Trupat e pajetë të tre emigrantëve të parregullt mendohet të jenë gjetur në fshatrat kufitare në provincën veriperëndimore turke Edirne, raporton Anadolu Agency (AA).
Trupi i një emigranti, që mendohet të ketë origjinë afgane, u gjet në fshatin Serem, ndërsa trupat e dy emigrantëve të tjerë u gjetën në fshatrat Akcadam dhe Adasarhanli, thanë burimet të cilët kërkuan të mos përmendeshin për shkak të kufizimeve për të folur me media.
Të tre emigrantët mendohet të kenë ngrirë për vdekje dhe trupat e tyre u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Stambollit për të përcaktuar shkaqet e vdekjeve.
Jamalvddin Malangi, 29 vjeçari nga Afganistani, i cili tha se e njihte një nga emigrantët që ngriu për vdekje, foli me gazetarët në provincë. Ai u ndalua nga forcat e xhandarmërisë në Greqi duke kaluar lumin Meriç, por më vonë u kthye në Turqi nga ushtarët grekë.
“Ne u zhvendosëm drejt një fshati pranë pyllit. Kërkuam ndihmë duke trokitur në dyert e fshatarëve grekë. Gjatë asaj kohe, policia greke erdhi dhe na kapi. Së pari na dërguan në stacionin e policisë dhe pastaj në brigjet e lumenjve. Na bënë të hipnim në barkë dhe na kthyen në Turqi”, tha Malangi.
Ai tha se ushtarët grekë nuk kanë mëshirë, si dhe vlerësoi qëndrimin e “mëshirshëm” të ushtarëve turq.
Turqia ka qenë rruga kryesore për refugjatët që përpiqen të kalojnë në Evropë, që nga fillimi i luftës civile në Siri.