SI T’I SHLYEJ GJYNAHET E MIA?

Në vazhdim do t’i cekim disa adhurime, të lehta dhe të përditshme, mirëpo me peshë të rëndë, ngase ato i shlyejnë gjynahet dhe kjo padyshim është dhunti e madhe prej Allahut.
1. Shlyeji ato me këtë hadith: “Nuk ka njeri në tokë i cili thotë: “La ilahe il-lAllah, vAllahu ekber, ve la haule ve la kuvete il-la bil-lah (Nuk i takon adhurimi askujt përveç Allahut, Allahu është më i madhi, nuk ka ndryshim e as forcë pa ndihmën e Allahut), vetëm se i falen atij gjynahet, qofshin ato edhe sa shkuma e detit.”
2. Shlyeji ato pas ngrënies së ushqimit: “Kush ha ushqim dhe pastaj thotë: Falënderimi i takon Allahut që më ushqeu me këtë ushqim dhe më furnizoi me lehtësi, pa ndihmën dhe fuqinë timen i falen gjynahet e mëparshme.”
3. Shlyeji ato pas veshjes së rrobave të tua: “Kush e vesh rrobën dhe thotë: Falënderimi i takon Allahut, i Cili ma mundësoi ta vesh këtë rrobë dhe më furnizoi me lehtësi me të, pa ndihmën dhe fuqinë time, i falen gjynahet e mëparshme.”
4. Shlyeji ato gjatë ditës tënde me hadithin: “Kush thotë: “Subhanallahi ue bihamdihi (I Lartësuar qoftë Allahu, Atij i takon Lavdërimi)”, në ditë njëqind herë, i fshihen gjynahet edhe po të ishin ato sa shkuma e detit.”
5.Shlyeji ato pas namazit: “Kush thotë pas çdo namazi 33 herë Subhanallah (I Lartësuar qoftë Allahu), 33 herë Elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut) dhe 33 herë Allahu Ekber (Allahu është më i Madhi), 99 në tërësi dhe e plotëson të 100 me fjalën la ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike lehu, lehu el Mulku, ve lehu el Hamdu, ve huve ala kul-li shej’in kadir (Nuk ka hyjni që meriton të adhurohet përveç Allahut, të Vetëm e i parival. Atij i takon Sundimi dhe Lavdërimi dhe Ai është i Gjithëfuqishëm mbi çdo gjë), i fshihen gjynahet edhe po të ishin sa shkuma e detit.”
6.. Shlyeji ato para gjumit tënd: “Kush thotë kur bie në shtratin e tij: “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike lehu, lehu el Mulku, ve lehu el Hamdu, ve huve ala kul-li shej’in kadir, la hauele ve la kuvete il-la bil-lahi, el Alij, el Adhim, subhan-Allah, elhamdulilah, ve la ilahe il-lAllah, vAllahu ekber (Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, i Cili është një dhe i pashoq, Atij i takon sundimi dhe Falënderimi, Ai është mbi çdo send i Plotfuqishëm, i Lartë, i Madhëruar, i Lartësuar qoftë Allahu, falënderimi i takon Allahut, nuk ka të adhuruar tjetër, përveç Allahut, Allahu është më i Madhi), i fshihen gjynahet edhe po të ishin sa shkuma e detit.”
7. Shlyeji ato gjatë ezanit: “Kush thotë kur e dëgjon myezinin: Esh-hedu en la ilahe il-lAllahu, vahdehu la sherike lehu, ve en-ne Muhameden abduhu ve resuluhu, redijtu bil-lahi rab-ben, ve bi Muhamedin resulen, ve bil islami dinen (Dëshmoj se askush tjetër dhe asgjë tjetër nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, të Vetëm e të Pashoq, dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Jam i kënaqur që Allahu është Zoti im, që Muhamedi është Pejgamberi im dhe që Islami është feja ime), i falen atij gjynahet.”
8. Shlyeji ato me istigfarin (kërkim faljen) tënd: “Kush thotë: Estagfirullah, el-ledhi la ilahe il-la huve, el Hajje el Kajume, ve etubu ilejhi (Kërkoj faljen e Allahut, i Cili nuk ka të adhuruar përveç Tij, i Gjalli, Mbikëqyrësi, dhe tek Ai pendohem), i falen atij, edhe nëse ka ikur nga fushëbeteja.”

Nga arabishtja: Irfan JAHIU