RTV Pendimi
Flyer Fahrschule struga
Auto Lider
Kompania Ziel Bau
Ilaçe për zemrën / Rukja Probleme shpirtërore & shoqërore

VLERA E ISTIGFARIT DHE GJURMËT E TIJ

Përsosmëria tek njeriu është e pamundur. Të gjithë njerëzit gabojnë dhe kanë mangësi, përveç pejgamberëve dhe lajmëtarëve të Allahut të cilët janë të vetmit që janë të mbrojtur në atë që thërrasin prej fesë së Allahut. Zoti i jonë është Mëshirues dhe më i Dituri për gjendjen e robërve të Vet, Ai e di fort mirë se robërit e Tij janë të dobët, të mangët e të pafuqishëm dhe për këtë arsye atyre ua hapi derën e shpresës në mëshirën dhe faljen e Tij dhe u bëri thirrje t’i bashkëngjiten mejdanit të Bujarisë dhe Fisnikërisë së Tij: Allahu, me mirësinë e Tij, ju thërret në Xhenet e falje (të gjynaheve)”. (El-Bekare: 221) Kurse me një hadith Kudsij që përcillet prej të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ka ardhur se Allahu, azze ue xhel, ka thënë: “O robërit e mi, ju bëni mëkate natë e ditë, andaj kërkoni falje nga Unë që t’ua fali”.

Falja e mëkateve është begati dhe mëshirë e madhe për robin prej Allahut dhe kush mundet që t’i fal mëkatet e robit përveç Allahut: E kush i fal gjynahet përveç Allahut?” (Ali Imran: 135) Po ashtu prej begatisë së madhe të Tij është se Ai i thërret robërit e Tij që t’ua fal gjynahet e t’i mëshirojë dhe atë begati ta pasojë me një begati tjetër duke ua dhënë njerëzve një afat të caktuar që të ndalen ta llogarisin vetveten dhe të meditojnë për gjendjen e tyre: “Ai ju thërret juve për t’ju falur disa gjynahe tuajat dhe që t’ju lërë deri në afatin caktuar. (Ibrahim: 10)

O robër të Allahut, mëkatet falen edhe po të janë ato sa shkuma e detit. Prandaj mos të dëshpërohet robi prej mëshirës së Allahut. Ai që ka bërë shumë mëkate e gjynahe le ta dijë se falja dhe mëshira e Allahut janë shumë më të mëdha. Mangësia është veçori e njeriut dhe për këtë i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Po qe se nuk bëni mëkate, Allahu do t’ju zëvendësojë me një popull që do të bëjnë mëkate dhe do të kërkojnë prej Allahut falje dhe Ai do t’ua falë”.

I Lartësuar është Zoti ynë, i Cili është Falës i mëkateve dhe i Cili i mbulon të metat e robërve, e zgjat Dorën e Tij gjatë natës që t’ia fal mëkatarit të ditës dhe e zgjat Dorën e Tij gjatë ditës që t’ia fal mëkatarit të natës dhe i thërret robërit e Tij duke u thënë: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin”. (En-Nur: 31)

Lum për ata që e di se Zoti i tyre është Bujar, Falës, Mëshirues, i Cili e pranon pendimin e të penduarve dhe i mbulon të metat e mëkatarëve. Prej robit kërkohet largimi prej mëkatit dhe sinqeriteti në pendimin e tij dhe Allahu do t’ia falë gabimin e tij: “Dije se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret”. (Muhamed: 19) Ata që pendohen dhe kërkojnë falje e mëshirë janë më të lavdëruarit, më të mirët ndër robërit e Allahut, e dinë se janë nën mbikëqyrjen e Allahut dhe kjo i nxit që të jetojnë mes shpresës dhe frikës: “Allahu i vrojton robërit e Vet që thonë: “Zoti ynë! Me të vërtetë kemi besuar, andaj na i fal gjynahet tona dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!”; që janë të durueshëm, të sinqertë, të devotshëm në adhurimin e Allahut; që japin lëmoshë dhe që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit”. (Ali Imran: 16-17)

Nëse në një popull shtohet istigfari dhe ai buron prej zemrave të sinqerta, Allahu prej atij populli belat dhe sprovat do t’i largon dhe prej ndëshkimeve do t’i mbron: “Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij”. (El-Enfal: 33)

Imam Tirmidhiu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij e përcjell një hadith prej Ebu Musa el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Allahu Umetit tim ia ka garantuar dy herë sigurinë dhe e lexoi ajetin: “Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij”. (El-Enfal: 33) Dhe pastaj tha: “Kur unë do të vdes atyre do tu mbetet istigfari”.

Me shpeshtimin e istigfarit zbret mëshira e Allahut: “Përse nuk kërkoni nga Allahu falje (të gjynaheve) që të mund të mëshiroheni?!” (En-Neml: 46)

Istigfari është shkak për shtimin e bereqetit, rritjen e pasurisë, zvogëlimin e varfërisë, zbritjen e shiut, furnizimin me fëmijë, dhe është burim i krenarisë dhe begatisë. Nëse dëshironi lexojeni lajmin e Nuhit, alejhi selam, i cili i tha popullit të vet: “E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!”. (Nuh: 10-12) Dhe po ashtu lexojeni lajmin e popullit të Adit me të dërguarin e tyre Hudin, alejhi selam, i cili u tha: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj”. (Hud: 52)

Atyre që pendohen Allahu i begaton me zgjerim të furnizimit, me dhënien e sigurisë, me shërim prej sëmundjeve, me jetë të mirë dhe me largimin e pikëllimit. Me istigfar secili e arrin gradën e vet që e meriton dhe çdo i mirë e fiton shpërblimin e vet që e meriton. Nëse dëshironi lexojeni lajmin e të Dërguarit tonë Muhamedit, alejhi salatu ue selam, i cili tha: (që ju porosis) të kërkoni falje nga Zoti juaj e të ktheheni tek Ai me pendesë. Ai do t’ju japë të shijoni kënaqësi të bukura deri në afatin e caktuar dhe do t’i japë çdo të miri shpërblimin e merituar”. (Hud: 3)

Istigfari me lejen e Allahut është shkak për mënjanimin e brengave dhe për rrugëdalje prej çdo situate dhe furnizim nga nuk shpreson njeriu. Në një hadith i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kush bën istigfar pa ndërprerë, Allahu do t’ia mënjanojë çdo brengë, do t’i japë rrugëdalje nga çdo situatë dhe do ta furnizojë nga nuk shpreson”.

 Istigfari dhe pendimi ia pastrojnë robit zemrën dhe ia përmirësojnë veprën, i japin qetësi shpirtit, i japin fuqi trupit, ia përmirësojnë shëndetin, i japin shpirtit mirësi dhe i zbresin bereqet e begati.

Me këtë baraspeshë muslimani dhe i tërë Umeti bëhen Umet veprues produktiv, që bën bashkim mes marrjes së shkakut dhe mbështetjes në Allahun dhe është i kënaqur me caktimet e Tij.

Parashtrohet pyetja se nëse ky është istigfari dhe kjo është thirrja e Allahut dhe kjo është merita e Tij e gjerë, atëherë si duhet të jetë llogaritja e vetvetes?

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë se dijetarët kanë thënë: “Istigfari i kërkuar është istigfari i vazhdueshëm, të cilit i përforcohet kuptimi në zemër dhe nuk është thjesht vetëm se shqiptim me gjuhë. Kush bën istigfar me gjuhë dhe zemra e tij këmbëngul në mëkate atëherë istigfari i tij ka nevojë për istigfar”.

Disa prej dijetarëve thonë se: “Kush nuk e ka për qëllim që prej frytit të istigfarit të tij të përmirësohet pendimi i tij, ai është rrenacak. Ai që bën istigfar për mëkatin dhe vazhdon në të i përngjan atij që tallet me Allahun”.

Istigfari i vërtetë është atëherë kur synohet me sinqeritet lënia e mëkatit dhe me zemër mbështetesh në Allahun. E gjithë mirësia është e ndërlidhur me përmirësimin e zemrave dhe pranimin e besimit dhe atëherë vjen edhe falja: “Nëse Allahu gjen mirësi në zemrat tuaja, do t’ju japë diçka edhe më të mirë nga ajo që ju është marrë dhe do t’ju falë. Se Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”. (El-Enfal: 70)

Për ta qartësuar më mirë pasqyrën e asaj çka e përmendëm më lart do t’i marrim disa shembuj prej atyre që e shpeshtonin istigfarin pasi që i kryenin disa prej adhurimeve madhështore.

Muhamedi, alejhi salatu ue selam, thoshte: “Pasha Allahun, unë kërkoj falje dhe pendohem tek Allahu me shumë se shtatëdhjetë herë gjatë ditës”.

Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në një mexhlis e numëronim se thoshte njëqind herë: “O Zot, më fal mua dhe pranoje pendimin tim, se Ti je Pendimpranuesi Gjithëfalësi”.

Pejgamberi i Allahut pasi që e përfundoi misionin e tij dhe e përcolli mesazhin e Allahut në vend, Allahu e urdhëroi që t’i drejtohet Atij me pendim dhe me istigfar: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës) dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe, atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve”. (En-Nasr 1-3)

Ata që e falin namazin, menjëherë pasi që e kryejnë faljen e namazit të tyre nxitojnë në istigfar. Haxhilerët pas qëndrimit në Arafat dhe Muzdelife janë të urdhëruar me istigfar: “Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë”. (El-Bekare: 199)

Po ashtu pas marrjes së abdesit robi i drejtohet Allahut me teuhid dhe pendim dhe thotë: Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij. O Zot më bën prej të penduarve dhe më bën prej të pastruarve (prej mëkateve)”.

 Kurse ata që kërkojnë falje në agim, e që janë më të zellshmit, ata së pari u falën natën e pastaj nxituan për në istigfar: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu)”. (Edh-Dharijat: 17-18)

 Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, tha: “U falën deri në agim e pastaj u ulën dhe kërkonin falje”.

I biri i Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, falej natën e pastaj i drejtohej Nafiut, Allahu qoftë i kënaqur me të, shërbëtorit të tij dhe i thoshte: “O Nafi, a arriti agimi? Nëse i thoshte po, atëherë nxitonte për në lutje dhe istigfar deri në mëngjes”.

O muslimanë, një prej shkaqeve më të mëdha dhe më të rëndësishme të pranimit të istigfarit është njësimi i Allahut dhe sinqeriteti në adhurimin e Tij dhe largimi prej të gjitha llojeve të politeizmit dhe idhujtarisë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ka bërë gjynah të tmerrshëm”. (En-Nisa: 48)

Kurse me një hadith Kudsij ka ardhur: “O biri i Ademit, nëse vjen te Unë me mëkate të mëdha sa toka, pastaj më drejtohesh duke mos më bërë shok (në adhurim) Unë do të dhuroj falje po aq të madhe!”.

Falja pra, është e ndërlidhur me dashurinë ndaj Allahut dhe ndaj Muhamedit, alejhi salatu ue selam: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”. (Ali Imran: 31)

Kjo është mëshira e Allahut dhe butësia e Tij ndaj krijesave të Tij, por ke kujdes prej kuptimit të gabueshëm të disave se istigfari na mundëson që të shkojmë pas gjynaheve dhe se Allahu do të na falë. Është e vërtetë se Allahu fal, por Ai edhe dënon rreptë. Nëse robi jepet pas gjynaheve dhe këmbëngul në to, ato gradualisht do ta shkatërrojnë. Mëkat pas mëkati, gjynah pas gjynahu derisa ta shkatërrojnë tërësisht dhe mos t’ia mundësojnë që të kthehet në pendim. Sa të rinj janë shkatërruar si shkak i këtij besimi të rrejshëm? Sa të rinj i mashtroi shpresa e rrejshme se do të jetojnë gjatë dhe se ka kohë për pendim? Plot!

O rob i Allahut, prandaj nxito në pendim dhe istigfar kur të bësh mëkat dhe tento që të këmbëngulsh në to, se ato janë shkak i shpëtimit tënd dhe lumturisë tënde në dynja dhe ahiret.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti”. (Ez-Zumer: 53)

Shejh Dr. Salih El Humejd

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Postimet e ngjajshme

KATËR GJËRA QË NUK I KE DITUR

Irfan Jahiu

GJASHTË GJËRA QË I LEHTËSOJNË VËSHTIRËSITË

Irfan Jahiu

PSE PIKËLLOHESH ?!

Irfan Jahiu

DURO, SEPSE KA ZOT!

Irfan Jahiu

DOBITË E SHOQËRISË SË MIRË

Irfan Jahiu

BUKURIA BURON NGA BRENDËSIA E SHPIRTIT

Irfan Jahiu

TI DHE SHEJTANI

Irfan Jahiu

BRENGAT E NJË TË PIKËLLUARI

Irfan Jahiu

NËSE E DËSHIRON LUMTURINË NË ZEMËR

Irfan Jahiu