RKL: Përpjekjet për ta nxirosur Kosovën nuk i bëjnë vetëm Nikoliqi e Tadiqi por edhe “xhaurrët” e vetëshpallur pro amerikan

Qysh prej viti 1918 kur shtetet e Evropës dhe Rusia Cariste i shkëputen Shqipërisë dy të tretat e territorit dhe ua bënë tapi, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë e Greqisë, nuk kanë pushuar përpjekjet institucionale serbe për t’i paraqitur shqiptarët si mbeturinë, turke, xhihadistë, apo myslimanë të rrezikshëm për Ballkanin. Gjatë tërë kohës së pushtimit të Kosovës dhe trojeve shqiptare nga Jugosllavia e Serbia, çdo përpjekje e shqiptarëve për liri e pavarësi është nxirosur si përpjekje për dominimin e islamit në Ballkan e Evropë, edhe pse Evropa në gjirin e vetë ka hiç më pas se 50 milionë banorë me fe islame.

Përkatësia fetare e shqiptarëve është një realitet historik, tejet i qëndrueshëm dhe në asnjë periudhë të historisë,  sado që ka pasur përpjekje tinëzare dhe të instruktuara nga qarqet jo shqiptare, dhe ato mercenare shqipfolëse, nuk është arritur të thyhet uniteti kombëtar e toleranca fetare ndër-shqiptare. Sesa e fortë dhe qëndrueshme ka qenë kjo tolerancë e kanë bërë të ditur sa e sa filozofë e dijetarë të mbarë botës, në mesin e tyre edhe iluministi serb, Karaxhiq, babai i kulturës dhe gjuhës serbe, filologu dhe etnologu i cili konsiderohet si një nga nismëtarët e nacionalizmit serb.

 Në librin e tij, «Srbi svi i svuda» (Serb të gjithë e kudo), Karaxhiq bënte një inspektim shterues të gjendjes së sllavëve të jugut. Ajo çka nguc vëmendjen është se etnologu serb pezmatohet nga fakti që një pjesë e konsiderueshme e serbëve të kohës së tij e ndjesonin vetën si turq, duke vënë madje më tepër theksin të identiteti regjional. Karaxhiq rropatet që lexuesit e tij t’i bind me shembuj ku tejkaloheshin ndasitë fetare. Ai përmend me theks të veçantë magjarët e gjermanët, por mbi të gjithë shqiptarët, për të cilët thotë se janë «shembull që duhet ndjekur». Karaxhiq, pa e fshehur një dozë lakmie, vëren sesi shqiptarët e konsideronin njëri tjetrin vëllezër, duke i lënë mënjanë përkatësitë fetare. Sipas fjalëve të tij «…ata (arnautët) janë të fesë katolike (dhe diku mund të ketë edhe të ritit ortodoks), por të gjithë thirren shqiptarë, ata urrehen aq pak mes vete, saqë kundrejt fqinjëve jetojnë si vëllezër sikur të ishin të një feje, madje një shqiptar i fesë myslimane do t’i vriste 10 turq për një shqiptar të fesë së krishterë, njësoj si një shqiptar i fesë katolike do t’i vriste 10 italianë për një shqiptar mysliman» («…njih (Arnauta) ima i Rimskoga (a može biti gdješto i Grčkoga) zakona, pa se svi zovu Arnauti, i da rečemo da se između sebe malo mrze, ali prema drugijem narodima žive kao i braća, kao da su svi jednoga zakona, i jedan bi od njih Turskoga zakona ubio deset pravijeh Turaka za jednoga Arnautina makar koga Hrišćanskog zakona, kao što bi i Arnautin Rimskoga zakona ubio deset Talijanaca za jednoga Arnautina Turskoga zakona»). Tutje, Karaxhiq me një psherëtime dhimbje e dëshpërimi përpiqet t’i qëmtojë shkaqet se përse të serbët urrehej aq shumë krejt ndryshe nga shqiptarët.

Ky ka qenë dhe po mbetet kodi gjenetik shqiptar i harmonisë fetare dhe mbijetesës, kod të cilin e kanë përshëndetur shumë qarqe përparimtare të botë, në mesin e tyre edhe disa drejtues të Vatikanit dhe jo vetëm, Papa Françesku.

Përpjekjet për ta dëmtuar këtë kod dhe për ta diskredituar, për ta paraqitur si të pa qenë dhe të shpifur,  nuk vinë vetëm nga Serbia, e cila në vazhdimësi qysh prej paraqitjes së UÇK-së ka bërë përpjekje që lëvizjen tonë kombëtare për çlirim ta etiketojë si lëvizje xhihadiste, si pjesë të Al-Qaidës dhe sot si pjesë të ISIS-it. Mbetjet titiste e rankoviçiste në Kosovë, gjithnjë kanë qenë dhe kanë mbetur në të njëjtat valë me ato të Beogradit, lidhur me përhapjen e “së vërtetës” së tyre për shqiptarët. Këto mbetje, përkrahin deklaratat e kryetarit të Serbisë, Nikoliq i cili thotë madje se edhe ISIS-i është prodhim shqiptar, ndërsa, pionieri i Milosheviqit, Ivica Daçiq thotë se Kosova është truall i xhihadistëve, sepse nga Kosova kanë shkuar për të luftuar në Siri kundër diktatorit vrastar,  Assad,  dikur rreth 70 shqiptarë. Ka mjaftuar kjo shifër, e cila në jugo-mediet është rritur në 300, ndërsa duke u mbështetur në një portal italian në 900, me qëllim që të mos pushojë fushata në përpjekje për ta nxirë Shtetin e Kosovës dhe shqiptarët me besim islam.

Xhaurrët e sotëm shkojnë edhe më larg se  Milosheviqi, Nikoliqi e Tadiqi. Ata thonë për gazetat amerikane se në Kosovën e çliruar nga Amerika farën e vetë e ka mbjellë islami xhihadist, sepse në mesin e 3000 hoxhallarëve dhe imamëve sa i ka Kosova, qenkan edhe 13 imamë të dyshuar, disa nga ta edhe të dënuar se kanë rekrutuar dhjetëra shqiptarë për të marrë pjesë në luftë kundër kryekriminelit Bashar Assad, i cili për të mbetur në pushtet ka vrarë jo më pak se 300.000 sirianë dhe ka dëbuar nga vendi më shumë se 10  milionë të tjerë.

Ja si pretendojnë të manipulojnë “me fakte e shifra” mbeturinat e së kaluarës e  mendje-robëruarit e sotëm. Ja si pretendojnë ta nxirosin Kosovën, për të cilën thonë se më mirë ka qenë në kohën e Milosheviqit sesa sot nën sundimin e Hashim Thaçit, të cilin e quajnë vëlla të Erdoganit. Kjo pjellë bastarde, e cila ka origjinë që nga koha e xhaurrëve e katilëve shqiptaro-turq, që nga koha e satrapëve e halldupëve, më vonë nga koha e kmetve e posllanikëve të kralit, pastaj e poverenikëve të Serbisë, sot ulen në prehrin e ndonjë amerikani sylesh, të cilin e bindin për të shkruar se Kosova është shtet i xhihadit, edhe pse deri sot nuk pati as edhe një sulm të vetëm, madje as edhe një përpjekje për sulm kundër shqiptarëve nga këta “xhihadistë”. Pati përpjekje për të hedhur trotil në ditën e Bajrami, para Kishës katolike në Prishtinë  nga një serb, i cili si duket është harruar dhe fare lehtë mund të lirohet, nëse nuk është liruar, ashtu sikur ishte liruar duke i kërkuar edhe falje gjenerali vrastar, Bojoviq, i burgosur  gabimisht nga një polic i Kosovës, apo sikur është liruar nga faji,  krimineli ndërkombëtar, Sheshel.

Mendjeve “xhaurre” nuk u intereson fati i 1600 shqiptarëve që ende konsiderohen të zhdukur, dhe që trupat e tyre mund të jenë zhdukur përgjithmonë në shkritoret e Serbisë, as vrasjet masive të shqiptarëve nga regjimi i Milosheviqit, as kërcimet e përditshme të Serbisë për eliminimin e shqiptarëve, por kanë hallin e dhjetëra shqiptarëve, të cilët po luftojnë në Siri, apo ISIS, dhe 13 imamëve të etiketuar si përkrahës, në fillim të luftës së Sirisë kundër Assadit, luftë të cilën në fillim e kishte përkrahur dhe e kishte financuar Amerika por e kishte mbështetur fuqimisht  Qeveria e Kosovës. Mendje-robëruarve u mjafton vetëm një maskotë reale apo virtuale e një shqiptari në ISIS, pavarësisht se në atë organizatë terroriste luftojnë pjesëtarët e 70 kombeve të botës, në mesin e tyre edhe amerikanë anglezë, gjermanë francezë, serbë etj, pavarësisht se në ato radhë luftojnë më shumë se 20.000 vetë. Sipas mendjeve të tyre është me rëndësi qoftë edhe një shqiptar  i vetëm, në mos qoftë duhet të shpiket, për ta përmbaruar fiksionin e sëmurë proserb në radhë të parë, antishqiptar e pastaj edhe antiislam. Imagjinatat e tilla fiktive duke u mbështetur në mendjet fiktive terroriste e ushqejnë njëra tjetrën, sepse ekstremet  gjithnjë janë takuar dhe takohen në pikën e vlimit të përbashkët duke ushqyer njëri tjetrin.