RRAHJA E FYTYRËS ME SHUPLAKË DHE GRISJA E RROBAVE

Jemi dëshmitar se në disa raste shohim gra që i vajtojnë të vdekurit e tyre, qofshin ato gra nga familja e të vdekurit apo gra që paguhen për ta vajtuar të vdekurin. Islami jo se nuk e lejon të pikëllohet njeriu për të vdekurin e tij, sepse të humbësh një të afërm apo të dashur e të pikëllohesh dhe të rrjedhin lot është e natyrshme, mirëpo të vajtosh dhe ta rritësh zërin dhe t’i biesh fytyrës shuplaka dhe t’i grisësh rrobat, kjo vepër është e kohës së padijes dhe aludon në pakënaqësi me atë që e ka caktuar Allahu dhe në besim të dobët.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Ai i cili rreh faqet e veta, që gris rrobat dhe që kërkon e ndjek rrugët e sjelljet e Xhahilijetit (padijes para Islame), një i tillë nuk është prej nesh.”(1)

Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon se ai u sëmur rëndë, humbi ndjenjat dhe nuk mundi t’i përgjigjej as gruas së tij kur kishte vënë kokën në prehrin e saj. Kur erdhi në vete tha: “Unë jam larg dhe distancohem prej atyre që ishte larg dhe i distancuar edhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Dhe vërtet se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është distancuar ndaj një gruaje që qan me zë e vajton (apo që rreh fytyrën), ndaj asaj që rruan kokën dhe ndaj asaj që shqyen rrobat (kur i bie fatkeqësi).”(2)

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, tregon: “Kur Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i erdhi lajmi për vrasjen e Ibën Harithes, Xhaferit dhe Ibën Revahas, ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u ul dhe rrinte i dëshpëruar, ndërsa unë e vështroja nga e çara e derës. Erdhi një burrë dhe i tha se gratë e Xhaferit po qanin (ulërinin). Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e urdhëroi atë që t’i ndalonte. Burri shkoi dhe u kthye duke thënë se ai u kishte thënë atyre të pushonin, por ato nuk e dëgjonin. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Ndaloji ato!” Kështu, ai shkoi përsëri dhe prapë u kthye për herë të tretë dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Për Allah! Ata nuk na dëgjojnë më fare (nuk kemi fuqi mbi to për t’i ndaluar).” (Aisha) shtoi: “I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e urdhëroi që të shkonte dhe t’ua mbushte gojën atyre me dhe”.(3)

Në disa shoqëri ka gra të posaçme të cilat shkojnë edhe i vajtojnë të vdekurit me të holla dhe kështu i nxisin edhe anëtarët e tjerë të familjes që ta vajtojnë të vdekurin duke menduar se me këtë i bëjnë mirë, a në fakt vetëm se i bëjnë dëm dhe i vdekuri nuk përfiton gjë.

Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Ai i vdekur për të cilin vajtohet, ai ndëshkohet për këtë të vajtuar për të.” (4); kurse imam Muslimi në librin e tij shtoi “Ditën e Kiametit.”(5)

Ka disa mendime të dijetarëve rreth sqarimit të hadithit dhe ato më të njohurat dhe më të përafërtat me të vërtetën janë dy, mendimi i parë është ai që anojnë një numër i madh i dijetarëve se i vdekuri ndëshkohet nëse nuk ka lënë amanet për familjen që të mos e vajtojnë duke e ditur se e kanë si adet ta vajtojnë të vdekurin apo ndoshta vet ka porositur që të vajtohet pas vdekjes së tij. Nëse e bën një gjë të tillë, atëherë do ta merr ndëshkimin që ka ardhur në hadith, a nëse ai i ka porositur ata që të mos ta vajtojnë dhe ata nuk e kanë respektuar porosinë e tij, atëherë ai nuk ndëshkohet për veprën e tyre. Për këtë arsye Abdullah ibën Mubarek, Allahu e mëshiroftë, tha: “Nëse ai gjatë jetës së tij i ndaloi ta bëjnë një gjë të tillë dhe pas vdekjes së tij ata bëjnë diçka nga ajo, ai nuk ka faj dhe përgjegjësi.” (6)

Mendimi i dytë i një grupi dijetarësh si, ibën Xherir dhe të tjerët, dhe këtë mendim e përkrahin ibën Tejmije, ibën Kajimi dhe të tjerët, është se i vdekuri ndjen dhembje dhe pikëllim nga të qarit e familjes për të dhe se fjala ndëshkim në hadith e ka për qëllim dhembjen dhe se ai ndëshkohet nga dhembja dhe përmallimi që e ndjen për ta, e nuk është për qëllim ndëshkim që vjen si pasojë e mëkatit dhe gjynahut.(7)

Pra çështja është e ndjeshme dhe e rrezikshme dhe besimtari nuk duhet ta lejon veten të bie kurban i mashtrimit të shejtanit që ta vajton të vdekurin apo të bën diçka të ngjashme me të apo ta lejon familjen e vet të bëjnë diçka nga to.

Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Vajtuesja nëse nuk pendohet para vdekjes, në Ditën e Gjykimit do të ketë rroba prej katranit dhe këmishë prej xherebit (sëmundje e cila e kap trupin dhe e lë me pasoja).”(8)

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Prej udhëzimit të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka qenë qetësia gjatë sprovave dhe fatkeqësive, të kënaqurit me caktimin e Allahut, falënderimi i Allahut dhe të shprehurit e fjalës (in-na lil-lahi ue in-na ilejhi raxhiun – ne jemi të Allahut dhe tek Allahu është kthimi i jonë). Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është distancuar nga ajo që i grisë rrobat e saja kur e godet fatkeqësia, apo e ngritë zërin duke bërtitur, apo e rruan kokën.”(9)

(1) Buhariu (1235), Muslimi (103).

(2) Buhariu (1234), Muslimi (104)

(3) Buhariu (1243).

(4) Buhariu (1291).

(5) Muslimi (933).

(6) Umdetul Karij (4/79), marrë nga libri Ehkamul Xhenaiz fq.( 41)

(7) Ehkamul Xhenaiz (41-42) shejh Albani.

(8) Muslimi (934)

(9) Zadul Mead (1/507).

Pjesë e shkëputur prej librit: ‘Çfarë i bën dhe çfarë nuk i bën dobi të vdekurit’

Përmblodhi dhe përgatiti: Irfan JAHIU