RTV Pendimi
“Stabiliteti i Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i Shqipërisë”
Lajme

“Stabiliteti i Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i Shqipërisë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi sot se integriteti dhe stabiliteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i Republikës së Shqipërisë, gjatë konferencës së përbashkët për mediat me homologun e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga kryeministri Zaev është pritur me një ceremoni zyrtare nga kryeministri i Shqipërisë, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë të lartë, ndërsa pas takimeve është mbajtur konferenca e përbashkët për mediat.

– Rama: Stabiliteti i Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i Shqipërisë

Rama gjatë fjalës së tij në konferencë tha se Marrëveshja e Prespës i dha fund një ngërçi shumëvjeçar dhe hapi rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Sipas tij, kjo marrëveshje çliroi energjinë e madhe pozitive për ecurinë e mëtejshme në rrugën e integrimit në Bashkimi Evropian BE.

“Për ne Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është thjesht një vend fqinj, por një shtet mik dhe strategjikisht i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm, marrëdhënia me të cilin kultivohet përmes parimeve dhe vlerave më të mira që na bashkojnë si dy vende që i përkasin Evropës dhe që do të jenë së bashku në tryezën e familjes evropiane. Shqiptarët u janë mirënjohës për faktin se ju çelet rrugën e një harmonie të munguar dhe aq të domosdoshme në shtetin tuaj mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Seanca e Kuvendit tuaj ku u fol shqip ishte simbolikisht, por edhe përmbajtësisht një moment historik dhe një arsye më shumë që ne të vazhdojmë të jemi promotorë të fuqishëm të idesë se integriteti dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i Republikës sonë”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se dy vendet janë së bashku para një momenti veçantë, sipas tij, momentit kur shkojnë drejt një pragu të shumëpritur të çeljes së negociatave me BE-në. “Miratimi i ligjit për gjuhët dhe nisja e zbatimit të tij, klima ndëretnike e përmirësuar rrënjësisht dhe kalimi nga letrat në vepra janë pa diskutim arsye të qenësishme që ne të fuqizojmë çdo ditë këtë marrëdhënie dhe me të njëjtin angazhim ne do të vazhdojmë”, tha kryeministri Rama.

Rama, pyetjes rreth influencës ruse në Shqipëri, iu përgjigj se “Rusia nuk është një vend tifoz i BE-së, i zgjerimit të BE-së dhe natyrshëm nuk mund të ketë tifozllëk për ecurinë evropiane të asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo nuk është sekret. Ndërkohë që ne kemi një axhendë kombëtare, kryefjala e së cilës është të bashkohemi me familjen evropiane”.

– Zaev: Shqipëria dha një mesazh të fuqishëm miqësor

Kryeministri Zaev u shpreh se ratifikimi nga Shqipëria me procedurë të përshpejtuar i protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dha një mesazh të fuqishëm miqësor.

“Presim që deri në fund të vitit Republika e Maqedonisë së Veriut t’i bashkëngjitet Aleancës, që të jemi vendi i 30-të fuqiplotë i NATO-s dhe ky është një nga qëllimet strategjike të vendit. Paralelisht me këtë pritshmëri shpresat tona janë të fokusuara në qershor 2019 për hapjen e bisedimeve aderuese me BE-në. Qershori është i rëndësishëm për perspektivat evropiane si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë. Nëse plotësojmë dhe ne detyrat tona atëherë presim që edhe BE të ketë qasje pozitive ndaj dy vendeve tona. Në shtetin tonë arritëm t’i vendosim themelet e një shoqërie për të gjithë dhe punojmë për një konsensus maksimal në të gjitha reformat ligjore të nevojshme për eurointegrimet”, tha Zaev

Zaev u shpreh se në Republikën e Maqedonisë së Veriut Marrëveshja kornizë e Ohrit funksionon dhe vetëm mbetet kohezioni në shoqërinë e vendit dhe zbatimi i saj në administratë, që sipas tij, vërtetë të ndërtohet një shoqëri për të gjithë. “Përvoja na dëshmoi se dialogu dhe bashkëpunimi i arsyeshëm ndërmjet të gjithë aktorëve në shoqëri është ajo që siguron rrugën përpara të shtetit dhe konsideroj se kjo është mënyra që të gjitha shtetet e Ballkanit të ecin përpara dhe të realizojnë qëllimin e tyre strategjik evropian. Këtu vijmë si miq sot dhe japim mesazhin miqësor që gjithë faktorët e Shqipërisë nëpërmjet dialogut të kenë zgjidhje”, u shpreh më tej kryeministri i Maqedonisë së Veriut .

Zaev për zhvillimet politike në Shqipëri tha se e “kuptoj opozitën kudo qoftë ajo. Të kemi kujdesin tonë ndaj shtetit pa marrë parasysh nëse jemi në pushtet apo opozitë, prandaj obligimi i të gjithëve është shteti”.

Ai tha se pas zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe zgjedhjeve vendore në Shqipëri do të mbahet mbledhja e përbashkët qeveritare mes dy vendeve.

Kryeministri Zaev është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Pjesë e delegacionit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në vizitën zyrtare në Shqipëri janë edhe ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe zyrtarë të tjerë.

Institucionet e Shqipërisë kanë mbështetur në vazhdimësi proceset në kuadër të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës e deri tek nënshkrimi i protokollit.

Postimet e ngjajshme

Rritet në 50 numri i viktimave të sulmit terrorist në Zelandë të Re

Qëndrim Ibrahimi

Indonezi, 70 të vdekur nga përmbytjet

Kushtrim Guraj

Partitë opozitare protestë në Tiranë, përplasje mes policisë dhe protestuesve

Kushtrim Guraj

Erdoğan: Asnjëherë nuk do të bëjmë lëshime për pavarësinë, ardhmërinë dhe lirinë tonë

Kushtrim Guraj

Në BE jetojmë mbi 22 milionë shtetas të huaj

Kushtrim Guraj

Rusia do t’u kundërpërgjigjet sanksioneve

Kushtrim Guraj

Prizren, mbahet konferenca “Turqishtja dhe situata ligjore e turqve të Ballkanit”

Kushtrim Guraj

Pas sulmit, Turqia do të dërgoj një delegacion në Zelandë të Re

Kushtrim Guraj

Kosovë, dorëzohen 10 padi kundër serbëve të dyshuar për krime lufte

Kushtrim Guraj