptoni dot si funksionon shteti atje, e aq më tepër azili!

Azil në këto dhjetëvjeçarë kanë fituar disidentët kinezë, njerëz të persekutuar nga oligarkitë që kishin marrë peng demokracitë, njerëz të kërcënuar nga ish-agjentët e Bashkimit Sovjetik që janë konvertuar sot në udhëheqës. Pra, është kryekëput një proces politik, ku njëri kamp a bllok ideologjik strehon e kujdeset për poetët, shkrimtarët, opinionistët, intelektualët, opozitarët, e për çdo eksponent tjetër që inkorporon ideologjinë e tyre dhe që persekutohet nga regjimi në fuqi.

Ka dhe një aspekt tjetër me të cilin abuzohet me azilin. Eshtë aspekti i politikave sociale, ku vendet me mirëqenie të madhe i subvencionojnë qytetarët e tyre për shkak të papunësisë. Mirëpo, përpara se të përfitoni nga këto politika, ju duhet të jeni shtetas dhe banorë të atij vendi. Kështu, azili del metoda më e gabuar që keni gjetur për t’u integruar në to. Pasi azili ju identifikon dhe ju përjashton, ndërsa emigrimi dhe puna në të zezë ndoshta ju jep mundësi që dikush t’ju punësojë dhe t’ju bëjë letrat, apo mund të dalë ndonjë ligj që ju “legalizon”.  Sepse, fatkeqësisht, ligji nuk ka rreze veprimi tek azilantët, ngaqë ata konsiderohen “të huaj” që duan të infiltrohen, kurse emigrantët në të zezë konsiderohen si pjesë e shoqërisë që po “legalizohet”.

Dhe, në këtë mënyrë, në vend që të dëmtoni imazhin e Shqipërisë dhe të hiqeni sikur vini nga Afrika, gjë që europianët nuk e besojnë, tentoni të punoni apo të integroheni në mënyra legjitime. Sepse ndryshe rrezikoni të vetësanksionoheni, duke dëmtuar rëndë liberalizimin e vizave, e për rrjedhojë s’do keni më mundësi t’i vizitoni të afërmit, t’i diagnostikoni të sëmurët, të specializoheni në kurse dhe në shkolla të ndryshme, nuk do mundeni të bëni tregti, e sa e sa gjëra të tjera, që janë shumëfish më me përfitim sesa thjesht dhe vetëm të aplikuarit për azil!/tesheshi.com/